TIRANË- Kreu i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet Shpëtim Idrizi ka folur sot nga studio e News24 në rubrikën “Opinion” për çështjen çame dhe deklaratat e Presidentit grek Pavlopoulos se çamët kanë bashkëpunuar me nazistët.

Idrizi e cilësoi arrogante deklaratën e presidentit grek dhe thotë se ai u kthye në vendin e krimit ku janë vrarë qindra burra e gra çame, në Paramithi.

Gjithsesi Idrizi tha se plaku Pavlopoulos është trimëruar nga ndryshimi i qëndrimit të qeverisë greke, ose “idiotët e dobishëm të Tiranës”, ndërsa shtoi se po pritet një reagim nga Presidenti i Republikës, raporton “BalkanWeb”.

“Ajo deklaratë është e papranueshme dhe arrogante. U bë në Paramithi të Çamërisë ku u mashtruan 72 krerë të Çamërisë me okupimin e saj, apo në 1944 u masakruan 600 burra e gra. Pra ai u kthye në vendin e krimit.
Rruga e integrimit kalon nga Brukseli, Uashingtoni dhe assesi nga Athina. Dhe për shqiptarët e Çamërisë është një çështje nderi dhe drejtësie. Pavlopoulos duhet të jetë i ndershëm. Mjafton që të na nxirrni një foto apo një provë që shqiptarët e Çamërisë kanë kryer një krim. Tragjedia mbi shqiptarët e Çamërisë ka nisur që në vitin 1913 dhe ka vijuar në mënyrë sistematike.
Më vjen keq qe ne asnjëherë nuk kemi akuzuar as qeverinë greke as popullin grek. Presidenti grek vetë u bë pasardhës i Napolon Zervës. Ata që bashkëpunuan me fashistët i ka në parlamentin e Greqisë apo në ministrinë e mbrojtjes, Kameno.
Nëse ka pasur ndonjë qeveri që ka bashkëpunuar me gjermanët kanë qenë qeveritë greke. Ajo që më bën përshtypje është heshtja e shtetit shqiptar. Po presim akoma një përgjigje nga Presidenti, kryeministri apo ministri.
Për shkak të ndryshimit të sjelljes në 360 gradë që ka kjo qeveri është bërë arrogant dhe plaku Pavlopoulos. Qeveria shqiptare duhet të hapë me urgjencë debatin publik për Çamërinë”, deklaroi Idrizi.

Kreu i PDIU-së i kujtoi presidentit grek presidentin çek Havel.
“Duhet t’i kujtoj Pavlopoulos që të kthehet minimalisht në pozicionin e një burri të madh siç është presidenti Havel i Çekisë, i cili dhe për pjesëmarrjen e studentëve kërkoi falje publike. Pavlopoulos nuk është në atë nivel, ai po vetëakuzohet. Po trimërohet nga idiotët e dobishëm të Tiranës.
Një shtet që nuk njeh gjenocidin, që nuk njeh Kosovën duan ta bëjnë partner strategjik”, tha Idrizi.

I pyetur se çfarë po ndodh me marrëveshjen mes Greqisë e Shqipërisë, Idrizi tha se të gjitha sinjalet, informacionet i marrin nga shteti grek, nga presidenti apo ministri Kotzias, Kamenos etj.

“Ne jemi adresuar ministrit Bushati për të kuptuar më shumë se çfarë ka bërë për rezolutën çame për kërkesat e çamëve dhe jo vetëm që nuk kemi marrë një përgjigje por ministri Bushati nuk ka denjuar të takojë as shoqatën ‘Çamëria’ as PDIU-në kur deri dje takoheshim dy herë në ditë.
Pjesa më e madhe e marrëveshjes greke është kryer tashmë. Kemi marrëveshjen e toponimeve. Kanë bërë sot ligjin për minoritetet ku Shqipëria del për herë të parë me 9 minoritete, duke zgjeruar edhe konceptin e zonës minoritare. Nuk e mendoja kurrë që për Edi Ramën dhe Bushatin të masakruarit e Çamërisë nuk vlejnë njësoj si ushtarët grekë”, deklaroi Idrizi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb