Carlo Ancelotti do ta nisë aventurën e dytë në Spanjë ditën e nesërme. Italiani ka llogari të hapura në La Liga, pasi nuk ka arritur ta fitojë dot në etapën e tij të parë si trajner i Real Madrid.

Carlo ka përpara një sfidë shumë të vështirë, pasi skuadra e tij ka pasur probleme të mëdha gjatë këtij sezoni dhe ende nuk ka bërë transferime të bujshme.

Sigurisht që ai e di mirë sfidën që e pret, por ka besim se mund të triumfojë këtë herë duke përfituar nga fakti që edhe Barcelona nuk po kalon ditët e saj më të arta. Largimi i Messit sigurisht që mund të ndihmojë Real Madrid që të triumfojë në kampionatin spanjoll.

Carlo Ancelotti mund të bëhet trajneri i parë në histori që fiton kampionate në 5 ligat kryesore në Europë. Ai ka arritur të triumfojë në Serie A me Milanin, pastaj arriti që të ngjitej në majën e Anglisë me skuadrën e Chelsea.

Edhe në kampionatin francez arriti që të fitonte titullin kampion në sezonin 2012-2013, pastaj mori drejtimin e Real Madrid. Me “Galaktikët” fitoi thuajse gjithçka, përveçse titullin kampion të Spanjës.

Carleto triumfoi edhe në kampionatin gjerman me Bayern Munchen dhe kërkon që këtë sezon të fitojë edhe me Real Madrid, për t’u bërë rekordmen. Por, trajneri italian dëshiron që të rikthehet të fitojë edhe Champions.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb