Bashkëkryetari për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, i ftuar në studion e lajmeve në News 24, deklaroi se Reforma Zgjedhore nuk është përmbyllur ende. Ai sqaroi me detaje disa prej ndryshimeve që pritet të ketë në zgjedhjet e ardhshme, në të cilat u shpreh i bindur se do të ketë edhe rotacion politik.

“BE është angazhuar për të dhënë asistencë në ekspertizë sa i përket identifikimit biometrik. E vetmja gjë që mund të ketë pikëpyetje është fakti nëse qeveria e saboton. Parashikohet që në secilën qendër votimi të filmohet komisioni i qendrës së votimit, pra që të mos intimidojnë zgjedhësit. Kjo ishte një nga kërkesat tona. Pra nuk filmohet zgjedhësi por komisioni. Elementi kryesor është identifikimi biometrik. Pamjet administrohen nga komisioneri i zgjedhjeve që do të jetë ekzekutivi i KQZ, që do të ketë edhe një zëvendësues dhe do të bëjë të diasponueshme për të gjithë filmimet e QV-ve, për të parë nëse pretendimet e ngritura mund të faktohen edhe me video”,- tha ai.

Po ashtu Bylykbashi sqaroi se, “Kolegji Zgjedhor nuk ndryshon, do mbetet me gjyqtarët që vijnë nga vettingu. Numëerimi do të bëhet me mundësi rinumërimi. Rezultati do shpallet pasi të jenë të bindura të gjitha palët. Ne kemi para detajimin e kësaj marrëveshje, por sic dihet djalli qëndron gjithnjë në detaje. Të kemi parasysh se administrata zgjedhore nuk është arritja më e rëndësishme, se ne jemi ende te hartimi i dispozitave. Reforma zgjedhore nuk është mbyllur. Pasi do japim ende përgjigje se si do t’i vëmë fre një policie që bashkëpunon me bandat për të blerë vota, për të intimiduar zgjedhësit, si do zgjidhet shitblerja e votës. Deri tani ne zgjidhim vetëm faktin që një person nuk mund të votojë dy herë. Marrëveshja garantoi atë që: garancitë e opozitës nuk u prekën. Kemi shtuar edhe identifikimin biometrik”.

I pyetur se ku lëshoi PD, ku PS dhe nëse ndikuan ambasasorët që të arrihej marrëveshja, Bylykbashi u shpreh se: “Patën një rol të jashtëzakonshëm ata, ndërhynë qartazi që qeveria nuk do ta kapte administratën zgjedhore përmes administratës publike. Ata i vunë kufirin Edi Ramës. PS nuk arriti dot të ndryshonte garancitë nëse del në opozitë. Nuk mund të ketë PS kontrollin e komisioneve. Pra ne ruajtëm garancitë. Sa i përket Kolegjit Zgjedhor zgjodhëm gjyqtarët e vettingut. Do disiplinojmë votimin dhe numërimin, pra që kutitë nuk mbushen në mënyrë të padrejtë. I rinumërojmë po të jetë e nevojshme dhe kështu nuk ka ankesa. S’ka Kolegj Zgjedhor që guxon ta kthejë vullnetin e zgjedhësve. Vitin që vjen ka rotacion politik dhe ky kolegj s’do guxojë të ndryshojë rotacionin.

I pyetur se pse nuk dakordësuan për ndryshimin e sistemit zgjedhor, Bylykbashi tha: Nuk është ndryshimi i sistemit zgjedhor një nga rekomandimet e OSBE, janë një seri mekanizmash. Ne kur të bëjmë zgjedhe do të na duhet një sistem që ka mazhoritarin brenda por merr në konsideratë balancat e pushtetit sot. Nuk na duhet parlament që fut dikë apo heq dikë por nga ana tjetër nuk prodhon stabilitet. Sistemi zgjedhor nuk është vetëm listat. Ky sistem sot ka nxjerrë në pak nevojën për demokratizimin e partive. Pra që kryetarët s’mund të vendosin në mënyrë autokratike. Duhet të ketë mekanizma në parti që të ndikojnë te kryetari. Ne në PD po diskutojmë për mekanizmat britanike, sigurisht që do përshtatet. Por nuk mjafton vetëm një parti me standarde demokratike”.

Sa për diskutimet që do të ketë sot Këshilli Politik, demokrati shtoi: “Eksperët do diskutojnë për draftin e KQZ, rregullat për biometrinë dhe si do të mbeten të paprekura disa prej rregullave të përcaktuara”.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: