Profesori dhe gazetari Enver Bytyçi i ftuar në emisionin “A show” në “News 24” nga Adi Krasta u shpreh se Baton Haxhiu është një person që ka pushtet, madje sa Thaçi.

Bytyçi nënvizoi se Baton Haxhiu ka pushtet sa Thaçi dhe dëgjohet edhe nga Rama, ndërsa shton se idetë e tij janë për shkëmbim territoresh të Kosovës, që është një ide serbe.

“Personalisht nuk kam asgjë personale me zotin Baton Haxhiu. Madje, edhe mund të përballesha me të, sigurisht. Por kur preken interesat e qytetarëve dhe shkohet kundër interesave të qytetarëve, reagimi besoj është normal. Baton Haxhiu ka sot pushtet sa Hashim Thaçi dhe idetë e tij dëgjohen më vëmendje edhe nga Rama. Di që idetë e tij nuk janë aspak të duhura për Kosovën, madje ideja për shkëmbim territoresh është një ide serbe. Këtu gabohet rëndë, sepse Thaçi e Rama dëgjojnë një person si Haxhiu që është njeri i Beogradit. Vetë ideja, e thëna që mund të shkëmbehen territoret e Kosovës është e rrezikshme për vetë Kosovën në radhë të parë”, tha Bytyçi.

Enver Bytyçi tha se sot në Kosovë po ndodh lemeria, teksa vendi po braktiset thuajse nga 1 milionë banorë. Bytyçi tha se e vlerëson Kosovën si epiqendër të zhvillimeve pan-shqiptare, ndërsa tha se në Kosovë ka probleme, korrupsion e nepotizëm të shfrenuar.

“Kosova është nyja e problemeve që kanë pasur dhe kanë shqiptarët. Kosova sot është përpara një sfide dhe rreziku serioz. Kosova ka shumë probleme si korrupsioni, nepotizmi, në arsim, kulturë, administratë. Të mendosh se korrupsioni shkon edhe në sferën e kulturës, kjo tregon se po shkohet drejt totalitarizmit”, vlerësoi profesor Bytyçi.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb