Nga Cafo Boga

Vëzhgimi dhe roli im personal si ish-anëtar i Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.
Në një artikull që shkrova kohët e fundit, i cili u botua në disa gazeta dhe media online në Shqipëri, unë ofrova një përmbledhje të pjesëmarrjes time me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve (AAEF) edhe me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF). Gjithashtu u përpoqa të nënvizoja arritjet në përmbushjen e objektivave të misionit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara, në të cilat unë së bashku me drejtorët e tjerë të emëruar nga Presidenti Clinton, luajtëm një rol kryesor. Për më tepër, ai artikull kishte për qëllim të hidhte dritë mbi largimin tim dhe gjithashtu të shërbente si një lamtumirë për ata, që kanë vlerësuar kontributet e mia gjatë 25 viteve të kaluara.

Duke folur për projektet e ndryshme të ndërmarra nga Fondi dhe Fondacioni ndër vite, përmenda edhe angazhimet tona në Parkun Kombëtar të Butrintit, i cili është bërë temë e nxehtë në mediet shqiptare këto ditë dhe vazhdon të jetë një sage, që nuk dëshiron të largohet. Në fakt, pas publikimit të artikullit tim të mëparshëm, më kanë kontaktuar dhe më kanë kërkuar të shfaqem në programet televizive dhe mediat në Tiranë, gjë të cilën e kam refuzuar me dashamirësi. Për këtë dhe arsye të tjera, u ndjeva i detyruar të zgjerohem në këtë temë, bazuar në memoriet e mia të ngjarjeve dhe shënimeve që kam në dispozicion.

Siç thuhet në artikullin e sipërpërmendur, “Fondacioni filloi me një Plan Menaxhimi të Integruar për Zonën e Trashëgimisë Botërore të Butrintit si një nga parqet më të rëndësishme të Shqipërisë—dhe më e vështira për t’u zbatuar. Pas shumë kthesave dhe punës shumë të mundimshme, plani u zbatua dhe do të përdoret si prototip për objekte të tjera të trashëgimisë kulturore dhe arkeologjike, si Kompleksi i Amfiteatrit të Durrësit.” Unë gjithashtu përmenda “se ky projekt ka shkaktuar shumë polemika, të cilat vazhdojnë edhe sot, për shkak të rolit të Fondacionit dhe mënyrës se si u zbatua” dhe se “bordit nuk iu prezantuan të gjitha faktet dhe dokumentet në lidhje me këtë projekt; përndryshe, mund të ishim ndalur më thellë në atë projekt dhe ndoshta do të kishim vepruar ndryshe. Mungesa e transparencës dhe keqkuptimi luajti një rol në të.”

Nëse kujtesa ime më shërben mirë, ne vendosën të bënin diçka në Butrint pas një vizite të bordit në zonën e trashëgimisë, ndërsa AAEF ishte ende funksionale. Duke kuptuar rëndësinë e kësaj zone të trashëgimisë dhe gjendjen e punëve të ndërmarra nga aktorë të shumtë pa shumë koordinim apo një plan koherent, bordi arriti në përfundimin se ne duhet të zhvillojmë një Plan gjithëpërfshirës të Menaxhimit të Integruar. Prandaj, bashkëdrejtuesve të AAEF-së iu kërkua të përgatisnin një propozim dhe pasi u miratua ata kontraktuan një firmë konsulente nga Izraeli për të hartuar projektin. Edhe pse u bë një pagesë e pjesshme, për një arsye apo një tjetër, ky projekt nuk u realizua kurrë. Unë mendoj se dështimi i tij ishte për shkak se ligjet ekzistuese nuk ishin të favorshme për një plan të tillë. Megjithatë, AAEF bëri disa përmirësime fizike në Butrint, si instalimi i një sistemi elektronik të biletave, etj. Dua të theksoj se AAEF në bashkëpunim me administratën e asaj kohe (të kryeministrit Berisha) nënshkroi një memorandum mirëkuptimi, i cili u miratua nga Parlamenti. Në këtë memorandum thuhej se 95% e të ardhurave nga shitja e biletave do të depozitoheshin në një llogari të caktuar për zonën e Butrintit, dhe jo në destinacionin e mëparshëm, gjegjësisht në Ministrinë e Financave. Ndërkohë, afati i aktiviteteve të AAEF skadoi dhe andaj u krijua një organizatë e trashëguar (AADF). Pasi të vinte në funksion, bordi rishikoi projektin e parashikuar të Butrintit dhe menaxhmenti përgatiti një propozim të ri. Bordi miratoi konceptin dhe buxhetet për një Plan Menaxhimi të Integruar, dhe për të ndihmuar Ministrinë e Kulturës në hartimin e dokumenteve të nevojshme ligjore. Së bashku, kjo ishte paramenduar të krijonte një model të qëndrueshëm në menaxhimin e vendeve të trashëgimisë me vlera unike kulturore dhe natyrore, që mund të adoptohen dhe zbatohen në disa zona të tjera në Shqipëri. Për më tepër, modeli i ri i mbikëqyrjes supozohej të siguronte funksione të përmirësuara dhe të mbronte sitin dhe zonat përreth nga ndërhyrja e paautorizuar ose e paligjshme, ndërkohë që ofronte mundësi për komunitetin lokal në një mënyrë të qëndrueshme dhe të kontrolluar.

Butrint
Butrint

Mbrojtja dhe menaxhimi i pasurive të Trashëgimisë Botërore duhet të sigurojë që vlerat e tyre universale, duke përfshirë ruajtjen e kushteve të integritetit dhe autenticitetit në kohën e përfshirjes në UNESCO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën), janë të qëndrueshme dhe të përmirësuar me kalimin e kohës, siç specifikohen në Operational Guidelines1 (Udhëzimet Operacionale). “Të gjitha pasuritë e përfshira në Listën e Trashëgimisë Botërore duhet të kenë mbrojtje dhe menaxhim adekuat afatgjatë legjislativ, rregullator, institucional dhe/ose tradicional për të garantuar mbrojtjen e tyre, masat legjislative dhe rregullatore në nivel kombëtar dhe lokal duhet të sigurojnë mbrojtjen e pasurive nga shoqëria, presionet ose ndryshimet ekonomike dhe të tjera që mund të ndikojnë negativisht në vlerën e jashtëzakonshme universale, duke përfshirë integritetin dhe autenticitetin e pasurisë. Shtetet palë duhet gjithashtu të sigurojnë zbatimin e plotë dhe efektiv të masave të tilla.” Pavarësisht se si bëhet, është e qartë se përgjegjësia për mbrojtjen dhe menaxhimin e një pasurie të Trashëgimisë Botërore i takon vendit në të cilin ndodhet; në këtë rast, qeveria shqiptare si pronare e Butrintit ka përgjegjësinë përfundimtare për respektimin e vazhdueshëm të rregulloreve të UNESCO-s.

Në Shtetet e Bashkuara, ekzistojnë tre lloje të pasurive të trashëgimisë kombëtare: Parqet Kombëtare, Monumentet Kombëtare dhe Zonat e Trashëgimisë Kombëtare, të gjitha të krijuara nga Kongresi. Parqet Kombëtare dhe Monumentet Kombëtare janë toka në pronësi dhe menaxhim federal, të administruara dhe operuara nga Shërbimi i Parkut Kombëtar, i themeluar në vitin 1916 nga Presidenti Woodrow Wilson, “…si një zyrë e re federale në Departamentin e Brendshëm përgjegjëse për mbrojtjen e 35 parqeve kombëtare dhe monumentet e menaxhuara më pas nga departamenti dhe ato që ende nuk janë krijuar. Zonat e Trashëgimisë Kombëtare nuk janë tokë në pronësi ose menaxhim federal, përkundrazi, ato menaxhohen nga qeveritë shtetërore ose organizatat jofitimprurëse ose korporatat e tjera private. Shërbimet e Parkut Kombëtar ofrojnë një rol këshillues dhe planifikim teknik dhe asistencë financiare të kufizuar.

Si koncept, trashëgimia kulturore është gjithashtu shumë filantropike nga natyra, e cila me kalimin e viteve ka shkaktuar një prani gjithnjë në rritje të sektorëve jofitimprurës të përfshirë në këtë fushë. Për shembull, National Trust for Historical Preservation (Trusti Kombëtar për Mbrotjen Historike) në Shtetet e Bashkuara është një organizatë jofitimprurëse e financuar privatisht, roli i së cilës është të bëjë një përpjekje për ruajtjen e vendeve me rëndësi kulturore dhe të rrisë vizibilitetin e tyre; prandaj shumë prej këtyre siteve historike menaxhohen nga organizata partnere jofitimprurëse dhe për shkak të statusit të tyre jofitimprurës, këto organizata mund të mbledhin para përmes kontributeve bamirëse, tarifave të anëtarësimit dhe shitjes së biletave.

Në nivel ndërkombëtar, në përputhje me Konventën e vitit 1972 në lidhje me Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Natyrore Botërore, UNESCO pranoi se disa vende në botë kanë “vlerë të jashtëzakonshme universale”dhe i përkasin trashëgimisë së përbashkët të njerëzimit. UNESCO gjithashtu themeloi Fondin e Trashëgimisë Botërore për të siguruar burime financiare për ruajtjen dhe mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore, i cili merr të ardhurat e tij nga kontributet e detyrueshme nga shtetet anëtare, kontributet vullnetare dhe donacionet private, si dhe nga shitja e botimeve ose fondeve në mirëbesim, dhuruar nga vende të ndryshme për qëllime specifike.

20220210215025se1
20220210215025se1

Fabio Carbone vëren se globalizimi ka sjellë shumë ndryshime, “Kultura konsiderohet si shtylla e katërt e qëndrueshmërisë dhe dialogu dhe mirëkuptimi ndërkulturor është një çështje gjithnjë e më e rëndësishme. Në këtë kontekst, ruajtja, menaxhimi dhe rritja e trashëgimisë kulturore është më shumë se kurrë në qendër të debateve ndërkombëtare, si dhe aleanca e saj me turizmin. Udhëzimet mbikombëtare adresojnë përpjekjet e politikëbërësve dhe operatorëve, por si të garantohet zbatimi efektiv i udhëzimeve mbikombëtare në nivel lokal dhe për çdo monument dhe zonë kulturore janë të hapura për publikun? Në këtë kontekst, Menaxhimi Cilësorë i Trashëgimisë Kulturore është një temë në zhvillim”, duke sjellë kështu në fokus sektorin privat.

Për më tepër, sipas Bruce Alan Seaman nga Universiteti Shtetëror i Georgia-s (Xhorxhias), fushëveprimi i përfshirjes së sektorit privat në ruajtjen e trashëgimisë është i gjerë, megjithëse shumë i paqëndrueshëm në vende me perspektiva të ndryshme mbi rolet relative të shtetit dhe tregut të lirë, por dallime të tilla duket se po ngushtohen. Për më tepër, ai vuri në dukje se “Ekziston një konsensus në rritje që sektorët privatë luajnë një plotësues jetik për rolin tradicional të sektorit publik në ruajtjen e trashëgimisë dhe se partneriteti privat-publik do të vazhdojë të zgjerohet.”Roli që luan sektori privat në qëndrueshmërinë e trashëgimisë kulturore u themelua mirë dhe u konfirmua në forumin ndërkombëtar për privatizimin e trashëgimisë kulturore në Catania, Itali, në vitin 2007. Përfshirja e sektorit privat mund të marrë formën e sponsorizimit, donacioneve, partneriteteve, menaxhimit pa pronësi apo deri te privatizimi i plotë, duke kombinuar pronësinë, zhvillimin dhe administrimin. Duhet të theksohet se ekziston një dallim i qartë midis sponsorizimit të korporatave (përfitimprurëse ose jofitimprurëse) dhe partneriteteve, gjë që në realitet nuk është gjithmonë e qartë. Ndërsa donacionet nga individë, fondacione ose korporata nuk janë të përsëritura dhe përfshijnë pak ose aspak angazhim ndaj qëllimeve të organizatave marrëse, në të kundërt partneritetet përfshijnë jo vetëm financim, por angazhime financiare për burimet e ardhshme të punës dhe kapitalit dhe madje asistencë menaxheriale. Në lidhje me privatizimin e trashëgimisë kulturore, një çështje e cila është ende shumë e debatuar mes studiuesve dhe aktorëve të ndryshëm, vende të ndryshme kanë zhvilluar modele dhe qasje të ndryshme kombëtare.

Butrinti11 1
Butrinti11 1

Bazuar në atë çka u citua më sipër, është e qartë se bashkëpunimi i menduar nga AADF me agjencitë përkatëse qeveritare dhe joqeveritare dhe të tjera, që synonte të sjellë praktikat më të mira të përdorura diku tjetër nga vendet e Trashëgimisë Botërore, duhet të shihet si një ndërmarrje pozitive – kuptohet në përputhje me UNESCO-n, e cila ka miratuar Butrintin si vend të Trashëgimisë Botërore. Edhe pse një pasuri e popullit shqiptar, UNESCO beson se është në interesin më të mirë të komunitetit ndërkombëtar të mbrojë Butrintin si një trashëgimi kulturore për brezat e ardhshëm. Gjithashtu, shqiptarët e kuptojnë se ruajtja e trashëgimisë kulturore është një përgjegjësi e gjeneratave dhe se çdo brez në tranzicion duhet të ndërtojë mbi njohuritë e fituara dhe avancimin për të mirën e të gjithë shoqërisë.

Megjithatë ç`ka u fol, as bordi dhe as menaxhmenti i AADF nuk kishin njohuri apo përvojë të gjerë në fushën e ruajtjes ose menaxhimit të zonave arkeologjike dhe të trashëgimisë kulturore. Prandaj Bordi miratoi vetëm konceptin dhe buxhetin për bashkëdrejtuesit për të një studim dhe kërkim të thelluar, si dhe punësoi konsulentët e nevojshëm për të ndihmuar në përgatitjen e draftit të Planit të Menaxhimit të Integruar. Bordi autorizoi gjithashtu bashkëdrejtuesit të vizitojnë disa vende të njohura të trashëgimisë në Evropë për të mësuar se si vendet e tjera i menaxhojnë ato. Ishte përgjegjësi e bashkëdrejtuesve që të ndërmerrnin hapat e nevojshëm në bashkëpunim me aktorët e kaluar dhe të tanishëm dhe të dilte me draftin më të mirë të Planit të Menaxhimit të Integruar. Për të mos qenë të tepërt, veprimet e bashkëdrejtuesve përshkruhen në faqen e internetit të AADF, nën Eko-Turizëm: Plani i Menaxhimit të Integruar të Butrintit. Në sipërfaqe, duket sikur ata bënë shumicën e gjërave të duhura të cilat duhej t`i bënin, domethënë:

Në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe ekspertët ligjorë, hartuan Ligjin për Zonat e Mbrojtura (2017) dhe Ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë (2018). Këto dokumente u miratuan nga qeveria dhe i hapën rrugë hartimit të Planit të Menaxhimit të Integruar. Më duhet të them se kam qenë gjithmonë i matur në lidhje me marrjen e një roli të drejtpërdrejtë në hartimin e ligjeve të vendeve, pasi kjo është përgjegjësi e qeverisë.
Së bashku me Ministrinë e Kulturës, organizuan një aktivitet për Planin e Menaxhimit të Integruar, ku morën pjesë Ministri i Kulturës, Kryetari i AADF, Michael Granoff, dhe me sa duket aktorë të tjerë kombëtarë. Vendimi u mor për të punësuar Prince + Pearce nga Britania e Madhe, një kompani që me sa duket kishte përvojë të gjerë në hartimin e planeve të menaxhimit të Trashëgimisë Botërore.
Me ftesë të Ministrisë së Kulturës, u organizua një takim me përfaqësues nga agjencitë shtetërore, palët e interesuara, ekspertë të trashëgimisë dhe Prince + Pearce për diskutime publike, ku morën pjesë si Ministrja e Kulturës, ashtu edhe bashkëdrejtuesit e AADF.
Bashkëdrejtuesit e AADF-së u takuan me përfaqësues nga Qendra e Trashëgimisë Botërore për Evropën dhe Amerikën e Veriut, të cilëve iu bashkua edhe Ambasadori i Delegatit të Përhershëm të Shqipërisë në UNESCO.
Financuar nga AADF dhe në bashkëpunim me Parkun Kombëtar të Butrintit, u organizua në Butrint një takim me një listë të gjerë të aktorëve vendorë nga Saranda, që përfaqësonin zyrtarë shtetërorë dhe vendorë, agjenci dhe përfaqësues të komuniteteve përreth parkut.
Më në fund, drafti u përgatit dhe Kryetari i Bordit te AADF-së, në një takim të përcaktuar ia dorëzoi zyrtarisht Ministrit të Kulturës, draftin përfundimtar të Planit të Menaxhimit të Integruar të Parkut Kombëtar të Butrintit. Projekti u financua nga AADF me një kosto prej rreth 250,000 dollarë.
Ajo që lexuesi nuk mund të vlerësojë është se Bordi i AADF-së, përveç kryetarit, nuk ka pasur asnjë rol në asnjë nga këto hapa dhe as nuk ka parë ndonjë nga këto dokumente. Më duhet të theksoj sërish se bordi kishte miratuar vetëm konceptin që iu dha në formë propozimi dhe buxhetin përkatës. Ndërkohë që bashkëdrejtuesit (CEO-të) në mbledhjet e bordit informuan bordin për progresin që po bëhej, por as draftet e ligjeve dhe as menaxhmenti i integruar nuk iu qarkulluan bordit, megjithë kërkesat e mia të përsëritura për një kopje, ato ranë në veshin e shurdhër të kryetarit dhe CEO-ve. Përkundrazi, më thanë se miratimi i këtyre dokumentave nuk ishin përgjegjësia e bordit, me të cilin unë nuk u pajtova me mirësjellje. Më pas pyeta: “Të paktën t’i kemi ato që të mund të përfshihemi në një bisedë inteligjente”, por pa dobi. Prandaj, meqë nuk i kam lexuar kurrë, nuk mund t’i komentoj në lidhje me përputhshmërinë e tyre me normat kombëtare ose ndërkombëtare dhe udhëzimet përkatëse, apo për sa i përket efikasitetit të tyre.

Një çështje tjetër shqetësuese, e cila nuk u raportua dhe as u diskutua siç duhet midis anëtarëve të bordit, është niveli i mosmarrëveshjeve nga arkeologët dhe studiuesit më të lartë të vendit, historianët, ish-zyrtarët dhe nga publiku në përgjithësi. Nga ajo që është postuar në faqen e AADF-së dhe nga ato që na thanë në mbledhjet e bordit, ne kishim përshtypjen se gjithçka po shkonte mirë, përveç disa ankesave të disa individëve që sipas tyre kishin qëllime të fshehta për të ngritur zërin. Por nuk ishte kështu. Në qershor të vitit 2020, Auron Tare, një nga themeluesit e Parkut Kombëtar të Butrintit dhe ish-drejtor i Trashëgimisë Botërore Nënujore në UNESCO, i dërgoi një e-mail sekretares së bordit tonë, në të cilin isha ç’d, ku ai ngrinte shqetësime se nëse bordi po merrte informacion të saktë në lidhje me reagimet publike që kanë të bëjnë me planet tona të parashikuara për Butrintin. Duke iu referuar një takimi publik në Tiranë në ambientet e AADF ku përfshiheshin disa personalitete të profilit të lartë të përfshirë në trashëgiminë kulturore, përfshirë Neritan Cekën, një arkeolog i njohur shqiptar me reputacion ndërkombëtar, ata me sa duket ngritën një sërë pyetjesh dhe shqetësimesh serioze mbi strategjitë dhe qasjet e AADF në lidhje me Planin e Menaxhimi të Integruar. Ata besonin se firma e punësuar për të hartuar planin e menaxhimit nuk kishte ekspertizën dhe kualifikimet e nevojshme për të shkruar një plan të tillë për Butrintin, i cili është një vend mjaft i ndërlikuar dhe gjithashtu shumë i rëndësishëm për kombin. Më tej, ai e konsideroi seriozisht fyes faktin se plani i menaxhimit i parashikuar nuk kishte referencë për asnjë studiues shqiptar që punonte në Butrint që nga vitet 1930, por fillon me punën e një arkeologu britanik në vitin 1994. Megjithatë, çështja më shqetësuese për ta ishte se plani rekomandonte që Parku Kombëtar i Butrintit të menaxhohej nga një palë e tretë e pavarur: një sugjerim i cili ju duk shumë shqetësues gjithë grupit interesues të trashëgimisë kulturore shqiptare.

E-mail-i i tij drejtuar sekretares të bordit u pasua nga një tjetër e-mail me disa bashkëngjitje shkrimesh mediatike për çështjen e Butrintit të publikuara në mediat shqiptare. Eshtë e panevojshme të thuhet se asnjëra nuk iu shpërnda bordit, përkundrazi, kryetari e udhëzoi sekretaren që t’ua përcjellë ato bashkëdrejtuesve në Tiranë. Duke qenë se isha ç’d në emailet e zotit Tare, kishte një insinuim se mund të kisha diçka me të, gjë që ishte krejtësisht absurde. Zotin Tare e kam takuar vetëm një herë në Tiranë për një çështje personale, shumë kohë përpara se të përfshiheshim në Butrint. Na u tha se ka pasur disa ankesa të tjera në bordin dhe të paktën një në USAID, por si zakonisht ato nuk janë ndarë me bordin. Përsëri, unë shpreha shqetësimet e mia në lidhje me trajtimin tonë të korrespondencës drejtuar bordit, duke deklaruar se komunikimi i lartpërmendur duhet të qarkullohet tek të gjithë anëtarët dhe, bazuar në meritat e tyre, të diskutohet dhe të bihet dakord për përgjigjen, e jo t’i dërgohen në mënyrë rutinore bashkëdrejtuesve për trajtim. Pas mbledhjes, kryetari më pyeti privatisht nëse i njihja personat që i shkruanin, duke bërë sërish një sugjerim fyes se mund të kem qenë i përfshirë në një farë mënyre.

Për mendimin tim, thelbi i problemit që me të drejtë ka shkaktuar bujë është mungesa e transparencës me themelimin e respektuar të fondacionit privat për zbatimin dhe administrimin e Planit të Menaxhimit të Integruar dhe mënyrën se si supozohet të funksionojë. As dokumentet e themelimit dhe as marrëveshja e funksionimit nuk janë venë bordit në dispozicion, – përveç ndoshta kryetarit – megjithatë, unë nuk jam në gjendje të komentoj për atë që është bërë, por mund të komentoj atë që duhet të ishte bërë. Si fillim, organizata e re duhet të jetë në një formë partneriteti privat-publik midis qeverisë dhe AADF, duke ofruar menaxhim pa pronësi, përgjegjës për administrimin dhe zhvillimin e zonës së trashëgimisë së Butrintit duke përdorur praktikat më të mira në fushën e trashëgimisë kulturore. Siç nënkupton edhe vetë emri, Plani i Menaxhimit të Integruar supozohet të integrojë të gjitha sistemet dhe proçeset e tij në një kuadër të plotë, duke e lejuar atë të funksionojë si një njësi e vetme me objektiva të unifikuar; megjithatë, një sipërmarrje e tillë është mjaft komplekse dhe shkon përtej zbatimit të përcaktuar të një plani të përpiluar nga konsulentë me pak ose aspak angazhime me profesionistë vendas të trashëgimisë dhe me pak dëshirë për të ndërtuar kapacitete për të mbështetur procesin. Prandaj, ishte e domosdoshme të mblidheshin që në fillim të gjithë ekspertët dhe palët e interesuara relevante vendore për të punuar në mënyrë proaktive në formulimin e planit dhe më pas të mblidheshin si një. Përgjegjësitë e secilit aktor duhet të përcaktohen qartë dhe të bien dakord me shkrim. Gjithashtu, administruesit e besuar të organizatës duhet të përbëhen nga përfaqësues nga aktorët kryesorë dhe ekspertë nga fusha të zbatueshme, si arkeologjia, restaurimi dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore, mbrojtja e mjedisit, zhvillimi urban, etj. Me nënkuptim që jo vetëm pronësia apo edhe përgjegjësia e Parkut të Butrintit t’ì ngelet shtetit, dhe se organizata e krijuar për të zbatuar planin e Menaxhimit të Integruar, nuk është tjetër veçse një “agjent” i Ministrisë së Kulturës dhe që funksionon në pajtim të një marrëveshje përmes tyre. Isha shumë i pakënaqur kur mësova për administruesit e fondacionit të sapokrijuar, pasi kuptova se projekti ynë me synim të mirë u rrëmbye ose u mashtrua pa dashje. Është e qartë se bordit të ngritur i mungon ekspertiza e nevojshme për të zbatuar në mënyrë efektive Planin e Menaxhimit të Integruar dhe për të mbikëqyrur punët e Butrintit.

Organizata e krijuar për të zbatuar Planin e Menaxhimit të Integruar dhe për të drejtuar operacionet e përditshme të biznesit duhet të ketë një objektiv më të madh: që është të mbledhë të gjithë historianët dhe arkeologët kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të rishkruar historinë e Butrintit dhe për ta paraqitur atë në botë si Buthrotum i antikitetit. Qytet ilir, dhe jo thjesht si një vend i kolonisë greke dhe një qytet romak. Natyrisht, një qytet i vjetër, gjatë historisë është pushtuar ose sunduar nga një sërë perandorish, duke përfshirë edhe atë greke dhe romake, por kjo nuk e ndryshon origjinën dhe vërtetësinë e tij. Është një fakt historik i njohur se Buthrotumi ose Butrinti i sotëm, qytet i fisit Epirot të Kaonëve, ka qenë i banuar që në kohërat parahistorike. Është gjithashtu një fakt i vërtetuar historik se Epirotët (Kaonët, Molosët dhe Dhesprotët)

ishin fise ilire, gjuha e tyre ishte një dialekt shqiptar dhe mbreti i tyre i famshëm Pirro (në shqip Piros) është një nga mbretërit ilirë më të njohur. Kjo pjesë e fundit kontestohet nga Greqia moderne për të justifikuar pushtimin e Çamërisë dhe pretendime të tjera. Identiteti historik nuk është e vetmja gjë që u vodh nga Butrinti. Dy statuja të lashta prej mermeri të Artemidës dhe Apollonit, së bashku me shumë gjetje nga gërmimet e mëparshme, u vodhën. Për fat, dy statujat u gjetën në Greqi dhe u kthyen në Shqipëri. Hapja e Shqipërisë tërhoqi shumë institucione të huaja të interesuara për të gërmuar në Butrint, por jam skeptik nëse ata kishin një synim të sinqertë për të zbuluar të vërtetën, apo për të vënë një vulë greko-romake në këtë vend të madh arkeologjik dhe kulturor shqiptar me rëndësi ndërkombëtare. Qeveria shqiptare duhet të jetë e kujdesshme me kë do të hyjë në partneritet për të menaxhuar Parkun Kombëtar të Butrintit dhe si bëhet ajo. Mendoj se bordi i parashikuar siç është propozuar nuk e ka ekspertizën apo edhe vullnetin për të zbardhur të vërtetën për Butrintin dhe për ta shfaqur atë në Botë si një trashëgimi historike dhe kulturore shqiptare. Është e trishtueshme, sepse me zbatimin e një Plani të Menaxhimit të Integruar të mirë-projektuar dhe të zbatuar mirë, shpresoja se do të bëhej një Roseta Stone për vendet e tjera historike dhe kulturore në Shqipëri—e jo ajo ç`ka doli, një Trojan Horse (Kalë Troje).

Si përfundim, i qëndroj deklaratës sime të mëparshme se bordit nuk i janë paraqitur të gjitha faktet dhe dokumentet në lidhje me këtë projekt; përndryshe, ne mund të kishim vepruar ndryshe. Një keqkuptim i projektit, mungesa e transparencës dhe përjashtimi i ekspertizës vendore nga drejtuesit e AADF-së luajtën një rol kyç në zhgënjimin e publikut me AADF-në për përfshirjen e saj në zonat e trashëgimisë së Butrintit. Ndonëse ka mjaft faj për të ndarë, individët, që duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë fatkeqësi janë dy bashkëdrejtorët dhe kryetari i bordit të AADF-së, sepse ata keqmenaxhuan atë që supozohej të bëhej një projekt i mrekullueshëm.

Referencat:

[1] “Operational Guidelines for the Implementation of the World Heritage Convention.” UNESCO, WHC.21/01, July 31, 2021.

2 “Operational Guidelines.” UNESCO.

3 “Quick History of the National Park Service.” nps.gov. Retrieved May 28, 2022, from: https://www.nps.gov/articles/quick-nps-history.htm#:~:text=On%20August%2025%2C%201916%2C%20President,those%20yet%20to%20be%20established..

4 “The Criteria for Selection.” UNESCO.org. Retrieved May 28, 2022, from https://whc.unesco.org/en/criteria/.

5 Carbone, Fabio. “An insight into cultural heritage management of tourism destinations.” ResearchGate.net. Retrieved May 27, 2022, from: https://www.researchgate.net/figure/Proposed-Theoretical-Approach-to-the-analysis-of-the-Cultural-Heritage-Quality-Management_fig2_309311272.

6 Seaman, Bruce Alan. “The Role of the Private Sector in Cultural Heritage.” ResearchGate.net. January, 2013. Retrieved May 27, 2022, from: https://www.researchgate.net/publication/262048135_The_Role_of_the_Private_Sector_in_Cultural_Heritage.

7 Seaman, “The Role.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: