Në shumë raste fëmijët shqiptarë e fillojnë futbollin në të njëjtën kohë me hedhjen e hapave të parë. Dëshira e fëmijëve këtu nuk është blerja e një I-phoni apo loje tjetër, por ajo e blerjes së një topi dhe pjesëmarrjes në një shkollë futbolli. Por ndonjëherë mundësitë janë të pakta. Ish kapiteni i Kombëtares Lorik Cana ka ftuar Elvis Naçin për të parë nga afër një projekt, për të cilin ai është veçanërisht shumë krenar. Ata shkuan së bashku në një kopsht publik për të marrë pjesë në një lojë futbolli me vogëlushët.

Lorik Cana është i angazhuar aktualisht me fondacionin që mban emrin e tij. Një ndër projektet ka të bëjë me ndërtimin e infrastrukturës sportive në kopshtet publike, me synim masivizimin e pjesëmarrjes në sport për një jetë më të shëndetshme.

Ish-kapiteni i Kombëtares Shqiptare i tha Elvisit se aktivitet sportive janë përsëri të pakta për fëmijët, por ai po përpiqet sa më shumë, sidomos përmes fondacionit t’i bëjë fëmijët “njësh me sportin”.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Loriku dhe Elvisi ishin trajnerët përkatës të fëmijëve, vajza dhe djem, të cilët me brohërima gjuanin topin dhe festonin kur shënonin gol.

Loja u bë sfiduese kur Cana kishte dyshime për një gol, në mungesë të sistemit VAR. Loriku e pa edhe njëherë golin e shënuar të xhiruar nga kamera e News 24. Ishte gol! Kur shënonin vogëlushët festonin me trajnerët e tyre.

Por gara këtu u bë më e fortë Elvisi dhe Loriku “konkuruan” në 11 metërsha.

Elvisi pyet Lorikun sesi i erdhi ideja për të krijuar një projekt të tillë pikërisht për moshat parashkollore.

“Para se ta mbyllja karrierën kam menduar për fondacionin. Kemi parë program të ngjashme në Europë dhe botë për parashkollorët. Zgjodhëm kopshtet publike si ky në Tiranë, ku ka shumë frekuentim. Kam disa kushte para se të realizoj projektin, drejtuesit e kopshtit duhet të jenë njerëz të apasionuar për të punuar më fëmijët, hapësira brenda kopshtit të jetë e mjaftueshme për të ndërtuar fushën e futbollit. Shikojmë fëmijë që vetëm rrinë brenda mureve, duke i përfshirë në programe të tilla, fëmijët heqin frikën, zhvillojnë personalitet, forcojnë vetëbesimin. Një ditë ne do plakemi, përse mos ta lëmë këtë vend më të mirë” shprehet Lorik Cana. “Ne i duam shumë njerëzit që i përkushtohen fëmijëve” i kthen Elvisi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb