TIRANË

Ashtu siç pritej do të jetë Kuvendi që do të hedhë shortin për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. 7 dhjetori është përcaktuar si data kur Kuvendi i Shqipërisë do të hedhë shortin për KED, kjo pasi Presidenti i Republikës Ilir Meta njoftoi më 26 nëntor se nuk mund ta hidhte shortin për shkak të vakumit ligjor.

“Për shkak të vakumit ligjor nuk e hedh dot shortin e KED. Ndërhyni në ligj ose në të kundërt hidheni vetë shortin sipas precedentit të vjetshëm”, thuhej në shkresën e presidentit drejtuar Kuvendit.

Ndërkohë Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku ka dorëzuar dy lista për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Pas hedhjes së shortit dhe konstituimit të KED, pritet të plotësohen dhe 7 vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, institucion që aktualisht është jashtë funksionit për shkak se gjyqtarët dolën jashtë sistemit pasi nuk kaluan dot vettingun në drejtësi.

Ndërkohë që kryeministri Edi Rama por edhe përfaqësues të tjerë të maxhorancës janë shprehur se Kushtetuesja do të jetë në funksion së shpejti.

NJOFTIMI I KUVENDIT
Në mbështetje të pikës 3 të nenit 149/d, dhe nenit 284 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, Kryetari i Kuvendit, me Urdhrin Nr.1, datë 3.12.2018, ka vendosur hedhjen e shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në datën 7 dhjetor 2018, ora 10:00, në ambjentet e Kryesisë së Kuvendit.

Shorti është i hapur dhe zhvillohet në prani të:
-Avokatit të Popullit;
-përfaqësuesve nga Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë;

-përfaqësuesve të grupeve parlamentare;
-anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Monitorimit;
-përfaqësuesve të përfaqësive të huaja diplomatike të akredituara në Republikën e Shqipërisë dhe organizatave partnere ndërkombëtare,
-medias.

Bashkëlidhur Urdhri nr.1, datë 3.12.2018 i Kryetarit të Kuvendit, për datën dhe orën e organizimit të shortit, dhe Urdhri nr. 2, datë 3.12.2018, i Kryetarit të Kuvendit “Për përcaktimin e procedurës dhe rregullave të hedhjes së shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (të përkohshëm)”

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb