Ministri i jashtë në detyrë, Gent Cakaj bën me dije se qeveria shqiptare do të financojë hapjen e zyrave të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Medvegjë.

Ky vendim vjen pasi po Shqipëria financoi shpërndarjen falas të teksteve shkollore për nxënësit e Luginës së Preshevës.

Cakaj thotë se ky është një hap i domosdoshëm, por i pamjaftueshëm, teksa garanton se Shqipëria do të vijojë të ruajë dhe mbështesë të drejtat e shqiptarëve të Medvegjës.

STATUSI NGA GENT CAKAJ
Edhe një punë fort domethënëse për Luginën e Preshevës ???…

Pas mbështetjes financiare për shpërndarjen falas të materialeve shkollore për nxënësit shqiptarë në Luginën e Preshevës, Qeveria e Shqipërisë tani ka vendosur të ndajë edhe mjetet e nevojshme financiare për hapjen e zyrave të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Medvegjë.

Shqiptarët e Medvegjës, sot, kanë nevojë të jashtëzakonshme për praninë e Këshillit dhe mbështetjen e Shqipërisë, veçanërisht në përballjen e tyre me çështjen e pasivizimit të adresave dhe para sfidës madhore për ruajtjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare.

Ndaj, përballë këtyre sfidave historike të shqiptarëve të Medvegjës, ne duhet të marrim përgjegjësitë politike për t’i mbështetur edhe institucionalisht ata.

Mbështetja e Shqipërisë për hapjen e zyrave të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Medvegjë është e domosdoshme, por e pamjaftueshme. Kjo shënon thjesht fillimin e një pune më të thellë e sistematike për ruajtjen e të drejtave e mbështetjen e fortë edhe për shqiptarët e Medvegjës…

#JemiNjë

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb