Milan rigjen më në fund Zlatan Ibrahimovic, jo për derbin e së dielës, por për herë të parë pas 8 muajsh gjigandi suedez ka zbritur në Milanello ku mori pjesë në stërvitje me pjesën tjetër të grupit. Ibra nuk është i përfshirë në listën e Champions League, kjo për arsye teknike, por rikthimi i tij në fushë është më pranë se kurrë.

I njëjti diskutim edhe për Maignan, por portieri francez zhvilloi vetëm stërvitje të diferencuar. Në momentin më të vështirë të erës Pioli, stafi i “djallit” shpreson shumë që me rikthimin e Ibrës dhe Maignan situata të përmirësohet.

Në këtë periudhë post Botëror, një çështje më vete është ajo e Leaos, palët janë ftohur shumë, nuk po diskutohet më rinovimi i kontratës. I ndryshëm diskutimi për Oliver Giroud. Milan refuzoi tetë milionë euro nga Everton, pasi ideja e drejtuesve është të rinovojnë kontratën, të paktën edhe për një tjetër vit, firma pritet të vijë menjëherë pas derbit, fakt ky që u konfirmua edhe nga agjenti i sulmuesit francez.
(BalkanWeb)