Nga: JETON SELIMI*
TIRANE – Lorik Cana i ka dhënë fund ‘telenovelës’ së tij në lidhje me emrin e skuadrës së re, teksa i është bashkuar projektit të Nantës. Skuadra e “kanarinave”, dikur një emër i madh në kampionat, sot kërkon të ringrihet në nivelet e dikurshme, por më parë duhet të fillojë të mbijetojë në kampionat. Ndaj, për të bërë diçka të tillë, eksperienca nuk duhet lënë kurrë mënjanë. Për këtë arsye, klubi i presidentit Valdemar Kita zgjodhi Lorik Canën, kapitenin e Shqipërisë, që rikthehet të luajë në kampionatin francez pas 6 vitesh, teksa më parë ka veshur fanellat e dy klubeve më të mëdhenj, Paris Sen Zhërmenit dhe Marsejës. Nga Trevizo, ku është grumbulluar së bashku me pjesën tjetër të kuqezinjve, Lorik Cana thekson se është i lumtur për rikthimin e tij në Ligue 1. “Jam i kënaqur për arritjen e kësaj marrëveshjeje. Është folur dhe për skuadra të tjera, por në fund zgjodha Nantën, sepse dhe drejtuesit e këtij ekipi e dëshironin shumë një marrëveshje të tillë. Jam i lumtur që do të rikthehem të luaj në Francë, aty ku kam hedhur hapat e mi të parë si profesionist, madje edhe pata kulmin si futbollist”. Më pas, Loriku arsyeton edhe zgjedhjen e tij, që me sa duket mbeti dhe një zgjedhje disi e detyruar, pasi Lacio nuk ka dashur që ta humbë lojtarin me parametër zero. “Në fakt, zgjedhja e FC Nantës u kushtëzua disi dhe nga pengesat e krijuara nga klubi i Lacios. Për fat, gjithçka u mbyll para grumbullimit të Kombëtares dhe tashmë mund të stërvitem qetësisht me përfaqësuesen për t’i përgatitur sa më mirë këto sfida”, – shton Cana.
Më pas i vjen radha Danimarkës, kundërshtarit të radhës të Kombëtares së Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt Europianit “Francë 2016”. Megjithatë, Loriku, si kapiten i vërtetë, kërkon ta largojë presionin nga shpatullat e shokëve të ekipit. Ai e di shumë mirë se një rezultat pozitiv në Kopenhagen do të ishte një tjetër gur themeli në ëndrrën e tifozëve për ta parë fanellën e Kombëtares në një eveniment të madh futbollistik, por kërkon të largojë tensionin para 90-minutëshit të “Parkenit”. “Më shumë se më 4 shtator shpresojmë të festojmë më 11 tetor, kur do të jetë ndeshja e fundit. Nëse festojmë më 11 tetor, do të thotë se jemi kualifikuar për në Europian”, – saktëson Lorik Cana, që njihet për karakterin e tij të fortë. Shpesh Cana bën rolin e motivuesit të kuqezinjve, teksa mban fjalime para dhe pas takimeve, ndërsa duket se edhe kësaj radhe nuk do të heqë dorë nga tradita e tij. Sidoqoftë, ai nuk ua shuan kërshërinë mediave, teksa nuk jep detaje rreth tyre, ndonëse e pranon se motivimi pas këtyre fjalimeve është vërtet i madh. “Po, fjalimet besoj se mbeten mes meje dhe skuadrës. Realisht, në të tilla ndeshje thuhen përgjithësisht të njëjtat gjëra, por nuk besoj se djemtë kanë nevojë për fjalime të posaçme, pasi ajo që i motivon më shumë se çdo gjë është veshja e fanellës së Kombëtares. Ajo të jep zemër e të bën luan në fushë”, – përfundon kapiteni i përfaqësueses së të gjithë shqiptarëve, Lorik Cana.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb