*Balla: Byroja mori vendimin më të ashpër, prokuroria të nisë hetimet
TIRANË- Byroja e Kuvendit ka përjashtuar deputetin Sali Berisha 10 ditë pas deklaratave të djeshme në sallën e Parlamentit. Kështu Byroja, ka pranuar kërkesën e Partisë Socialiste e cila kërkoi të merrej masë ndaj tij pas thirrjeve të në parlament që qytetarët të armatosen. Sipas tyre Berisha ka shkelur rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën.

Pas vendimit të Byrosë, përfaqësuesi i PD-së, deputeti Edmond Spaho tha se kjo ishte një hakmarrje pasi Berisha bëri publike kërcënimet ndaj pedagogut dhe denoncoi Shullazin. Ai akuzoi maxhorancën si të lidhur me krimin.

“Shumica është e lidhur me krimin e organizuar, po kërkon të fshehë situatën në vend. Ligjin e bën si dëshiron kur ke votat në Byro. Sot në Shqipëri po qeveris krimi. Ky vendim është hakmarrje ndaj Berishës që bëri publike kërcënimet, e që denoncoi Shullazin. Berisha i pari që bëri publik kërcënimin ndaj rektorit. Ngjarje që rezultoi tërësisht e vërtetë. Qeveria bashkëpunon me kriminelët. Duan të largojnë vëmendjen nga situata në vend”, tha Spaho.

Ai theksoi se grupi i PD-së do të shqyrtojë qëndrimin e maxhorancës.
“Fillimisht do diskutojmë qëndrimin e maxhorancës. Berisha ka qenë shumë i qartë në deklaratën që ka bërë duke u mbështetur në legjislacionin amerikan. Qeveria nuk mbron qytetarët por bashkëpunon me kriminelët për t’i vënë qytetarët në atë situatë si ngjarjet që u morën vesh. Do diskutojmë në grupin parlamentar dhe do të informoheni për qëndrimin”, u shpreh ai.

BALLA: BYROJA MORI VENDIMIN MË TË ASHPËR, PROKURORIA TË NISË HETIMET
Deputeti socialist, Taulant Balla theksoi se Byroja e Kuvendit mori vendimin më të ashpër që parashikon rregullorja, për ish-kryeministrin Berisha, duke e përjashtuar për 10 ditë nga Kuvendi.

Në një deklaratë për mediat, deputeti Balla tha se me thirrjen për armatosje, “Berisha u provoi shqiptarëve që në këto 25 vjet nuk ja ka dashur të mirën këtij vendi”. Balla ripërsëriti apelin për prokurorinë, për të nisur hetimet për Berishën.

“Këto nuk janë spontane, nuk janë të pamenduara, janë të menduara mirë nga Berisha që nuk e do reformën në drejtësi. Sali Berisha nuk mund të jetë i paprekshëm nga ligji dhe prandaj dhe Byroja dha vendimin maksimal”- deklaroi Balla.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: