TIRANE- Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka paraqitur sot në seancën plenare të Kuvendit, një projektrezolutë për dekoratat e dhëna nga Qeveria. Në një deklaratë për mediat, deputeti demokrat ka reaguar në lidhje me ligjin për dekoratat, duke kritikuar vendimet e Qeverisë.
Këtë rezolutë e ka lexuar në foltoren e Parlamentit, kreu i grupit parlamentar, Edi Paloka, i cili ka kërkuar miratimin e saj, por kjo gjë është kundërshtuar nga maxhoranca.

REZOLUTA E PLOTË
1. Kuvendi i Shqipërisë, në referim të:
– rezolutave të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, përkatësisht Rezolutës nr. 1096 (1996) “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë sistemeve totalitare komuniste” si dhe Rezolutës nr. 1481 (2006) “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”;
– Deklaratës së Pragës mbi Ndërgjegjen Europiane dhe Komunizmin (2008);
– Dëgjesës Publike Europiane mbi “Krimet e Kryera nga Regjimet Totalitare” (2008),
– Ditës Europiane të Kujtesës për Viktimat e Stalinizmit dhe Nazizmit (2008),
– Deklaratës së Vilniusit të OSBE-së (2009),
– Dëgjesës Publike mbi “Ndërgjegjen Europiane dhe Krimet e Komunizmit Totalitar: 20 vite më pas” (2009);
– Rezolutës së Parlamentit Europian mbi Ndërgjegjen Europiane dhe Totalitarizmin (2009)
– Deklaratës mbi Krimet e Komunizmit (2010),
– legjislacionit të miratuar për dënimin e krimeve të genocidit dhe krimeve kundër njerëzimit në Shqipëri;
2. Në vijim të rezolutës së tij “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri (2006)
3. Duke riafirmuar dënimin e tij të plotë dhe pa ekuivoke të regjimit totalitar komunist të ngritur nga Enver Hoxha dhe bashkëpuntorët e tij;
4. Duke konsideruar mbi bazën e dokumentave ndërkombëtarë dhe legjislacionit shqiptar se krimet e komunizmit përbëjnë krime kundër njerëzimit dhe ndjekja e dënimi i tyre nuk parashkruhen;
5. Duke vlerësuar se zhvillimet politike dhe shoqërore të 25 viteve të tranzicionit kanë penguar nxjerrjen e plotë të të vërtetës mbi këto krime dhe dënimin e ideatorëve, organizatorëve dhe zbatuesve të drejtpërdrejtë në aparatin represiv të regjimit komunist, në zbatim të parimeve dhe angazhime ndërkombëtare që dënojnë krimet e komunizmit;
6. Duke shprehur shqetësimin serioz për ringjalljen e simboleve dhe figurave të diktaturës totalitare komuniste në Shqipëri bazuar në një nxitje dhe dakordësi shtetërore të manifestuar me veprime aktive apo inkurajim të ringjalljes dhe shfaqjes së tyre në publik, edhe pse akte të tilla janë të dënueshme nga dokumentat ndërkombëtarë të cituar në këtë deklaratë;
7. Duke vlerësuar lart kontriburtin në luftën nacional çlirimtare të vetëranëve të luftës por që në të njëjtën kohë individë pjesëmarrës të asaj lufte që kanë kryer krime kundër njerëzimit gjatë regjimit komunist nuk mund të përfitojnë nga vlerësimi për luftën dhe as duhet të njollosin vlerat dhe sakrificat e popullit në luftë;
7. Duke çmuar se dekorimi apo dhënia nga organet shtetërore e medaljeve për hierarkët e lartë të regjimit komunist, bashkëpunëtorëve të tyre, zyrtarëve dhe bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit dhe të çdo organi represiv të regjimit komunist që kanë kryer krime duke torturuar, vrarë e persekutuar persona të pafajshëm është jo vetëm në shkelje të parimeve dhe angazhimeve europiane për dënimin e komunizmit, zhdukjes së pasojave të tij dhe rehabilitimit të viktimave, por edhe një provokim i rëndë i ndërgjegjes shoqërore;
9. Duke çmuar se përfitimi i privilegjeve apo i trajtimit të diferencuar, përfshirë ai financiar, nga persona që kanë kryer krime kundër njerëzimit në kuadër të regjimit komunist është i papranueshëm;
10. Kuvendi do të hartojë dhe miratojë legjislacionin e nevojshëm për anulimin e çdo dekorate, medaljeje apo akti tjetër vlerësues të individëve që kanë kryer krime kundër njerëzimit në kuadër të regjimit komunist si dhe të përcaktojë procedura të qarta për parandalimin e dekorimit të tyre në të ardhmen;
11. Kuvendi do të miratojë legjislacion e nevojshëm për shfuqizimin e çdo përfitimi apo privilegji financiar për këta individë përfshirë pensionet shtesë apo të posaçme për shkak të statusit të veteranit apo të çdo natyre tjetër. Pensionet e këtyre personave nuk mund të jenë në asnjë rast më të larta se pensioni që përftojnë viktimat e persekutimit komunist. Legjislacioni i hartuar në kuadër të pikës 10 dhe të kësaj pike, do të përcaktojë organin kompetent dhe procedura efikase për përmbushjen e detyrimeve të vëna nga kjo rezolutë dhe legjislacioni përkatës;
12. Kuvendi do ta miratojë legjislacionin e parashikuar në pikat 10 dhe 11 të kësaj rezolute, brenda datës 20 shkurt, në uadër të 25 vjetorit të rrëzimit të simbolit të komunizmit, shtatores së diktatorit Enver Hoxha. Kuvendi do të ngrejë një komision për paraqitjen në seancë pë miratim të një raporti të detajuar mbi aktet ndërkombëtare dhe legjislacionin në fuqi si dhe projektligjeve të nevojshme për zbatimin e pikave 10 dhe 11 të kësaj rezolute;
13. Kuvendi nxit qeverinë që të rrisë fondet dhe përpjekjet për zbulimin e krimeve të komunizmit, autorëve të tyre dhe rehabilitimin e vitimave të tyre.

Ndërkaq edhe Partia Socialiste ka dorëzuar në Kuvend amendamentet për ndryshimet përkatëse në këtë ligj.

“Këta persona duhet të hiqen në mënyrë që qytetarët të mos ndihen të fyer. Mazhoranca e kishte detyrim me ligj të bënte verifikim, për çdo person, nëse ishte e përshtatshme të jepeshin dekoratat apo jo. Mbasi ka kryer këtë akt të shëmtuar, nuk mund të pretendojnë për shkak një projektligji që bie të ndryshojë”, tha Bylykbashi.
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb