Gjatë vizitës zyrtare në Kosovë, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një takim me Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Në takim, bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera e vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës. Gjithashtu, theksuan rëndësinë e konkretizimit të Partneritetit Strategjik e gjithëpërfshirës mes Shqipërisë dhe Kosovës, si një model për inkurajimin e bashkëpunimit rajonal.

Në komunikatën për shtyp, të zhvilluar gjatë takimit, Presidenti Thaçi vlerësoi punën e deritanishme të Cakaj në krye të diplomacisë shqiptare, duke u shprehur: “Unë mendoj se Ministri Cakaj, me të vërtetë i ka dhënë një dinamikë të re, një shpirt të ri, kësaj fryme, këtij afirmimi, e konsolidimi të shtetit të Kosovës kudo në botë, në çdo instancë ndërkombëtare ku merr pjesë Republika e Shqipërisë.”

Gjithashtu, ai u shprehu mirënjohjen e tij ndaj qeverisë shqiptare dhe të gjithë institucioneve të Republikës së Shqipërisë për qëndrim unik që kanë për Republikën e Kosovës.

Nga ana tjetër, Cakaj në fjalën e mbajtur theksoi: “Kemi qenë të angazhuar në çështjen e njohjeve të Kosovës, me të gjitha kapacitetet që kemi pasur. Jemi munduar ta bëjmë më të mirën, për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe po ashtu në forumet shumëpalëshe, jemi kujdesur që aty ku Kosova nuk ka prani, ne të jemi zëri i Kosovës dhe të adresojmë të gjitha çështjet që e ngarkojnë agjendën e saj.”

Gjithashtu, Kryediplomati shprehu gatishmërinë për vazhdimin e projektit të vendosjes së Ambasadave të përbashkëta e hapësira të përbashkëta në Konsullata, vazhdimin e projekteve për këmbimin e personelit diplomatik dhe po ashtu krijimin e një agjende politike të koordinuar mes vendeve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb