TIRANE- Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, priti në takim një delegacion të lartë të Guardia di Finanza të kryesuar nga Gjeneral Brigade Stefano Screpanti dhe i shoqëruar nga Kolonel Joselito Minuto i Guardia di Finanza, Nënkolonel Luca De Paolis Guardia di Finanza si edhe dhe Drejtori i Interforcës në Shqipëri Dr. Michele Grillo.

Qëllimi i takimit ishte konfirmimi i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy shërbimeve policore dhe shprehja e gatishmërisë së palës italiane për fuqizimin e kontingjentit Italian të Guardia di Finanza, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe kultivimit e trafikimit të lëndëve narkotike.
Delegacioni do të inspektojë kontingjentin e Guardia di Finanza në Durrës dhe Vlorë, që operon në Shqipëri prej disa vitesh.

Në takimin e sotëm të Drejtorit të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Haki Çako me Gjeneralin e Brigadës së Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanza u fol për bashkëpunimin e frytshëm që ekziston ndërmjet dy shërbimeve policore të Shqipërisë dhe të Italisë, i cili karakterizohet nga veprimtari konkrete prej shumë vitesh.

Këto veprimtari në të gjitha fushat dhe në veçanti në fushën e mbuluar nga Guardia di Finanza duke përfshirë veprimtarinë e përbashkët në hapësirën detare, por edhe në misionet e përbashkëta ajrore si monitorimi i territorit me avionë të posaçëm janë shprehje e një bashkëpunimi të ngushtë. Nga ana e palës italiane u shpreh gatishmëria për një përforcim të kontingjentit prezent në Shqipëri në shenjë të forcimit të aktiviteteve të përbashkëta për parandalimin dhe goditjen e fenomeneve të paligjshme.

Drejtori i Policisë së Shtetit falënderoi palën italiane për përkushtimin dhe gatishmërinë e konsoliduar tashmë ndërmjet dy shërbimeve policore duke e vënë theksin në faktin se niveli i bashkëpunimit i arrirë kohët e fundit mund të thuhet se është më i miri i arritur ndër vite.
“Konkretisht, shkëmbimi në kohë reale i informacionit ndërmjet dy vendeve dhe shkalla e operativitetit është mjaft e lartë dhe këtë nivel jo vetëm që do ta ruajmë por do ta rrisim akoma më shumë”- u shpreh Çako. Delegacioni i Guardia di Finanza do të vijojë vizitat inspektuese në kontingjentin e Guardia di Finanza në Durrës dhe Vlorë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: