TIRANE- Ministri i Financave, Shkëlqim Cani deklaroi sot se rënia e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare është një goditje për ekonominë tonë.

Kjo deklaratë e ministrit Cani u bë gjatë raportimit në komisionin parlamentar të ekonomisë dhe financave të dy akteve normative të muajit dhjetor, për ndryshime në buxhetin e vitit 2015.

‘Ne këtu ishim të gjithë bashkë, të gjitha institucionet i kemi pyetur. Kemi marrë për bazë çmimet e naftës duke kujtuar se nuk do kishte më ulje të çmimit të naftës dhe kjo ishte pika fundore e çmimit të naftës, dhe me të miratuar buxhetin e vitit 2016, filloi rënia e çmimit të naftës dhe nga 25 lekë që ne llogarisnim, të merrnin në buxhet me çmimet që ishin në atë kohë, do të marrim 20 lekë. Që tani ka goditje me buxhetin 2016. Në atë kohë nuk gjetëm asnjë parashikim ndërkombëtar me emër në botë, bindës që çmimet e naftës e të gazit do të bien në këto nivele që kanë rënë dhe që mendohet se do të qëndrojnë deri në fund të gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Na mirëkuptoni se jemi nën efekt, sepse ne nuk kemi as në ministrinë e Financave as në Institucionet e tjera studiues të mirëfilltë që merren me çmimet ndërkombëtare dhe ekonominë botërore në aspektin e gjerë. Kjo është kosto për ekonominë. Kështu është çmuar dhe besoj se kështu duhet të jetë. Ne mundet të marrim si vlerësim atë që sjellim organizmat ndërkombëtarë. Lidhur me thatësirën nuk është se e bëjmë ne këtë parashikim”, deklaroi ministri Cani.

Ai bëri të ditur se në vitin 2016 rritja ekonomike parashikohet të shkojë 3.4 %.

Aktet Normative për buxhetin 2016, opozita braktis Komisionin e Ekonomisë, votohet nga mazhoranca
Duke folur për aktet normative të qeverisë në muajin dhjetor, Cani tha se vendi u përball me nevoja urgjente të ndryshimit të ligjit të buxhetit, veçanërisht në kuadër të përmbushjes së politikave sociale të qeverisë lidhur me shtresat më vulnerabël të shoqërisë, si dhe krijimin e sigurisë së plotë për furnizimin me energji elektrike.

Kreu i financave publike vuri në dukje se aktet normative garantojnë mbajtjen të pandryshuar të parametrave kryesorë të buxhetit të vitit 2015, duke i qëndruar strikt objektivit fillestar të uljes graduale së deficitit buxhetor dhe nivelit të borxhit publik.

Ish-ministri i Financave, Ridvan Bode lëshoi akuza të forta ndaj zyrtarëve të ministrisë së Financave, që sipas tij, me ndërhyrjet e njëpasnjëshme në buxhet treguan mosnjohjen totale ndaj projekteve dhe programeve.

“E kemi pritur të gjithë një akt normativ në fund të vitit. Defiçiti deri në fund të vitit arriti mbi 200 milionë dollarë, ndërsa u mblodhën rreth 350 milionë lekë më pak të ardhura nga ajo që programoi vet qeveria, pavarësisht se ajo rriti taksat me 160 milionë dollarë”, deklaroi Bode. Sipas deputetit Bode, kjo dëshmon seriozitetin dhe shkallën e njohjes që ka kjo qeveri në raport me financat e ekonominë e vendit.

Dy aktet normative të qeverisë kaluan për miratim në seancën plenare të radhës në Parlament vetëm me votat e maxhorancës pasi opozita votoi kundër tyre.

Komisioni i Ekonomisë ka diskutuar dhe më pas miratuar Aktet Normative të qeverisë për buxhetin 2016. Ministri Cani ka prezantuar objektivat për vitin që sapo ka filluar dhe investimet që parashikohet të realizohen.

Por deputetët e opozitës janë shprehur kundër Akteve Normative të qeverisë, dhe pas debateve kanë braktisur mbledhjen e Komisionit.

Aktet Normative të qeverisë për buxhetin 2016 janë votuar vetëm nga deputetët e mazhorancës të pranishëm në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë.
(el.sp/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb