NGA ORNELA MANJANI

TIRANE- Ministri i Financave, Shkëlqim Cani në një in tervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare” ka sqaruar dje se dikasteri që ai drejton jo vetëm nuk ka në plan por as ka propozuar dhënien me koncension të mbledhjes së TVSH. Sipas Canit “mbledhja e TVSH-së do të bëhet nga tatimet e doganat”.

Përse është nevoja për të dhënë me koncesion mbledhjen e TVSh, nuk është kjo një veprim i paligjshëm?

Më lejoni të qartësoj edhe një herë mediat, biznesin dhe publikun: nuk po japim as me koncesion, dhe as me ndonjë formë tjetër ligjore, mbledhjen e TVShsë. Asnjëherë nuk kemi pasur as plan, as ndonjë propozim të ministrisë së Financave për administrimin e TVSH-së jashtë organeve të tatim-taksave. Prandaj, do t’ju lutesha të gjithëve që merren me komunikimin publik, të kuptojnë që nuk bëhet fjalë për dhënien me koncesion (apo ndonjë lloj tjetër) të mbledhjes së TVSh-së, dhe ju lutem informoni publikun në mënyrë korrekte për këtë aspekt. Mbledhja e TVSh-së bëhet dhe do të bëhet nga tatimet dhe doganat!

Në media ka dalë material ku specialistët tuaj shprehen se propozimi i bërë nga një firmë për mbledhjen e TVSh-së është antikushtetues dhe duhet refuzuar. Është në të drejtën e cilitdo që të bëjë një kërkesë apo propozim pranë autoriteteve zyrtare.
Ju mund të më kërkoni me shkresë që t’ju jap 2 miliardë lekë në llogarinë tuaj bankare, pasi kjo do t’ju bëjë të lumtur. Personi “X” mund të më dërgojë një propozim me shkrim, ku të kërkojë që të ushtrojë detyrën e Drejtorit të IT pranë ministrisë së Financave. Kjo është e drejta e cilitdo pwr tw kwrkuar. Detyra ime është të pyes specialistët për mendimin e tyre ligjor si dhe përfitimet e mundshme që mund të ketë ideja. Juve, në rastin e parë, do t’ju thoja: na vjen keq, por nuk është kompetenca ime të bëj transfertë nga thesari në llogarinë private (pavarësisht gëzimit që do ju sillte transferta).

Në rastin e dytë, përsëri, nuk është kompetenca jonë për emërimin, por do të ndjekësh procedurën sipas njoftimeve nga DAP-i. Në rastin në fjalë të PPP-së, ne kemi pasur një propozim të pa kërkuar, të cilin ministria e ka trajtuar sipas legjislacionit në fuqi. Propozimi nuk është pranuar i plotë, janë ngritur grupet e punës, të cilat e kanë analizuar të gjithë propozimin, si nga forma (a është dorëzuar në formatin e duhur sipas ligjit), ashtu edhe nga përmbajtja. Në analizimin e përmbajtjes janë konsideruar si shumë të vlefshme aspekte të ndryshme të platformës teknologjike të propozimit. Pra, është një propozim i vlefshëm, por grupet e punës e përshtatën me detyrimet tona ligjore, nevojat tona për modernizim / funksionim, parashikimet tona për rritje. Pasi përcaktuam këto kushte, do i drejtohemi tenderit ndërkombëtar, për t’u siguruar që partneri që do të na ofrojë platformën, ta ofrojë me një “kosto” sa më të ulët.

Kemi të bëjmë me një koncesion apo me një partneritet publik- privat? Përse nuk mund t’i ndërtojmë vet, por na duhet një partner i huaj? Në rastin tonë kemi të bëjmë me një Partneritet Publik Privat. Përse kemi zgjedhur këtë formë?
Së pari, ne nuk kishim mundësitë qoftë buxhetore, qoftë burimet njerëzore për ta zhvilluar vetë platformën teknologjike. Kemi dëgjuar shpesh të flitet se përse nuk investohet dhe operohet vetë, pasi po flasim për shuma deri në rreth 10 milionë euro investim dhe zhvillim. Por duhet të kuptojmë se buxheti i shtetit mbulon të gjithë veprimtarinë e shtetit, dhe çdo fond i shpenzuar konkurron me nevoja të fushave të ndryshme, si arsim, shëndetësi, përkrahje sociale, infrastrukturë, etj. Nuk është se kemi ndonjë sektor me “bollëk” fondesh që të kemi hapësira për të siguruar investime të qenësishme shumë lehtë, prandaj shikohen edhe partneritetet me privatët.

Në rastin në fjalë, aspekt tjetër thelbësor është edhe disponimi i kapaciteteve njerëzore jo vetëm për ndërtimin e sistemit, për edhe për operimin /zhvillimin dhe mirëmbajtjen e tij në funksion të politikës fiskale. Pra, e kishim të domosdoshëm partneritetin me privatin. Në rastin e koncesionit, koncesionari nxjerr përfitime të drejtpërdrejta nga shërbimi /produkti që ofron. Në rastin e partneritetit privatpublik, partneri privat do të ofrojë shërbimin e platformës teknologjike, por të ardhurat e tij do të varen vetëm nga performanca e administratës tatimore. Në këto kushte, partneri privat është i nxitur prej interesit të tij të kontribuojë sa më shumë që administrata të performojë sa më mirë. Ky është një moment cilësor dhe dallim thelbësor me koncesionarin që kemi pasur deri më tani në kontratat tona të trashëguara nga qeveria e shkuar.

Përse duhet të besojmë që ky projekt do të jetë i suksesshëm, ndërkohë që koncesionet e mëparshme janë cilësuar nga vetë mazhoranca si problematike?
Sikurse ju thashë, fillimisht, nuk kemi të bëjmë me koncesion, por me Partneritet Publik-Privat. Partnerët ndajnë me njëri-tjetrin risqet dhe përfitimet. Nëse objektivi i DPT me TVSh-në nuk arrihet, partneri privat nuk siguron të ardhura, kjo minimizon riskun e mos-angazhimit të tij në partneritet. E vetmja garanci që ofron partneri publik është për investimin e platformës teknologjike (1/10 e investimit çdo vit, nëse të ardhurat nuk performojnë) e cila në fund të marrëdhënies është pronë e DPT. Në dallim nga koncesionet e mëparshme, të cilat kanë kontribuar në krijimin e këtij perceptimi të përgjithshëm negativ ndaj koncesioneve dhe PPP-ve, ku ne trashëgojmë koncesione, ku përfitimet e koncesionarit paguhen si tarifa nga bizneset ose buxheti, ku propozimet e pakërkuara jo që nuk janë përmirësuar, por ndoshta edhe përkeqësuar për shtetin në favor të privatit, grupi i punës është treguar jashtëzakonisht i kujdesshëm për të mbrojtur interesat publike në përmirësimin e këtij propozimi dhe për të mos e futur buxhetin në detyrime. Tashmë nuk është ndonjë sekret që ashtu siç kemi thënë edhe në opozitë, koncesionet e trashëguara janë të disfavorshme dhe të miratuara shumë fort por shumë keq. Është më mirë të vazhdosh me to se sa të shkosh në arbitrazh. Kjo është ajo që trashëgojmë. Megjithatë ne nuk jemi dorëzuar. Po i auditojmë një nga një të gjitha koncesionet e trashëguara dhe synojmë të negociojmë secilën prej tyre për përmirësime të mundshme. Ne do të synojmë të përmirësojmë sa më shumë dhe sa më mirë. Shpresojmë në mirëkuptimin e palës tjetër.

Cilat janë aspektet e platformës të cilat kërkoni nga sistemi i ri?
Janë disa aspekte të cilat janë shumë të rëndësishme për modernizimin dhe rritjen e efiçencës në luftën kundër evazionit, informalitetit dhe korrupsionit. Më lejoni të përmend disa prej tyre: Deklarimi i transaksioneve në kohë reale: aktualisht nuk ekziston një gjë e tillë dhe në këtë aspekt duhet të dallojmë dy momente: Momenti i parë: aktualisht firmat dorëzojnë në sistemin e tatimeve librat e shitjeve dhe blerjeve një herë në muaj. Ky është i vetmi moment kur kemi raportim të shitjeve biznes-biznes (data 10 e muajit pasardhës!). Kuptohet që gjatë kësaj periudhe administrata fiskale ngelet pa informacionin e nevojshëm, duke iu krijuar hapësira bizneseve evadore për të manipuluar gjendjen e tyre (për shembull një shitje e datës 1 mars raportohet në tatime me datë 10 prill). Me sistemin e ri do të kërkohet që të gjitha transaksionet (pra edhe biznes me biznes) të raportohen në kohë reale. Në këtë mënyrë do të jetë shumë më e vështirë që evadorët të bashkërendohen me njëri-tjetrin për të “legalizuar” gjendjet e tyre.

Identifikimi i operacioneve të “çuditshme” në kohë reale do të jetë një tregues shumë i vlefshëm për administratën tatimore që të veprojë shpejt. Po u rrit koha e reagimit, zakonisht rriten shanset e dështimit. Momenti i dytë: aktualisht kasat fiskale raportojnë vetëm kur mbyllen manualisht nga biznesi. Detyrimi ligjor është që të raportojnë në fund të ditës, por përqindja e atyre që nuk raportojnë është e madhe. Kur numrat janë kaq të mëdhenj, është e vështirë të diskriminosh mes gabimit njerëzor (harroi shitësi) dhe atij që përpiqet të nën-deklarojë xhiron. Për ta evidentuar duhet të mbështetemi tek inspektori në terren (tek i cili biznesi është shumë i ndjeshëm). Aktualisht, nuk mund të konstatojmë nga sistemi kur e kryen xhiron biznesi, i pret të gjitha kuponët në darkë pasi sigurohet që të jetë nën kufirin e riklasifikimit apo ka një shtrirje gjatë ditës. Po kështu nuk dimë si ndryshon në krahasim me bizneset e ngjashme aktiviteti ditor. Sistemi i ri e identifikon këtë lloj sjellje në mënyrë automatike duke rritur efektivitetit e punës së inspektorëve dhe ulur maksimalisht subjektivizmin gjatë kontrolleve. Ndjekja e produkteve përgjatë zinxhirit të shitjes. Aktualisht nuk bëhet me sistem.

Për ta kryer atë, inspektorët duhet të shpenzojnë kohë të tëra hulumtimi tek subjektet, situatë të cilën ne dëshirojmë ta mënjanojmë sa më shumë dhe sa më shpejt të jetë e mundur. Periudha e tepërt që shpenzohet nga inspektorët tek biznesi, jo vetëm që pengon biznesin në punën e tij, por krijon edhe hapësira për korrupsion. Ndjekja e produkteve që kërkohet nga sistemi i ri është risi tejet e rëndësishme për administratën tatimore, por jo vetëm. Kështu do të kemi një ndjekje automatike të produkteve duke pasur një deklarim të saktë të mallit përgjatë gjithë zinxhirit të shitjeve. Do të jemi në dijeni për lëvizjet e sasive të mallrave, shtimin e vlerës së tyre nga secila hallkë dhe detyrimet përkatëse. Në këto kushte, administrata vepron me më tepër efikasitet ndaj evazionit dhe kontrabandës, duke pasur një ndikim të drejtpërdrejtë për përmirësimin e klimës së biznesit dhe promovimin e biznesit të rregullt. Ky është qëllim kryesor i sistemit fiskal!

Sistemi i ri do të mundësojë faturën digjitale “E-Invoicing” sipas parametrave të raportimit OECD SAF-t dhe në përputhje me direktivën e BE. Është një shërbim i ri, i cili nuk është ende prezent në sistemin e sotëm. Ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e biznesit (sidomos atij inovator), dhe krijon lehtësira të ndjeshme si në shitjet on-line, ashtu edhe në uljen e kostove administrative. Sistemi i ri do të evitojë transaksione me gabime, vlera të pakuptimta, si dhe anomali funksionale që ndodhin aktualisht. Për ta kuptuar më mirë këtë, në sistemin aktual ka pasur raste raportimesh me vlerë negative, shifra tejet të ekzagjeruara për njësi shitjesh të vogla, dështime të shumta të raportimit, etj. Një pikë tjetër e rëndësishme është edhe mundësia e organizimit në kohë reale të shorteut me kuponin tatimor. Kjo ka qenë një kërkesë e hershme e administratës fiskale, e cila ishte e pamundur për t’u realizuar nga sistemi aktual.

Është shprehur në media shqetësimi se kompania fituese është e paracaktuar, ç’komente keni për këtë?
Administratës Tatimore i nevojitet kjo platformë teknologjike dhe një partner i besueshëm për ndërtimin dhe operimin e saj, për të gjitha arsyet e sipërpërmendura. Ne, me anë të ekspertëve më të mirë që disponojmë, përcaktuam termat e referencës që garantojnë suksesin e zbatimit të partneritetit. Hapi i radhës është tenderi i hapur ndërkombëtar. I ftoj të gjithë përfaqësuesit e bizneseve, aktorët mediatikë, madje edhe opozitën, të informojnë sa më shumë të jetë e mundur biznese potenciale për pjesëmarrjen në konkurrim. Dëshirojmë të kemi sa më shumë pjesëmarrës që të jetë e mundur. Kushdo që do të fitojë tenderin ndërkombëtar, ne garantojmë që do të kërkojmë të përmbushë me saktësi termat e referencës. Pra, synojmë të kemi një partner eficient dhe me koston më të ulët të mundshme për buxhetin. Se kush është emri i fituesit, askush të mos hamendësojë. Aludimet dhe akuzat për luftë politike janë të pamoralshme. Të kenë durim dhe të presin ose, nëse dëshirojnë, të jenë aktiv në promocion apo pozitiv me sa më shumë ftesa drejt bizneseve të interesuara të konkurrojnë. Të shikojnë me kujdes procedurën që do të ndiqet deri në shpalljen e fituesit. Të gjitha këto t’ja lëmë kohës dhe datës së konkurrimit.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: