Nga Zonja Katerina
Përbërësit

1 pulë mesatare, 2 qepë të thata, 3-4 kokrra vezë, 2 ½ filxhanë oriz (kokërr rrumbullakët), 5 filxhanë çaji ujë, 1 tufë koper, 1 tufë, majdanoz, Kripë, piper, 5-6 lgj vaj ulliri, 4-5 petë të gatshme ose 2-3 petë të bëra vetë.

Për brumin e petëve:
500 gr miell, 200 ml ujë të vakët, 1 lgj uthull, 2 lgj vaj, 1 lç kripë.

Përgatitja

Lajmë fillimisht mirë pulën dhe e vendosim të ziejë në ujë të vluar me kripë për 35-40 minuta në temperaturë mesatare.

Në një tigan kaurdisim qepën të grirë hollë me gjysmën e sasisë së vajit të ullirit. Sapo qepa të marrë ngjyrë ari shtojmë erëzat dhe orizin. Rregullojmë shijen me kripë dhe piper dhe e kaurdisim për pak minuta.

Në një tavë të rrumbullakët ose dhe katrore të lyer me vaj vendosim 3 petët njëra pas tjetrës duke i lyer lehtë me vaj. Hedhim masën e përgatitur të orizit dhe më pas vendosim pulën (rreth e rrotull tavës dhe në qendër) të cilën e kemi ndarë në 8 racione duke i hequr kockat. Palosim rreth mbushjes një e nga një petët, dhe i spërkasim anësoret e byrekut me pak vaj. Në qendër ku kemi mbushjen shtojmë me garuzhde gati më shumë se gjysmën e sasisë së lëngut të ngrohtë ku përgatitëm pulën. E tundim pak tavën në mënyrë që lëngu të depërtojë në të gjithë mbushjen e byrekut. E vendosim më pas byrekun në furrë të nxehtë në temperaturën 200 gradë Celsius për 15 minuta.

Pas këtij minutazhi rrahim vezët me pjesën tjetër të lëngut të mishit dhe e shtojmë mbi byrek në qendër dhe pak mbi petat rreth e rrotull. E rivendosim byrekun në furrë dhe për 40 minuta të tjera.

(Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: