Dy ditë më parë “Panorama Sport” publikoi një dokument për shpërndarjen e fondit grant 2022 për sportin. Buxheti vjetor për federatat ka pësuar një ulje të frikshme, duke u reduktuar nga 1 miliard e 380 milionë lekë të vjetër që ishte një vit më parë, në vetëm 500 milionë për vitin 2022. Një ulje drastike në vlerën e 64%, që i jep një goditje të tmerrshme shumësportëshit në Shqipëri, duke e çuar atë në kolaps total.

Lidhur me këtë problematikë madhore, gazeta ka kontaktuar me disa prej federatave sportive më të rëndësishme në vend, të cilat bëjnë me dije se kanë marrë garanci se kemi të bëjmë me një buxhet të pjesshëm, por ka edhe nga ata që e shikojnë me skepticizëm të madh premtimin e ministrisë, duke mos ngurruar që ta quajnë si një mashtrim të radhës. Ndërkohë, bëjnë të ditur për gazetën se në rast se kjo nuk do të zgjidhet, do të shkojnë në vendime ekstreme.

ERLIND PËLLUMBI – Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit u shpreh kështu në prononcimin e tij për situatën e krijuar:

“Ne kemi pasur një takim me ministren, e cila na garantoi që brenda një kohe shumë të shkurtër do ta dërgojnë minimalisht te shifra e buxhetit që kemi pasur vitin e kaluar, ndoshta edhe pak më lart. Shifrat e publikuara kanë të bëjnë me një buxhet të pjesshëm”, tha fillimisht Pëllumbi, duke theksuar më pas se nëse kjo nuk realizohet, atëherë federata që ai drejton është e detyruar të marrë vendime ekstreme:

Erlind Perllumbi
Erlind Perllumbi

“Në rast të kundërt, ne do të jemi të detyruar që të marrim disa masa drastike, duke mbyllur ‘play off’-in, për t’u tërhequr gjithashtu edhe nga aktivitetet ndërkombëtare”. Kreu i FSHV-së më tej zbuloi edhe një propozim interesant të adresuar në drejtim të KOKSH-it në lidhje me projektin e sportit shkollor, për të cilin qeveria ka akorduar 5 milionë dollarë:

“Kam biseduar edhe me presidentin e Komitetit Olimpik, Fidel Ylli, që për projektin e volejbollit dhe basketbollit në shkolla të nxirret një VKM, në mënyrë që të bëhet pak i prekshëm edhe nga federatat. Pasi, çfarë projekti mund të realizosh, në një kohë kur sportet elitare vuajnë për ekzistencë.

KOKSH në këtë rast mund të luajë rolin e ministrisë dhe t’u shpërndajë federatave në bazë të sistemit të pikëzimit. Projekti për sportin shkollor të bëhet i pjesshëm dhe me këtë rast edhe testohet. Kjo do t’i jepte frymëmarrje edhe sportit elitar. Kërkesa ime është mirëpritur nga presidenti, i cili ka pasur një takim me kryeministrin dhe është pranuar në parim. Por tani duhet që të bëhet në rrugë ligjore”, deklaroi Pëllumbi.

GJERGJ RULI – Edhe kreu i Atletikës gjithashtu u shpreh se kanë marrë garanci nga organet shtetërore për çështjen e buxhetit: “Në komunikimet që kam pasur më kanë thënë se ky është një buxhet provizor dhe në muajin maj do të lëvrohet pjesa tjetër. Duke parë krizën dhe të gjitha këto rrethana, kam besim se gjithçka është provizore.

Nuk ka shanse dhe arsyetim që ta logjikojë se ky do të jetë një buxhet përfundimtar. Unë dje kam pasur vetë kontakte me këshilltarin e ministres dhe me sekretarin e përgjithshëm, të cilët më konfirmuan se bëhet fjalë vetëm për kuotën e parë dhe se do të kemi tri kuota

Gjergj Ruli
Gjergj Ruli

Nuk jam grevëthyes, por po them një realitet, duke iu referuar atyre që kam dëgjuar. Nëse do të jetë ndryshe, atëherë edhe unë do të bashkohem me të tjerët. Ne deri më tani kemi bërë 5 aktivitete dhe nuk e dimë se si do të vijojmë. Federatës së Atletikës vetëm rrogat i shkojnë 20 mijë dollarë, ndërsa buxheti na ka dalë 29 mijë. Ne me këtë shumë nuk plotësojmë as aktivitetet që tashmë i kemi bërë”, tha Ruli.

SAHIT PRIZRENI – Ndryshe nga Pëllumbi dhe Ruli, presidenti i Mundjes, Sahit Prirzeni, e shikon me dyshim të madh premtimin se kemi të bëjmë thjesht me një buxhet të pjesshëm:

“Kësaj i druhem dhe nuk e besoj, sepse nëse do të kishte lekë, përse të mos bëhej tani. Ma merr mendja që e gjithë kjo është një mashtrim. Dua ta besoj, por realisht nuk mundem. Kjo është situata më e keqe që ka pasur ndonjëherë sporti.

Sahit Prizreni1
Sahit Prizreni1

Përveç faktit që federatat trajtohen sipas dëshirës, jemi në fundin e muajit mars dhe akoma nuk ka kaluar fondi. Ndërsa tani mësojmë që fondi është sa çereku i vitit të kaluar. Kjo tregon edhe një herë që hallkat e Ministrisë së Sportit apo të shtetit nuk funksionojnë fare.

Nuk do t’ia dijë njeri për sportin dhe realisht jemi në një hall shumë të madh”, u shpreh Prizreni, i cili theksoi se me shifrat e publikuara federatat janë të falimentuara. “Me këto shifra të gjitha federatat janë të falimentuara. Sot që flasim sporti është në kolaps të plotë.

Ne si Federatë e Mundjes aktualisht, qoftë për Kampionatin Europian apo për aktivitetet e tjera ndërkombëtare jemi në borxhe me fatura të papaguara. Kemi shkuar në gara me lekë xhepi, në një kohë kur përfaqësojmë flamurin e Shqipërisë. Këto ia kam thënë edhe ministres përballë”, u shpreh Prizreni. Panorama Sport

Tab1
Tab1

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb