Ish-deputetja e LSI-së, Silva Caka përmes një deklarate nga selia akuzoi qeverinë për punësime partiake.

Sipas saj, ndërkohë që shqiptarët po vdesin nëpër spitale, ‘Rilindja’ harxhon 92 mln euro për militantët.

Deklarata e plotë e ish-deputetes së LSI, Silva Caka

Si çdo premtim i dhënë dhe i pambajtur i Edi Ramës, edhe Reforma Administrative-Territoriale, u zhyt në gropën e korrupsionit dhe kriminalizimit qeveritar!
Reforma Administrative-Territoriale u nis me qëllimin e shkurtimit të shpenzimeve administrative, të një administrate të tejmbushur, e cila nuk ofronte shërbime për qytetarët. Me një llogari të thjeshtë, Edi Rama premtoi se me këtë reformë, do të kurseheshin 60 milionë euro në vit.
Por nëçfarë situate ndodhemi sot?
60 milionë euro jo vetëm që nuk u kursyen, por u shpenzuan 92 milionë euro për të paguar militantët e Rilindjes, të cilët shkojnë në zyrat e shtetit vetëm për të hartuar baza me të dhënat e qytetarëve e këto të fundit t’i përdorin në zgjedhje, për të keqtrajtuar qytetarët, të cilët enden për të marrë shërbimet që vetë i paguajnë dhe për të rritur shifrat e korrupsionit në nivele alarmante. Pra, dëmi i shkaktuar dhe fitimi i munguar i shqiptarëve, kap shifrën e 152 milionë eurove, me të cilat shqiptarët mund të kishin përfituar shumë shërbime.
E meqë jemi në një situatë të vështirë për shkak të pandemisë, pa asnjë dyshim mund të themi se me këto para mund të kishim ndërtuar 3 spitale me standarte të larta, për të përballuar shifrat në rritje të të prekurve nga virusi.
Me kaq shumë para, mund të kishim kryer testimin e gjithë popullatës, duke parandaluar deficencën e ofrimit të shërbimeve shëndetësore ndaj qytetarëve.
Me kaq shumë para, mund të kishim parandaluar nga falimenti dhe mbyllja, mijëra biznese, të cilat dështuan, duke nxjerrë në rrugë mijëra të papunë.
Me kaq shumë para, edhe nëse shërbimi do të tenderohej, mund të ishin ndërtuar të paktën 2000 apartamente të reja, të cilat do të strehonin 2000 familje që mbetën pa shtëpitë e tyre, pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar.
Por Edi Ramës nuk i intereson asgjë nga këto; Edi Ramës nuk i intereson nëse qytetarët hyjnë në spitalet shqiptare e nuk dalin më të gjallë prej andej, për shkak të mungesës së kapaciteteve spitalore; Edi Ramës nuk i intereson nëse bizneset dështojnë dhe mbyllen çdo ditë; Edi Ramës nuk i intereson nëse qytetarët mbeten çdo ditë pa punë; Edi Ramës nuk i intereson as nëse shqiptarët flenë ende nëpër çadra. Edi Ramës i intereson të pasurohet vetë dhe të mbajë në bordero militantët e Rilindjes.
8100 vende pune për militantët e Rilindjes, të cilët shpërdorojnë paratë e shqiptarëve.
92 milionë euro të çuara dëm, pa ofruar asgjë në këmbim të tyre, sepse kjo është filozofia e Rilindjes: Shërbime jo, grabitje masive të parave po!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: