Recetë nga znj Katerina
Përbërësit

6-7 fç miell
1 lç maja
1 lç kripë
1 ls sheqer
100 ml vaj ose gjalpë
1 gotë qumësht të vakët
½ gotë ujë të vakët
2 kokrra vezë
50 gr gjalpë

Për mbushjen e kripur:
150 gr djathë kaçkavall të butë
50 gr djathë kaçkavall të fortë
1 spec të kuq
Proshutë, rigon

Për mbushjen e ëmbël:
2 kokrra mollë
½ fç arra ose rrush të thatë
1 lugë mjaltë ose sheqer
Kanellë

Përgatitja

Në një enë hedhim qumështin e vakët, ujin e vakët, sheqerin dhe majanë. E trazojmë derisa majaja dhe sheqeri të shkrijnë. Më pas shtojmë vajin dhe vezët e rrahura. Kripën e kemi trazuar me miellin, të cilin e shtojmë në mënyrë graduale duke e trazuar mirë derisa të dalë një brumë i butë. E vendosim më pas brumin në tavolinën e punës dhe e punojmë me duar që të fitojë sa më shumë elasticitet. E mbledhim në topth të rrumbullakët, e mbulojmë me një pecetë kuzhine dhe e lemë të rrisë vëllimin për rreth 1 orë.

Më pas e punojmë përsëri brumin me duar dhe e ndajmë në 10-12 toptha të cilat i rrumbullakosim mirë. Secilin topth e hapim një e nga një në petë vezake, e lyejmë me pak gjalpë dhe vendosim nga një lugë mbushje të kripur apo të ëmbël në varësi të preferencave. E palosim petën në formën e dëshiruar dhe e vendosim byreçkën në tavë ku kemi shtruar një letër kuzhine. Kështu veprojmë për të gjitha byreçkat. Pasi t’a kemi mbushur tavën me byreçka e mbulojmë me një pecetë dhe e lemë 20-25 minuta në nje ambjent të ngrohtë. Pas këtij minutazhi largojmë pecetën nga tava, i lyejmë byreçkat me pak vezë të rrahur me ujë, i spërkasim me pak fara susami dhe i vendosim në furrë të piqen në temperaturën 180 gradë për 25-30 minuta.

(Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb