Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, priti në një takim drejtuesit e organizatës joqeveritare “Drejtësi për të Gjithë”, Vasfije Krasniqi-Goodman dhe Nafi Krasniqi.

Në këtë takim, drejtuesit e organizatës e informuan më gjërësisht Ministrin Cakaj mbi angazhimin e tyre në shërbim të kauzës madhore të zbardhjes së krimeve
të luftës në Kosovë, si dhe promovimit të vlerave dhe lirive themelore.

Cakaj në një reagim në facebook lidhur me takimin e zhvilluar, u shpreh se Serbia ka dështuar në adresimin e krimeve të luftës, spastrimit etnik dhe gjenocidit në mënyrë të qëllimshme dhe për arsye politike.

Gjithashtu, ai pohoi se vendosja e drejtësisë së plotë dhe procesi i pajtimit të qëndrueshëm përbëjnë interes jetik për rajonin në tërësi.

“Puna në funksion të kësaj kauze, na detyron të gjithëve së bashku në përgjithësi dhe secilin prej nesh në veçanti. Mbetem tejet i frymëzuar nga kurajo e tyre për të rrëfyer të vërtetën, pavarësisht pasojave dhe për të punuar në shërbim të drejtësisë si faktor thelbësor i pajtimit.” – theksoi Ministri Cakaj.

Në përfundim, Ministri Cakaj shprehu gatishmërinë e tij, për mbështetjen e kësaj kauze në mënyrë sistematike në vazhdimësi. Ai gjithashtu shprehu angazhimin për mbështetje të pakursyer për Republikën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb