TIRANE- Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka firmosur urdhrin për procedurat e mbylljes së llogarive të njësive të qeverisjes vendore që do të shkrihen, mbështetur në ligjin “Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në Republikën e Shqipërisë” dhe atë “Për buxhetin e vitit 2015”.

Sipas këtij urdhri, transferta e pakushtëzuar (tremujori i III-të (10%) dhe tremujori i IV-të (10%)) për njësitë e qeverisjes vendore që do të shkrihen në kuadrin e reformës territoriale, çelet në Sistemin Informatik Financiar të Qeverisë më datë 01 korrik 2015.

Ministria e Financave sqaron se njësitë e qeverisjes vendore, që do të shkrihen, duhet të paguajnë deri në datën 07 korrik 2015 shpenzimet, dokumentacioni i të cilave përmban datën deri më 30 qershor 2015. Po ashtu, njësitë e qeverisjes vendore duhet të likuidojnë shpenzimet për paga dhe të tjera të lidhura me to (si sigurimet shoqërore, etj.), të muajit Qershor, brenda datës 07 korrik 2015.

Urdhri i Ministrit të Financave udhëzon se të ardhurat e njësive vendore të shkrira të papërdorura deri në datën 07 korrik 2015 do t’i trashëgohen njësisë së re vendore, ndërsa të ardhurat tatimore vendore, për të cilat vepron si agjent administrata tatimore qendrore dhe institucione të tjera qendrore, të cilat shërbejnë si agjent tatimor, do të rakordohen dhe alokohen deri më datë 07 korrik 2015. Fondet e papërdorura do t’i kalojnë njësisë së re vendore.

Urdhri i firmosur nga Shkëlqim Cani saktëson se deri më datën 20 korrik 2015, degët e thesarit duhet të dërgojnë në Ministrinë e Financave (Drejtorinë e Përgjithshme të Buxhetit), në mënyrë elektronike dhe në rrugë shkresore, gjendjen e buxhetit (tepricën) nga transferta e pakushtëzuar, të ardhurat e veta dhe të tjera të ardhura për njësitë e qeverisjes vendore që do të shkrihen, si dhe detyrimet e prapambetura.

Nëpunësit autorizues dhe nëpunësit zbatues të njësive të qeverisjes vendore që do të shkrihen, kanë të drejtën e veprimit në degën e thesarit përkatëse për kryerjen e transaksioneve të mbylljes së llogarive vjetore deri më datë 10 korrik 2015.

Urdhri i Ministrit të Financave sqaron se të gjitha njësitë e reja të qeverisjes vendore, brenda 5 ditëve nga konstituimi i tyre, duhet të paraqesin në Ministrinë e Financave

shkresën për konfirmimin e Nëpunësve Autorizues dhe Nëpunësve Zbatues, sipas kërkesave ligjore në fuqi dhe shton se çdo rast specifik, pas datës 10 korrik 2015, do të trajtohet rast pas rasti nga Ministria e Financave.

Ministria e Financave garanton asistencën e plotë ligjore dhe profesionale për të gjithë nëpunësit autorizues dhe zbatues të njësive të qeverisjes vendore dhe siguron vijimësinë normale të veprimeve financiare dhe të mbështetjes buxhetore, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.

Reforma e administrimit të qeverisjes vendore është një arritje e madhe e qeverisë, e mbështetur nga aktorë të shumtë. Me miratimin e saj janë përfituar rreth 6 miliardë lekë të kursyera, pra janë kursime në shpenzimet për administratën, etj, dhe të gjitha këto para do t’i kthehen po publikut, pushtetit lokal, në investime dhe në shërbime ndaj tij.

Shpenzimet e administratës mendohet të ulen në rreth 40% dhe do të ketë një ulje drastike vetëm nga këshilltarët, si numër, nga 6500 që ishin gjithsej në 1595 këshilltarë.

Ministria e Financave konfirmon se është i garantuar buxheti për pjesën e mbetur të vitit 2015 dhe një tjetër pjesë të buxhetit, prej rreth 20 milionë dollarë, Ministria e Financave e ka gati për të mbështetur financiarisht ide, mendime, projekte, vizione të fituesve në zgjedhjet vendore.

Sikurse është bërë e ditur, pas zgjedhjeve vendore, po hidhet një hap drejt procesit të projektbuxheteve afatmesme. Ministritë kanë buxhete afatmesme 3-vjeçare, bashkitë nuk i kanë ato dhe Ministria e Financave synon që edhe bashkitë të kenë buxhete afatmesme, në mënyrë që të shohin në një vizion 3-vjeçar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb