Komplikohet çështja që sheh “Cadena SER” të akuzojë Barcelonën, me këtë të fundit që i paskësh paguar 1 milion euro shoqërisë private “I3 Ventures” për të përbaltur disa nga lojtarët e saj në rrjetet sociale. Pas përgënjeshtrimeve të thata nga ana e klubit katalanas që hodhi poshtë pretendimet se presidenti Bartomeu ishte lidhur me këtë shoqëri për të ruajtur reputacionin e tij dhe për të groposur atë të rivalëve dhe disa lojtarëve (mes të cilëve Mesi dhe Pike), radio është kthyer sërish në sulm.

“Cadena SER” ka publikuar një dosje me 36 faqe në të cilën konfirmohet se “I3 Ventures” ka në zotërim disa llogari në mediat sociale ku transmeton mesazhe negative për disa prej të federuave të Barcelonës, mes të cilëve gjendet Leo Mesi bashkë me bashkëshorten e tij Antonela, Pike, Ksavi apo Guardiola.

Akuza e “Cadena SER” ndaj Barcelonës është se këta të fundit kanë paguar rreth 1 milionë euro dhe se ka ndërmend të publikojë edhe provat që këto para janë hedhur nga llogari jo zyrtare të klubit katalan.

Kjo pasi Barcelona përgënjeshtroi nëpërmejt një komunikate zyrtare lidhjet me këto komente negative. Ndërkohë Bartomeo ka takuar lojtarët dhe ka përgënjeshtruar çdo gjë, duke shtuar se ata janë një pasuri e klubit dhe kurrë nuk ka pasur ndërmend të zhvlerësojë ata.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb