Faturat e shtrenjta, lufta në Ukrainë, frika e një përshkallëzimi hipotetik bërthamor apo pandemia Covid-19.

Arsyet për të buzëqeshur, në këtë moment historik, duken të pakta, por ajo është thuajse një domosdoshmëri.

Dje ishte Dita Botërore e Buzëqeshjes, e cila festohet çdo vit të premten e parë të tetorit.

Ajo u konceptua në vitin 1999 nga Harvey Ball, babai i buzëqeshjes, i cili u bë një ikonë, por lindi si logo për një kompani sigurimesh.

Bëni një akt dashamirësie dhe ndihmoni një person të buzëqeshë. Kjo është tema e Ditës Botërore të Buzëqeshjes çdo vit, sfida origjinale e nisur nga vetë Ball kur krijoi Ditën e parë Botërore të Buzëqeshjes.

Natyrisht, ishte shumë kohë përpara medias sociale. Sot, përveçse ndiheni më mirë pasi keni buzëqeshur dikë, mund të ndani në rrjetet sociale kënaqësinë e mbledhjes dhe fitimit të buzëqeshjes. Përfitimet e një buzëqeshje janë të shumta. Kur buzëqeshim, truri lëshon molekula të vogla të quajtura neuropeptide për të ndihmuar në luftimin e stresit.

Më pas hyjnë në lojë edhe neurotransmetues të tjerë si dopamina, serotonina dhe endorfina. Endorfina vepron si një qetësues i lehtë i dhimbjes, ndërsa serotonina është një antidepresant.

Madje, një studim sugjeron se buzëqeshja mund të na ndihmojë të shërohemi më shpejt nga stresi dhe të reduktojmë rrahjet e zemrës.
Buzëqeshja pra, është ngjitëse: vetëm mendoni se sa të shpërblyer ndihemi kur shohim dikë tjetër duke buzëqeshur.

Qendra e shpërblimit të trurit tonë aktivizohet dhe na bën të ndihemi pak më mirë. Për më tepër, një studim suedez sugjeron që ne nuk mund të mos reagojmë me një buzëqeshje kur shohim dikë duke buzëqeshur, kështu që është një rreth vicioz i lumturisë së përhapur.

Mos harroni, pra, se buzëqeshjet forcojnë imunitetin dhe rrisin numrin e qelizave të bardha të gjakut, të cilat mbrojnë nga infeksionet.

Së fundi, buzëqeshja mund të ndihmojë në mbajtjen e presionit të gjakut të ulët, pasi fillimisht ka rritur rrahjet e zemrës dhe frymëmarrjen, dhe jo më pak që na bën të dukemi më të rinj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb