TIRANE- Numri një i financave, Shkëlqim Cani, tha sot se Ministria e Financave së bashku me Bankën e Shqipërisë nuk mund ta ndajnë se kush e ka përgjegjësinë, por edhe kënaqësinë në ecurinë apo problemet që ka kreditimi i ekonomisë në tërësi.


I ftuar në konferencën ndërkombëtare: ”Kredia për ekonominë dhe diversifikimi i burimeve për zhvillimin e biznesit”, organizuar nga Instituti Kanadez i Teknologjisë (CIT) dhe Qendra për Kërkime Inovative dhe Zhvillim (CIRD), kreu i Financave Shqiptare evokoi një historik të kreditimit të ekonomisë dhe të biznesit, duke theksuar se: “kreditimi i ekonomisë është po aq i rëndësishëm për vendin sa edhe qeverisja”.

“Një ekonomi e pa kredituar zbeh shumë rezultatet e zhvillimit të vendit, sidomos kur rreth 80 për qind e PBB realizohet nga sektori privat – tha Cani, duke shtuar se,- “nga viti 2008, ndodhemi në një situatë tkurrje të kreditimit, me disa sinjale pozitive të dy tremujorëve të fundit për një rigjallërim, por akoma modest” dhe se: “Qeveria nuk e ka lënë asnjëherë pas dore kreditimin e ekonomisë, që në ditën e parë të ardhjes në pushtet, edhe pse ajo nuk jep vetë kredi dhe nuk ka ndikim në industrinë huadhënëse”.

Cani tha se aspekti makroekonomik, ai ligjor dhe fiskal janë fushat ku janë përqendruar përpjekjet e të gjithë aktorëve për të siguruar një ndryshim të gjendjes ekzistuese dhe gjetur zgjidhjet që çojnë përpara zhvillimin ekonomik të vendit.

Ministri i Financave tha se është ndalur përfundimisht rënia e rritjes ekonomike dhe po stabilizohet rritja e qëndrueshme, janë paguar e vijojnë të paguhen detyrimet e prapambetura, duke shlyer afër gjysmë miliardë dollarë detyrime të prapambetura.

Ministri u ndal edhe në efektin që duhet dhe mund të kishin dhënë në ekonomi, por sidomos në përmirësimin e kredive nën standarde, të quajtura rëndom edhe si “kredi të këqija” shlyerja e këtyre detyrimeve të ligjshme dhe shtoi se Ministria e Financave së bashku me Bankën e Shqipërisë, por edhe institucione ndërkombëtare si Banka Botërore, po shikojnë mundësinë e studimit të këtij fenomeni. Ministri ftoi akademikët dhe universitetet ta shikojnë këtë fushë edhe si pjesë konkrete të punimeve të tyre shkencore.

“Politikat e kujdesshme për stabilizimin makroekonomik dhe konsolidimin fiskal ulin riskun për investime afatgjata dhe kjo i shërben klimës për investime dhe sigurisë afatgjatë të çdo investitori dhe çdo huadhënësi”,- tha z. Cani në këtë konferencë shkencore.

Duke u ndalur në aspektet ligjore që janë marrë në konsideratë nga Qeveria Shqiptare për të përmirësuar kreditimin e ekonomisë, zCani tha se: “në bashkëpunim të ngushtë me sektorin bankar, u bënë rregullime për çështjen e write-off, si një rregullim që nuk e zgjidh çështjen, por është një përmirësim teknik që duhet të shkojë në krah me standardet”.

Në fjalën e tij ministri i Financave u ndal edhe tek përmirësimet në Kodin e Procedurës Civile për ekzekutimin e kolateralit, duke theksuar se tregu i shitblerjes së kolateraleve është i pazhvilluar dhe kjo e ka rritur riskun për bankat.

“Ne jemi të gatshëm për të dëgjuar propozimet konkrete legjislative (kur them këtë, nuk nënkuptoj vetëm ide, por propozime konkrete ligjore, të shkruara nga ekspertët më të mirë që bankat mund të ofrojnë), jemi gati të marrim dhe diskutojmë çdo  propozim që do të na ofrohet”, – tha ministri.

Duke u ndaluar më gjatë në aspektin financiar të mbështetjes që Qeveria Shqiptare iu ka ofruar dhe ofron bankave tregtare, ministri Cani tha se janë nënshkruar marrëveshje me FMN dhe BB, të cilat kanë përmirësuar imazhin e vendit, duke bërë që vlerësimet nga agjencitë ndërkombëtare të jenë pozitive dhe në përmirësim, gjë, sipas tij, sjell uljen e riskut për vendit dhe krijon një klimë më të mirë për kreditimin dhe rritjen e investimeve.

Ndërsa ka përmendur rregullin për moskrijim të detyrimeve të reja të papaguara, si një element pozitiv në vlerësimin e riskut të kredimarrësve për punët publike (“nuk do të ketë më vonesa pa afat për pagimin e punëve të kryera në kontratat me shtetin”- tha z. Cani), ministri i Financave ka lajmëruar se ka përfunduar huamarrja për buxhetin e shtetit në vlerën e 250 milionë eurove, me garanci të BB për 200 milionë euro, me qëllim të lehtësimit të bankave për kreditim të sektorit privat.

“Në mënyrë që t’i lëmë më shumë hapësirë bankave për kreditim të sektorit privat dhe jo vetëm të financimit të huamarrjes publike, vendosëm që, duke respektuar kufirin e miratuar për borxhin publik të vitit 2015, një pjesë të tij, ta zhvendosim nga “me burime të brendshme” në “me burime të jashtme”, sa kohë që kjo alternativë është me shumë interes dhe zbut presionin ndaj bankave për financimin e buxhetit”- nënvizoi ministri Cani.

Më pas në këtë konferencë shkencore u trajtuan çështje të rëndësishme të politikave aktuale të Ministrisë së Financave dhe të Qeverisë Shqiptare që kanë të bëjnë strategjinë kundër informalitetit, në një tërësi fushash e sektorësh të rëndësishëm të ekonomisë dhe të biznesit, të cilat janë duke u zhvilluar në front të gjerë për formalizimin e ekonomisë. U përcaktua se ky është kursi i ri i qeverisjes për të forcuar shtetin dhe krijuar klimë për biznes të ndershëm.

Ministri Cani, në këtë konferencë shkencore tha se, së bashku me Bankën e Shqipërisë, kanë zhvilluar një takim me bankat dhe institucionet mikrofinanciare, ku janë diskutuar problemet e kreditimit të ekonomisë. “Me FMN dhe BB gjithashtu kemi piketa të vendosura për ndryshime në të ardhmen, sepse duam që situata të ndryshojë, vendi të karakterizohet nga optimizmi, njerëzit të respektojnë rregullin dhe ligjin, shteti të jetë transparent dhe në shërbim të qytetarit dhe bankat të jenë aktorë të fuqishëm”, – tha në përfundim të fjalës së tij z. Shkëlqim Cani.

Në vijim në konferencë u theksua se kërkohet një rol më i madh i komunitetit akademik të vendit, që duhet të përfshihet në analizat për dobishmërinë e politikave që lidhen me financimin e zhvillimit të vendit, përdorimin dhe orientimin e instrumenteve të borxhit dhe të depozitave për këtë financim, duke bërë që politika monetare e autoritetit qendror monetar, së bashku me politikat fiskale dhe ato makroprudenciale të koordinohen midis tyre për një qëndrueshmëri financiare dhe minimizim të efekteve negative.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: