TIRANË- Ministri i Financave, Shkëlqim Cani ka dalë sot në një konferencë për mediat ku ka informuar në lidhjet me procesin e eurobondit të përfunduar pak ditë më parë. Cani deklaroi se eurobondi synon lehtësimin e financimit të borxhit duke falënderuar Bankën e Shqipërisë dhe qeverinë për realizimin e tij. Cani ka theksuar gjithashtu se nuk do të shtohet borxhi pasi, eurobondi do të zëvendësojë atë pjesë të borxhit që do të merrej në tregun e brendshëm, duke i lënë kështu hapësirë biznesit për të marrë kredi.

“Falënderoj Bankën e Shqipërisë për mbështetjen. Qeveria ka ndihmuar në realizimin e eurobondit. Nuk do të shtojmë borxhin në një kuptim sepse do të zëvendësojë atë pjesë të borxhit që do ta merrnim në tregun e brendshëm, me eurobondin. Sepse duam që të lëmë hapësirë për biznesin për vitin 2016 që të mund të marrë kreditë e nevojshme. Kreditimi në këto vite në Shqipëri ka vuajtur, kështu që një nga mënyrat për të nxitur kreditimin është qeveria të tërhiqet nga kredia në tregun e brendshëm. Pra, i vijmë në ndihmë biznesit dhe rritjes ekonomike”, tha Cani.

Ministri i Financave sqaroi gjithashtu se buxheti i 2015 por edhe i 2016 ashtu si buxhetet e 24 viteve do të jenë me deficit.

“Lidhur me atë nëse do të shtojmë apo jo borxhin… Pavarësisht nga ç’thuhet ka 24 vite rresht pa përjashtuar asnjë vit që Shqipëria kur bën buxhetin e viti të radhës del me deficit, ashtu siç do jetë edhe buxheti 2015 dhe 2016. Pra në 25 vite ne do dalim me deficit, do të thotë që të ardhurat që realizojmë nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet. Nuk është që Shqipëria nga viti në vit nuk po merr borxh. Ne nuk kemi arritur asnjëherë në asnjë vit që të dalim me suficit. Por kështu ndodh edhe në vende të tjera, nuk është ndonjë çudi. Por për të qenë korrekt ne po shpjegojmë eurobondin. Por e mira është që niveli i rritjes ekonomike të jetë më i lartë se niveli i borxhit që marrim. Më mirë akoma është të dalësh me suficit. Por Shqipëria nuk do të dalë nga kjo gjendje të paktën deri në vitin 2020. Pra, për të zëvendësuar borxhin e vjetër me eurobond”, tha ai.

Sipas Canit, “e mira e këtij eurobondi është që po marrim një hua 5-vjeçare dhe po heqim dorë nga tregu i brendshëm, që zakonisht në pjesën më të madhe na jep hua 3, 6, ose 12-mujore. Pra zëvendësojmë një pjesë të borxhit që është afatshkurtër në borxh afatgjatë”.

“150 milionë euro do përdoren për të mbuluar deficitin në buxhet. Për ta marrë eurobondin 5, 7 apo 120-vjeçar gjithmonë nga rrethanat dhe kushtet që do paraqiten. Mundësitë më të mëdha ishin për 5 apo 7-vjeçar. 5-vjeçari ka një të mirë që ruan traditën, pra ishim në treg me një instrument të tillë, investitorët ishin më të njohur më këtë. Por tregu na tregoi që hapësira dhe kushtet më të mira ishin që ta merrnim 5 vjeçar. Na interesonte më mirë duke parë leverdinë e normave të interesit”, u shpreh Cani.

(m.k/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb