Nga VALENTINA MADANI*

TIRANE – Oerd Bylykbashi, nënkryetari demokrat i Komisionit parlamentar të Ligjeve, i cili është edhe një nga hartuesit e Kodit Zgjedhor, shprehet se zbatimi i rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë i heq mundësinë çdokujt që të keqpërdorë ligjin për përfitim politik. Bylykbashi tregon për “Gazeta Shqiptare”, zgjidhjet për këtë çështje dhe ku do të ndërhyhet për zbatimin e rezolutës së 24 dhjetorit, ku pika më delikate e të cilës është çështja e zyrtarëve me rekorde kriminale. Bylkykbashi thotë se nuk përbën tabu prekja e Kushtetutës, nëse kjo do t’i vijë në ndihmë Parlamentit për të eliminuar përfshirjen e personave me rekorde kriminale në politikë. Ai përmend deklaratën e europarlamentarëve Kukan dhe Fleckenstein për të bërë të qartë se dekriminalizimi prek edhe deputetët aktulë. “Sigurisht dhe këtë e kanë bërë të qartë dy eurodeputët Kukan dhe Fleckenstein në deklaratën e tyre se bëhet fjalë për ata që mbajnë dhe do të mbajnë poste”, – shprehet Bylykbashi për “GSH”.

Z.Bylybashi, çfarë përmban në thelb marrëveshja politike PD-PS që i ngarkon palët me detyrime për dekriminalizimin?

Nëpërmjet kësaj marrëveshje i kemi dhënë mundësi Parlamentit shqiptar dhe demokracisë shqiptarë të shpëtojë nga kjo e keqe e madhe që është kriminalizimi i Parlamentit dhe i çdo sfere tjetër të jetës publike. I jep mundësi demokracisë të zhvillohet sipas atyre standardeve që kërkon çdo shqiptar dhe nga ana tjetër i jep mundësi PS në mazhorancë të shpetojë nga kjo e keqe që e ka kapur.

Cilat do të jenë hapat e parë të këtij procesi?

Prioritare në kohë është afrimi i zgjedhjeve vendore e për rrjedhojë vendosja e pengesave ligjore që persona me rekorde kriminale të mos zgjidhen në organet e pushtetit vendor. Sigurisht, në substancë, prioritare është pastrimi i Parlamentit nga kjo e keqe. Dekriminalizimi do të jetë një proces, por që do të kërkojë implementim brenda 6 muajve të parë të vitit 2015…Po dhe do të ketë rregulla, do diskutohet për çështje të individëve me rekorde kriminale të cilët mbajnë poste publike ose kërkojnë të zgjidhen dhe emërohen, ashtu siç përcaktuan në dokumentin bazë dy negociatorët e Parlamentit Europian, Fleckenstein dhe Kukan. Detyra që i ka vënë Parlamenti vetes me këtë marrëveshje është që duke filluar nga Janari dhe me afat të fundit 30 Qershorin, do punojmë që ky problem të shkojë drejt zhdukjes.

Cilat do të jenë zgjidhjet për këtë proces dhe a është pika më delikate ajo e personave të inkriminuar?

Në aspektin e dekriminalizimit do të shihet si aspekti i tanishëm, siç thotë edhe rezoluta dhe propozimi i negociatorëve, ata që mbajnë funksione publike, por edhe në të ardhmen, duke filluar që nga zgjedhjet e ardhshme lokale, por veçanërisht nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke vazhduar me administratën publike. Ne do të vendosim ato filtra ligjore që do të bëjnë të mundur dekriminalizimin duke larguar maksimalisht këtë fenomen negativ apo duke i prerë rrugën.

Domethënë procesi përfshin edhe edhe Parlamentin aktual?

Sigurisht dhe këtë e kanë bërë të qartë dy eurodeputët Kukan dhe Fleckenstein në deklaratën e tyre se bëhet fjalë për ata që mbajnë dhe do të mbajnë poste. Për të kuptuar seriozitetin e problemit po ju jap një shembull. Ne kemi njerëz të cilët ditën që mbarojnë dënimin penal në burg, po atë ditë mund të kandidojnë për t’u zgjedhur deputet dhe brenda një muaji mund të zgjidhen deputetë dhe më vonë mund të emërohen edhe ministra. Imagjinoni dikë që është dënuar për krime të rënda të mbajë një post ministri vetëm për faktin se nuk është më në burg. Legjislacioni shqiptar sot e ka këtë boshllëk që mesa duket është shfrytëzuar maksimalisht në një marrëveshje mes kryeministrit Rama dhe atyre që i shërbyen për të marrë pushtetin më 23 qershor. Mesa duket, kufizimet morale nuk mjaftuaný që Edi Rama të mos fuste këtë të keqe në politikë në një dimension të pa precedent.

Çfarë mekanizmash do të përdoren për identifikimin e personave të inkriminuar?
Nuk është aq e rëndësishme lista me emrat e tyre se tashmë dihen nga qytetarët e thjeshtë, por si duhet t’u ndalohet rruga që të mos hyjnë në Parlament apo të marrin poste në administratë.

A është e gatshme PD-ja për ndryshimin e Kushtetutës me qëllim që t’i vijë në ndihmë Parlamentit për pastrimin e këtij institucioni nga deputetët e inkriminuar?

Nëse do të jetë e nevojshme, do të ndërhyhet edhe në Kushtetutë. Mund të jetë e nevojshme të ndërhyhet në rregulloren e Parlamentit, veçanërisht në Kodin Zgjedhor, mund të jetë i nevojshëm hartimi i legjislacionit të ri, për të vënë fre mundësisë, që njerëz më të kaluar kriminale të kandidojnë për poste të larta, siç është ai i deputetit apo i të zgjedhurit vendor. Sot nuk ka rëndësi mekanizmi konkret. Këto mekanizma do të gjenden me asistencën më të mirë të Komisionit të Venecias dhe të Bashkimit Europian. Ajo që ka më shumë rëndësi sot është që shumica dërrmuese bie dakord me nevojën urgjente për dekriminalizim të politikës si dhe që mazhoranca të tregojë vullnet pozitiv që sëbashku t’i shkojmë në fund kësaj detyre.

Cila është garancia juaj se mazhoranca nuk do të “rrëshkasë” nga firma e hedhur në këtë marrëveshje?

Garanci janë ndërkombëtarët. Kjo mazhorancë nuk ka hapësirë për të rrëshkitur, ne jemi aty për të ngritur flamurin dhe për t’i treguar në çdo moment opinionit publik shkeljen e marrëveshjes. Ajo që u votua nga Parlamenti më 24 dhjetor nuk ishte një deklaratë, por një marrëveshje me rëndësi themelore dhe me detyrime legjislative dhe afate konkrete. Duke ruajtur standardet më të mira që ne kemi sot, të vendosim ato pengesa që elementet kriminalë, persona të cilët janë dënuar në mos në Shqipëri, edhe jashtë Shqipërisë, të mos kenë mundësi të mbajnë poste publike apo të kërkojnë të zgjidhen.

A përfshin ky proces testin e drogës për parlamentarët, nismë kjo e paralajmëruar nga disa deputetët të PD-së?

Shqetësimi i parë është krimineli që shet drogë apo kryen trafiqe apo krime të tjera të rënda. Sigurisht edhe çdo veprim që cënon apo bjerr figurën publike të përfaqësuesit të popullit. Vetë Kushtetuta e thotë që zyrtarë të lartë si gjyqtarët supremë shkarkohen kur kur kryejnë akte që cënojnë figurën e gjyqtarit, ku në këtë rast merret parasysh edhe çështja e drogës. Po kaq, kjo vlen për çdo zyrtar të zgjedhur.

(ar.sh/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: