TIRANË-Një përgjigje ndaj PD që ka kërkuar të votohet dhe të mos vonohet Byroja e Hetimit ka ardhur dhe nga kreu i Kuvendit Ilir Meta. Kryeparlamentari i ka kërkuar Partisë Demokratike që të dorëzojë në Kuvend variantin e saj për t’u diskutuar më pas.

“Do të doja të bëja një sqarim meqenëse kjo çështje u diskutua gjatë në Konferencën e Kryetarëve dhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike kërkuan që ky projekt të hyjë me procedurë të përshpejtuar në Kuvend.
Në fakt asnjë prej tyre nuk kishte asnjë projekt përfundimtar me vete. Ministrja dha sqarimin e saj, unë mund të bëja një sugjerim për grupin parlamentar të Partisë Demokratike. Duke përshëndetur faktin që ata janë dakortësuar me këtë iniciativë, e cila u miratua një herë nga ky Parlament dhe më pas u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për mos pajtim me parimet e Kushtetutës, që atë variant për të cilin Partia Demokratike është dakord, ajo mund ta depozitojë në Kuvend dhe ndërkohë ai variant mund të ndjek rrugën e vet sipas procedurave parlamentare.

Kështu që mendoj që ky është një debat i panevojshëm, sepse nuk e kemi të qartë se për cilin variant bëhet fjalë. Por, atë variant për të cilin është dakord Partia Demokratike mund ta depozitojë në Kuvend sipas Rregullores së Kuvendit dhe ne do ta ndjekim atë me prioritet besoj”.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: