ELBASAN- Ekipi i Bylisit është shpallur kampion i kategorisë së parë. Ndeshja Tërbuni-Bylis përfundoi me rezultatin 0-2 ndërsa golat u shënuan nga Mustafaraj në minutën e 58-të dhe Dhrami në minutën e 93-të.

Sot, në stadiumin “Elbasan Arena”, u zhvillua ndeshja finale midis Tërbunit, fitues në Grupin A dhe Bylisit fitues në Grupin B, për të përcaktuar edhe ekipin kampion të Kategorisë së Parë.

Futbollistët pukjanë, të drejtuar nga trajneri Plori, bënë më tepër përpjekje dhe patën më tepër entuziazëm në fushën për ta fituar takimin, por nuk ia arritën. Portieri ballshiot Kaloshi, loja e kujdesshme dhe mbi të gjitha përvoja e futbollistëve ballshiotë, të drejtuar nga trajneri Nenaj, u shpërblyen me fitoren e kësaj finaleje pas golave të shënuar nga Mustafaraj dhe Dhrami, duke e shpallur kështu Bylisin edhe kampion të Kategorisë së Parë.

Fitimi i titullit kampion nga ekipi i Bylisit, i jep fund kështu një sezoni tepër të vështirë për ekipin ballshiot, i cili në “metrat e fundit” të kampionatit, u tregua më i vendosur se sa rivalët e tij.

Sezonin e ardhshëm Bylisi dhe Tërbuni do të luajnë në kampionatin e Superiores. Për pukjanët e Tërbunit, ky do të jetë një debutim në futbollin elitar, ndërsa për ballshiotët do të jetë një rikthim, pas një sezoni të munguar.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: