Oerd Bylykbashi deklaroi pas mbledhjes së Këshillit Politik se maxhoranca ka refuzuar të diskutojë për propozimin e Opozitës së Bashkuar për hapjen e listave 100% dhe mosndryshimin e formulës për koalicionet dhe përllogaritjen e mandateve.

Ai tha se Edi Rama dashurinë e fundit për lista e hapura e ka vetëm një alibi për të hequr koalicionet zgjedhore.

PRONONCIMI I PLOTË
Sot, opozita e bashkuar bëri prezent në Këshillin Politik, ashtu siç ne kishim kërkuar dhe premtuar, qendrimin e saj të qartë në lidhje me një çështje themelore për reformën zgjedhore dhe për zgjedhjet, debatin në lidhje me ndryshimet për sistemin zgjedhor.
Qendrimi i saj është shumë i qartë: nëse do të shkohet drejt hapjes së listave, listat duhet të hapen 100%, jo pjesërisht, me kusht që formula aktuale kushtetuese dhe ligjore e koalicioneve dhe formula për ndarjen e mandateve brenda koalicionit, të mos ndryshojë.

Ajo që është fare e qartë për shqiptarët dhe për partnerët ndërkombëtarë është që Edi Rama, dashurinë e tij të fundit për listat e hapura e ka vetëm një alibi për të hequr koalicionet zgjedhore, për t’u bërë të pamundur shqiptarëve që, ndërkohë që u hapet lista dhe votojnë në mënyrë të veçantë kandidatët, e mbyll listën e partive, që zgjedhësit shqiptarë të mos e japin votën individuale për parti të veçanta. Pra, është një farsë, është një justifikim për Edi Ramën hapja e listave në funksion të këtij qëllimi, që të ndryshojë rregullat e garës së kundërshtarëve të tij politikë. Ne e bëmë shumë të qartë këtë qendrim.

Kërkuam pozicionimin politik të përfaqësuesve të maxhorancës që të shprehen, nëse është dakord me hapjen 100% të listave me kushtin që të mos ndryshojë formula e koalicionit dhe formula e shpërrndarjes së mandateve. Përfaqësuesi i maxhorancës, përgjatë gjithë mbedhjes së Keshillit Politik, refuzoi në mënyrë të vazhdueshme që ta bënte këtë, edhe pse i dhamë modelet se ku ekziston në Europë modeli i koalicionit që Shqipëria e ka tashmë prej 17 vitesh, është një traditë e konsoloduar kushtetuese dhe ligjore.

Këto vende janë Belgjika, Hollanda, Danimarka, Letonia, janë një seri shtetesh, po të vazhdojmë, Italia, ky model është marrë fillimisht nga Italia, edhe në Greqi është aplikuar. Këto janë modele të vendeve nga është marrë dhe e përdorim ne prej 17 vitesh.

Nëse maxhorancës nuk i duket model diçka që ka funksionuar pa asnjë problem për 17 vite dhe ia ka bërë të qartë shqiptarëve forcën e çdo partie të veçantë, atë që ne po përpiqemi me lista të hapura të bëjmë të qartë – fuqinë zgjedhore që ka çdo kandidat, i cili merr mandat për të shkuar në parlament, – është e qartë se e gjithë kjo përpjeke e Edi Ramës është për të vrarë mundësinë e partive politike për të garuar ashtu si ato vendosin, me të drejtën e tyre kushtetuese për t’u bashkuar e për të garuar në liri të plotë.

Ne presim nga maxhoranca të reflektojë.
Kjo është një çështje, ashtu siç thanë edhe partnerët ndërkombëtarë, është çështje e Këshillit Politik, duhet trajtuar në Këshillin Politik, me konsensus, gjithëpërfshirje dhe transparencë dhe sa kohë kjo nuk cënon marrëveshjen e 5 qershorit.

Gatishmëria jonë është e plotë, ne erdhëm me propozim, kështu që çdo lloj përpjekje e maxhorancës e në veçanti e Edi Ramës, për të turbulluar, është e kotë në sytë e shqiptarëve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb