Një takim i mbrapshtë për Partizanin dhe një fitore e madhe për Bylisin që rigjen suksesin pas dy humbjeve. Kampionët e Shqipërisë bien në transfertën mallakastriote, por më shumë sesa humbja e pësuar, që nuk ua cëon kryesimin e renditjes, dhembin kartën ndaj Brojës dhe Telushit, me të dy mesfushorët titullarë që humbasin derbin ndaj Tiranës.

Bylisi do të kalojë në epërsi në minutën e 6-të, kur një devijim i Belicës pas harkimit të Ndrecës, kap në kundërkohë Hoxhën me struganin që shënon një autogol në portën e tij. Megjithatë kryeqytetasit reagojnë dhe do të barazojnë në minutën e 27-të me golin e Jurgen Bardhit, që shënon bukur me kokë në kuadratin e Hidit. Në pjesën e dytë Bylisi gjen sërish epërsinë me Guindo, që shfrytëzon rreshtimin e keq të parapavijës së Partizanit për të thyer Hoxhën.

Të kuqtë përpiqen të reagojnë, por janë të rrëmujshëm dhe ide, ndërsa Telushi humbet toruan dhe godet kundërshtarin duke marrë kartonin e kuq në minutën e 90-të. Si vlonjati ashtu edhe Broja humbasin derbin duke e vënë në hall të madh trajnerin Lerda, që veç paraqitjes së dobët të të tijve, duhet të arnojë dhe skuadrën në prag të takimit më të rëndësishëm të kampionatit.

Me këtë sukses, Bylisi ngjitet në kuotën e 23 pikëve, dy më pak sesa Partizani kryesues.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb