Agim Canaj ka drejtuar Skënderbeun një dekadë më parë. Ish-trajneri rikthehet të flasë për “Panorama Sport”, teksa shikon Partizanin favorit për të fituar ndaj korçarëve. Canaj mendon se diferencën do ta bëjë mesfusha, aty ku sipas tij po çalojnë kampionët në fuqi.

Zoti Canaj, çfarë ndeshjeje prisni në Partizani-Skënderbeu?

Është një ndeshje shumë delikate për të dyja skuadrat. Në këtë sfidë direkte, më shumë se tri pikë, vlen ecuria e mëtejshme. Skënderbeu vjen pas tri barazimesh radhazi dhe ka nisur një kurbë zbritjeje, qoftë në lojë dhe rezultate.

Nga ana tjetër, Partizani ka një ngritje të dukshme dhe nëse e kalon këtë takim, do të jetë pa diskutim rivali kryesor i Kukësit për titullin. Nëse do të ndodhë e kundërta, që Skënderbeu të marrë pikë në kryeqytet, jam i bindur se do t’i bëhet nder i madh Kukësit, që në letër e ka më të lehtë ndeshjen e radhës.

Sa do të vendosë ky takim për titullin?

Në një ndeshje si Partizani-Skënderbeu, fitorja vlen gjashtë pikë, pasi ka të bëjë shumë edhe aspekti psikologjik për vazhdimësinë e kampionatit, duke pasur parasysh edhe tensionin që krijohet. Ky tension kalon në sensin negativ. Edhe këto javët e fundit, që kampionati ka qenë pushim, kemi parë një klimë të tensionuar te Skënderbeu. Në kuptimin sportiv, te korçarët është rritur niveli i gjaknxehtësisë, pasi kërkohet me patjetër një rezultat pozitiv.

Kush mendoni se do ta bëjë diferencën nga lojtarët?

Së pari, unë mendoj se Partizani psikologjikisht është më mirë se Skënderbeu. Është një skuadër që i ka thyer korçarët edhe në transfertë. Një faktor shumë i rëndësishëm është që në të gjitha ndeshjet e fundit mes Partizanit dhe Skënderbeut ka rënë në sy fitimi i dyluftimeve nga lojtarët e kuq. Pra, ka fituar duelet në luftën e afërt dhe në fazën mbrojtëse, duke ditur të godasë Skënderbeun me kundërsulm. Kjo është arma e fortë e Partizanit, por që unë dua ta cilësoj edhe si një skuadër më eksperte në ndeshjet direkte.

Starova apo Daja, kush mendoni se do të guxojë më shumë?

Starova ka një fizionomi loje dhe është më i prirë sa i përket anës taktike. Pra, me një mesfushë të ngjeshur dhe kundërsulm të shpejtë pas fitimit të topit. Kjo e ka bërë Partizanin efikas edhe në ndeshjet që kanë kaluar. Ndërsa te Skënderbeu i Dajës ajo pikë që çalon më duket mesi i fushës dhe po ta shikosh ka pasur lëvizje lojtarësh. Skënderbeu asnjëherë nuk ka gjetur ekuilibrin e duhur, prandaj dhe e shikoj Partizanin të avantazhuar në repartin e mesfushës.

Fakti që rivali direkt, Kukësi, do të luajë disa orë para, sa ndikon te Partizani dhe Skënderbeu?

Po, kjo influencon shumë në psikologjinë e çdo skuadre. Nëse Kukësi fiton ndaj Luftëtarit, atëherë Partizani dhe Skënderbeu do të kenë një presion të madh për pikë. Ndonjëherë kjo bën që edhe loja të mos jetë e bukur, por të luftohet me pragmatizëm, duke shfrytëzuar episodet.

A mund të na bëni një parashikim për rezultatin?

Partizanit i jap 5% më shumë avantazh, sepse luan në shtëpi dhe e gjen Skënderbeun të goditur psikologjikisht. Korçarët kanë pësuar gola të thjeshtë në ndeshjet e fundit dhe kjo ka për të ndikuar edhe sot./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: