TIRANE- Ndryshimet në kabinetin qeveritar dhe a po e shqetëson protesta e opozitës kryeministrin Rama? A jemi ne një situatë të jashtëzakonshme sa të formohet një qeveri teknike? Këto janë disa nga pyetjet që po trajtohen në emisionin “Studio e Hapur” të moderatores Eni Vasili në ‘News24’. Të ftuar në studio për të diskutuar janë analistët Henri Çili, Arian Çani, Mark Marku dhe botuesi Fahri Balliu.

Në lidhje me lëvizjen e fundit të Ramës i cili zëvendësoi 4 ministra, Mark Marku tha se problemi nuk zgjidhet duke ndryshuar ministrat, ndërsa Henri Çili tha se është e paarsyeshme që të kërkohet qeveri teknike kur zgjedhjet janë kaq afër. Ndërkohë për analistin Arian Çani, Rama i dha Metës ‘kokën’ e Tahirit në këmbim të Manjanit.

Zoti Marku çfarë si e konsideroni lëvizjen e fundit të Ramës në qeveri?
Problemi nuk zgjidhet me ndryshimin e ministrave. Problemi qëndron se ekziston një infrastrukturë krimi dhe droge që shoqërohet me infrastrukturë elektorale.

Mund të themi që është një reflektim?
Marku:Po të kishte mundësi për reflektim mendoj se Rama nuk ka pasur sensin e reflektimit. Pse Rama do jetë një kryeministër që do ikë pa kosto nga shqiptarët? Gjithë Shqipëria është bërë një sistem i kultivimit dhe përhapjes së drogës. Po të kishte reflektim Rama duhet të reagonte më parë. Mendoj se është thjesht një taktikë. Për t’u çliruar mendoj se e ka bërë. Gjeja e parë që duhet të bënte Rama është se duhet të hiqte Tahirin dhe Beqajn më parë. Një qeveri teknike mendoj se e shpëton Ramën. Rama nuk ka as komoditetin për të ikur.

Çili: Është e paarsyeshme të kërkohet qeveri teknike kur zgjedhjet janë kaq afër…

Marku: Qeveria teknike është që ndeshja të behet e ndershme..

Çili: Politika është në veprim të vazhdueshëm, ne kemi 4 javë që asnjë aktor ndërkombëtar në pushtet që të marrë në dorë këtë çështje, pra që në Shqipëri ka nevojë për zgjedhje teknike. Protesta është një e drejtë e opozitës, por nuk ka asgjë serioze nga palët ndërkombëtare.

Marku: Në këto vite kush nga ndërkombëtarët ka kërkuar rrëzimin e qeverisë? Ata nuk e kërkojnë këtë dhe mesazhet e tyre janë të matura.

Çili: Ky është argument për mua. Kishte një majisje rreth Sajmir Tahirit i cili sipas mendimit tim duhet të kishte dhënë dorëheqjen vete që pas nisjes së protestës së opozitës.

Balliu: Ka qënë, është, dhe do të ketë një përgjegjësi për analistët që i kanë dhënë rëndësi figurës së Ramës. Por kemi të bëjmë me një rast unikal, pra me një urrejtje ndaj opozitës dhe segementeve të caktuara të politikës. Kurrë Shqipëria nuk ka pasur prodhim dhe trafikim droge sesa në këtë kohë. Droga është një rast i paprecedent. Ju nuk e kuptoni që një kryeministër mbron me gjak Roshin e Kavajës apo Prengën e Lacit. Në këto raste humbet procedimi dhe teksti normal për një qeveri. Pra për këto kërkohet qeveria teknike.

Kush e ka kërkuar ‘kokën’ e Tahirit Cani?
Çani: Mendoj se përgjigjen për këtë e di vetëm Edi Rama. Të gjitha përgjigjet duhen marrë si të mirëqena. Unë jam i pirur të besoj dhe më shumë e vë bastin tek hipoteza dhe fakti se Meta i dha ‘kokën’ e Manjanit, ndërsa Rama i dha kokën e Tahirit, por i tha prit pak. Por ka një kontekst, pasi protesta nuk kishte filluar kur u hoq Manjani. Unë mbështes kauzën e opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Populli është në shtëpi dhe jeton me 2 mijë lekë. Sot nëse ka një aktor të largojë Ramën është protesta masive popullore.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb