TIRANË- Pas incidentit në seancën e kaluar parlamentare, ku deputetët e PD-së, Edi Paloka, Arben Ristani dhe Roland Keta tentuan të godasin deputetin Erjon Braçe, teksa replikonte me ish-kryeministrin Berisha me një fjalor denigrues Byroja e Kuvendit jep masat disiplinore.

Byroja e Kuvendit ka vendosur të përjashtojë me 5 ditë deputetët që u përfshinë në incident, Erjon Braçen, Edi Palokën, Arben Ristanin dhe Roland Ketën, ndërsa ish kryeminsitri Berisha ka shpëtuar vetëm me një vërejte.

Në përfundim të mbledhjes, deputeti Edmond Spaho tha se Kuvendi toleroi deputetin Braçe duke i dhënë të njëjtën masë disiplinore si deputetëve të tjerë.

“Byroja toleron kryeministrin me fjalor të shthurur toleroi sot edhe Braçen duke e barazuar me deputetët e tjerë. Braçe ofendoi me fjalor vulgar, e barazuan me të tjetër që replikuan me argumenta. Byroja vepron rishtazi me të njëjtat standarde”,- tha Spaho.

BRAÇE
Ndërsa deputeti socialist që ishte edhe qendra e konfliktit të javës së kaluar në seancë, Erion Braçe është indinjuar së tepërmi me vendimin e Byrosë, për përjashtimin e tij me 5 ditë nga parlamenti. Për Braçen kjo është historia e këtij parlamenti, ndërsa nuk i kursyer akuzat për ish-kryeministrin Sali Berisha.

“Kjo është historia për fat të keq e këtij parlamenti edhe në ditët e sotme. Keni qenë dëshmitarë. Rregullorja ndalon cilindo t’i ndërhyjë drejtuesit të seancës dhe të ndërpresë folësin. Ndalon cilindo të merret me jetën private e personale. Ndalon cilindo të adresojë fyerje e sharje. Çdo gjë ka nisur me Arben Ristanin, i jam përgjigjur unë, ka vijuar me Sali Berishën, i jam përgjigjur unë po prapë, ka vijuar me ndërhyrjen e dhunshme të Edi Palokës dhe pas ndërprerjes së seancës me sulmin fizik të një deputeti tjetër. Pas këtij vendimi më shqetëson fakti që po legjitimohet një regjim i dhunshëm, fyerje, sharje, sulm. Regjim i dhunshëm që kryesohet nga Sali Berisha. Ky regjim që duhet të merrte fund, tani që parlamenti ka marrë një fytyrë tjetër dhe është në proces vetëpastrimi, dhunuesi falet, i dhunuari dënohet”, deklaroi Braçe.

Deputeti socialist theksoi se nuk do të tolerojë askënd ta fyejë. “E rëndë për mua si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Nëse vijon historia që t’i legjitimohet Sali Berishës çdo fyerje, kjo Byro do ketë punë pas çdo seance. Nuk do toleroj asnjë që të adresojë fyerje ndaj meje. Berisha fyeu nga nëna në seancën e kaluar. Ky është ligjërim politik? Sali Berisha shpif. Unë nuk jam brenda maxhorancës për të pranuar çdo lloj vendimi. Kush është e padrejtë, është e padrejtë. Jam sulmuar nga 2 njerëz që nuk ishin në sallë fare. Ishin në kafen e parlamentit. Nga ajo sallë nuk ka ngelur shqiptar familjarisht i pa përgojuar nga ky njeri”, tha ai.

Ndërkohë Braçe ka thënë se në mbledhjen e Byrosë, anëtari i PD-së, deputeti Edmond Spaho e ka kërcënuar. Dhe këtij fakti, Braçe i është përgjigjur:
“Në Byro, Spaho kërcënoi që nëse nuk merren masa do ketë përkeqësim në plan personal. Kë kërcënojnë këta?! Në plan personal, kë kërcënon. Le ta provojë Edmond Spaho dhe kushdo, këtu jam. Nëpër rrugët e Tiranës dal”, tha Braçe.

(ma.ar/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: