*Tahiri: Asnjë deputet apo gjyqtar nuk duhet të ketë armë zjarri
*Strazimiri: Griseldi i radhës nuk ka sjellë njoftim tek Gent Strazimiri për dorëzim arme
TIRANE- Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka njoftuar sot se deputeti Gent Strazimiri ka dorëzuar armën e tij pa leje. Deklarata është bërë gjatë një takimi që ministri Tahiri zhvilloi sot me drejtorët e policisë së qarqeve. Por deputeti demokrat Gent Strazimiri ka reaguar menjëherë pas deklaratës së ministrit Tahiri. Sipas Strazimirit, ministri njoftimin se duhet dorëzuar arma e ka dërguar në cdo media, por kurrë në adresën e tij.

Ministri tha se “Lajmi i mirë është që zoti Strazimiri e dorëzoi sot pistoletën dhe të paktën nuk vazhdoi të ishte në paligjshmëri dhe shpresoj të na kursej në të ardhmen, ai dhe e gjithë çeta skenat e tubimeve ku dhunohen punonjësit e policisë dhe ku deputetët mbajnë armën me vete. Në ligjin që është miratuar në parlament vitin e kaluar, kemi sanksionuar që funksionarët e lartë nuk duhet të kenë armë. Nuk duhet të pajisen me armë gjyqtarët, prokurorët, kryetarët e bashkive dhe deputetët nuk duhet të pajisen me armë në rast se nuk kanë shqetësim. Në eventualitetin kur policia vlerëson pas kërkesës tyre që ka arsye të bazuara për të vlerësuar shqetësimin që paraqet vetë zyrtari, atëherë mund të pajisen me armë por në të gjitha rastet jo në trup.”.

Nga ana tjetër, Tahiri pohoi se vetëm në rast se zyrtarit i cenohet jeta, atëherë ai pajiset me armë, por pa e vendosur në trup. “Nga ana tjetër, Policia e Shtetit i ka bërë thirrje të gjithë zyrtarëve që deri më sot nuk kanë dorëzuar armë, t’i dorëzojnë, sepse nuk i duhen askujt. Ne na duhet kontributi i të gjithëve për ta bërë Shqipërinë më të sigurt, më të qetë, më të paqtë dhe më të denjë për jetën e qytetarëve. Dhe kjo nuk arrihet duke pasur deputetë apo gjyqtarë që mbajnë armë në brez. Nuk bëhet në këtë mënyrë Shqipëria më e sigurt. Nuk ka zgjidhje nga asnjë lloj tentative për “të pasur armë se kështu bëhet drejtësi”. Kjo nuk është drejtësi në pikëpamjen ton, të cilën e kemi formalizuar dhe me ligjin që kemi votuar në Parlament. Armëmbajtja duhet të jetë ngushtësisht dhe rreptësishtë e kufizuar për ata që kanë një detyrë shtetërore për të garantuar rendin dhe qetësinë publike. Në të kundërt, të tjerët janë të patitulluar të kenë një armë.”, theksoi ai.

Sakaq, ministri i Brendshëm bëri të ditur se ka informuar dje kryeparlamentarin Ilir Meta për detyrimin që kanë të gjithë deputetët që janë të pajisur me armë, që ti dorëzojnë ato. “Për ne janë në shkelje të ligjit. Unë kam informuar sot edhe Kryetarin e Kuvendit për detyrimin që kanë deputetët për të dorëzuar armët. Janë njoftuar nominalisht nga Policia të gjithë ata zyrtarë që kanë mbajtur armë dhe që duhet t’i dorëzojnë. Ky është një detyrim absolut që të mos ndodhë më të kemi skena ku opozita del në protestë dhe deputetët e opozitës të jenë të armatosur. Ne na duhet Opozita që të jetë aktive. Na duhet Opozita që të zgjedhë prioritetet e saj (edhe atëherë kur janë kundër qytetarëve dhe kundër zhvillimit të qytetit) por na duhet një opozitë e paarmatosur. Kjo është pak por e sigurt.”, theksoi Tahiri.

STRAZIMIRI: “GRISELDI” I PARTISE NUK ME SOLLI NJOFTIM PER DOREZIM ARME

Deputeti demokrat Gent Strazimiri i cili sot ka dorëzuar armën e tij, ka reaguar menjëherë pas deklaratës së ministrit Tahiri. Sipas Strazimirit, ministri njoftimin se duhet dorëzuar arma e ka dërguar në cdo media, por kurrë në adresën e tij. Duke e etiketuar me nofkën, “Griseld”, lidhur me episodin famëkeq të ish gruas së kreut të Bashkisë së Kavajës, Strazimiri hedh një sërë akuzash ndaj ministrit Tahiri.

Reagimi i Strazimirit
Një tjetër “Griseld” i Partisë paska njoftuar masat punonjëse për suksesin e radhës: Gent Strazimiri paskësh dorëzuar armën me leje…duke mos qenë më “në paligjshmëri”…
Gent Strazimiri as ka qenë dhe as do jetë kurrë në paligjshmëri, sepse që në gen është e kundërta e “Mekes”…
Ende në këtë moment, Griseldi i radhës nuk ka sjellë njoftim tek Gent Strazimiri për dorëzim arme.
E ka çuar kudo, madje në çdo “mjero tv”, “mjero gazetë” online dhe offline, por tek Gent Strazimiri ende jo.
Kjo është e vetmja PALIGJSHMËRI, ashtu sikurse është paligjshmëri, MEGASKANDAL, fakti që Ministri i Brendshëm vendos në shërbim të trafikantëve të drogës makinën e tij, kapet në flagrancë dhe përpiqet të justifikohet me “shitjen” e saj, duke pranuar që ka falsifikuar transaksionet në deklaratën e pasurisë…dhe për këto heshtin edhe Prokuroria edhe ILDKPKI…
Që Ministri i Brendshëm ka fshehur mandatin e arrestit ndërkombëtar për deputetin e tij vrasës, ka prishur provat për deputetin tjetër vrasës, duke detyruar edhe policët të luajnë “siçilianin” para gjykatës…
Që Ministri i Brendshëm pret në zyrë vrasësin e penduar e të paguar për të eleminuar deputetë, dhe arreston deputetin bashkë me vrasësin e penduar por jo paguesit…
Që Ministri i Brendshëm, është në atë detyrë me kontributin dhe votën e jo më pak se 19 deputetëve me rekorde kriminale, për trafiqe prostitutash, droge, vjedhje vilash e deri në vrasje…
Që çeta e “mekeve” dhe “nafijeve” që dot sundojnë Shqipërinë sërish, as nuk skuqet e as nuk zverdhet të ulet në krah të llumit të vendit!
Që komandanti i çetës së “mekeve” dhe “nafijeve”, sapo përcjell John Kerryn, niset menjëherë t’u bëjë qokën secilit prej kriminelëve që ambasadori i John Kerryt i ka përmendur me emra si “poshtërim për shqiptarët”…
Kjo është paligjshmëria, dhe përballë kësaj, Gent Strazimirin do ta kenë përballë sa të ketë frymë! Do ta kenë përballë këta dhe të gjithë mjerot, “çufot” dhe “bubat kaçurrel” që montojnë skenare, japin pretenca madje dhe vendime përfundimtare “në emër të popullit”…

TAHIRI LETËR INFORMUESE METËS: ASNJË DEPUTET S’MUND TË KETË ARMË
Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri ka informuar përmes një letre një ditë më parë Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta mbi veprimet proceduriale të kryera nga Policia, pas ngjarjeve të 28 marsit në kodrat e liqenit artificial në Tiranë, ku një grup deputetësh të Partisë Demokratike gjatë zhvillimit të një proteste pa leje, kanë kryer veprime të dhunshme ndaj forcave të policisë bashkiake dhe Policisë së Shtetit. Ministri e informon zotin Meta për referimin në Prokurori të materialeve për procedim penal në ngarkim të disa deputetëve. “Dëshiroj gjithashtu t’ju kujtoj se të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë që në bazë të dispozitave të Ligjit të ri Për Armët, nuk bëjnë pjesë në grupin e personave që mund të mbajnë armë, kanë detyrimin që t’i dorëzojnë ato në organet e Policisë së Shtetit. Vazhdimi i mbajtjes së këtyre armëve nga ana e tyre është shkelje e këtij ligji dhe i dispozitave të Kodit Penal.

DENONCIMI I POLICISE
Policia denoncoi dje në Prokurori deputetin Gent Strazimiri për mbajtje pa leje të armëve luftarake, duke paraqitur si provë pamje televizive të marrë në Youtube. Opozita i është përgjigjur këtij kallëzimi me një tjetër padi ndaj kreut të policisë së Tiranës dhe atij të policisë bashkiake.

Policia e Shtetit zyrtarizoi dje kallëzimin penal për deputetin Gent Strazimiri, i cili është filmuar në protestën e opozitës me një pistoletë në brez.

Menjëherë është përgjigjur Partia Demokratike, e cila depozitoi dy kallëzime ndaj drejtorit të Policisë së Tiranës Ervin Hodaj dhe atij të Policisë Bashkiake, Ermal Kapllani, gjithashtu i kallëzuar edhe për falsifikimin e gjobës ndaj PD-së në një protestë mëparshme.

Sipas burimeve, mësohet se provë kryesore dhe e vetme e policisë për kallëzimin ndaj Strazimirit janë pamjet filmike të marra nga televizione të ndryshme në rrjetin social Youtube.

Sipas pamjeve që konsiderohen provë nga policia, deputeti i PD-së rezulton të jetë i armatosur në protestë, duke e theksuar me një rreth të kuq në krahun e majtë të brezit të deputetit, aty ku policia thotë se është arma pa leje.

“Në vijim të veprimeve të dhunshme të kryera nga deputetët e subjektit politik Partia Demokratike, referuar pamjeve filmike rezulton se deputeti Gent Strazimiri, gjatë kohës që ishte në protestë, krahas veprimeve të dhunshme ndaj policisë, i dallohej në brez një armë zjarri (pistoletë)”, thotë policia e Tiranës në një njoftim për mediat.

Sipas policisë, Strazimiri ka qenë i pajisur me armë zjarri në 26.3.2009, kur ka qenë zëvendësministër i Brendshëm.

Por në zbatim të Ligjit nr. 74/2014 “Për armët”, duke filluar nga 26.2.2016, lejet dhe aktet e tjera administrative që japin të drejtën mbi armët, humbasin fuqinë juridike.

Në kallëzim thuhet se deputeti Strazimiri dyshohet për “Organizimin dhe pjesëmarrjen në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Shkatërrimin e pronës”, “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Por vetë deputeti Strazimiri është shprehur në media se ai nuk ka marrë shkresë nga Policia e Shtetit për dorëzimin e armës, pasi kohët e fundit ka qenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

strazimiri

(el.sp/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: