NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE-
Qeveria ka miratuar disa ndryshime në lidhje me pagesat e Komisionit Mjekësor të Përcaktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP), Komisionet për Përcaktimin e Verbërisë si dhe Komisionin Epror Mjekësor për Caktimin e Aftësisë për Punë. Pagesat mujore për kryetarët e këtyre komisioneve variojnë nga 20- 25 mijë lekë në muaj, pavarësisht numrit që mblidhet herëve komisioni, ndërsa për anëtarët e komisioneve është 15 mijë lekë deri në 20 mijë lekë në muaj për komision epror.

Këto komisione janë në varësi të Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Shërbimit Social Shtetëror dhe janë të shpërndara në 61 bashkitë e vendit. Pranë KMCAP bëhet vlerësimi i personave me aftësi të kufizuar, paraplegjikë dhe tetraplegjikë si dhe invalidët e punës, në mënyrë që të përfitojnë pagesën e paaftësisë. Po ashtu, bëhet edhe vlerësimi i personave që janë të aftë për punë apo për efekt dokumentacioni. Kryesisht këto komisione përbëhen nga 3-5 anëtarë.

VENDIMI
Në datë 13 korrik, Këshilli i Ministrave ka miratuar disa ndryshime në vendimin “Për përcaktimin e masës së shpërblimit të anëtarëve të këshillave, bordeve ose komisioneve të njësive të qeverisjes qendrore”, të ndryshuar”. Në bazë të këtij vendimi, kryetarët e Komisioneve Mjekësore që bëjnë vlerësimin për Aftësinë në Punë (KMCAP) dhe vlerësimin e verbërisë do të paguhen me 20 mijë lekë në muaj, pavarësisht numrit të mbledhjeve të komisionit. Anëtarët e komisioneve do të paguhen me 15 mijë lekë në muaj.

Kryetari i komisionit Epror Mjekësor do të paguhet me 25 mijë lekë në muaj, ndërsa anëtarët e këtij komisioni masën e shpërblimit mujor e kanë 20 mijë lekë në muaj. “Në pikën 5, të vendimit nr.418, datë 27.6.2012, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:1. Shkronjat “c” dhe “ç” riformulohen, si më poshtë vijon: c) Për Komisionin Rajonal Mjekësor për Caktimin e Aftësisë për Punë, në varësi të Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe për Komisionin Mjekësor Qendror për Përcaktimin e Verbërisë, në varësi të Shërbimit Social Shtetëror, masa e shpërblimit është 20 000 (njëzet mijë) lekë në muaj për kryetarin dhe 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj për anëtarin, pavarësisht nga numri i mbleç) Për Komisionin Epror Mjekësor për Caktimin e Aftësisë për Punë, në varësi të Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe të Shërbimit Social Shtetëror, masa e shpërblimit është 25 000 (njëzet e pesë mijë) lekë në muaj për kryetarin dhe 20 000 (njëzet mijë) lekë në muaj për anëtarin, pavarësisht nga numri i mbledhjeve të kryera në një muaj;”.2. Shkronja “d” shfuqizohet.”-përcaktohet në vendimin e qeverisë të miratuar të mërkurën e datës 13 korrik.

Pika që shfuqizohet kishte të bënte me pagesat për Komisionin Mjekësor Qendror për Përcaktimin e Verbërisë, i cili në këtë vendim të ri të qeverisë është përmbledhur në pikën “c”. Pagesat për anëtarët e këtij komisioni nuk ndryshojnë, mbesin në nivelin e mëparshëm. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: