Akademikja dhe profesoresha Floresha Dado e pyetur nga gazetarja Fatmira Nikolli për çështjen e dokumenteve të dala për Ernest Koliqin e Martin Camajn, që i implikojnë me agjenturat e huaja ka dhënë qëndrimin e saj.

“Sa herë hapet debat rreth figurave të shquara të kulturës sonë, ka një prirje për të mos kuptuar me objektivitet historinë për të risjellë sa më shumë hije në figura të vyera të kulturës sonë… Nëse dokumentat janë ashtu si i ka paraqitur z.Tare atëherë pse turremi të ‘mbrojmë’, të ngrejmë debat të kotë! Sepse ekziston akoma i njëjti mentalitet komunist” -thotë Dado.

Sipas saj, dikush që del në dokumente kundër rregjimit komunist, ishe agjent armik…? Po a nuk jemi sot të gjithë kundër atij rregjimi ? Pra gjykimi është gjithnjë historik. Nga ana tjetër, nëse dikush ishte ‘agjent’ kundër pushtetit të E.Hoxhës, kjo nuk e fshin vlerën historike të veprës letrare, të aktivitetit kulturor në shërbim të Shqipërisë…”, thotë akademikja, studiuese e letërsisë.

Dado thotë se “dhe sot janë konfirmuar këto vlera të medha, si të Camajt ashtu dhe Koliqit, duke i ditur gjithë aspektet e aktivitetit të tyre në kontekste historike të caktuara. Faktet ‘e reja’ nuk zbulojnë ndonjë gjë të padëgjuar. Le të jenë dhe të merren në konsideratë kur shkruhen monografi shkencore për jetën dhe veprimtarinë e këtyre dy autorëve që sot janë rivleresuar nga shkenca jonë letrare”. Në fund, ajo thotë: Ju lutem, mos ngrini debate që s’kanë ndonjë vlerë të re.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb