TIRANE

Kjo është historia e jashtëzakonshme e një gruaje në Tiranë që jetën ua ka dedikuar katerputroshëve. E nuk janë pak por plotë 11 mace dhe 19 qen. “Ka vite që unë shtëpinë e kam për këta kam harruar gjithçka edhe veten time prej këtyre”,-thotë Terezina.

Terezina Frroku 52 vjeç, sot është gjallë fale heroizmit të një qeni kur ajo ishte adoleshente. Përlotet teksa kujton atë ditë të largët vere. “Një qen me ka shpëtuar jetën, Marku më ka shpëtuar jetën. Isha me babin ishim ulur në një vend me pemë, u ulëm vumë këmbët tek pemët, Marku ishte qeni i komshiut.

Kaloi gjarpëri ky e ndien dhe e pickoi në hundë, më shpëtoi jetën, Atë nuk do ta harroj sa të jem gjallë, se Marku pas 4 orëve dha shpirt dhe unë nuk do ta harroj e kam edhe në foto dhe derisa të vdes e kam kuptuar se kafsha është më e dashur më e kuptueshme sesa njeriu”,-shprehet e përlotur gruaja.

Dashuria për kafshët merr një tjetër kuptim kur njihesh me Terezinën, ajo do të jepte edhe jetën e saj pa hezituar asnjë çast për të shpëtuar një jetë maceje apo qeni në vështirësi. Ndonjëherë edhe vete Terezina e humbet fillin me numërimin e maceve e qeneve pasi çdo ditë hyjnë e dalin katërputroshë të rinj që kanë nevojë për përkujdesje ushqim dhe strehë derisa të gjejnë një familje të re.

Terezina ka edhe mikesha që e ndihmojnë. “Për të numëruar hyjnë e dalin çdo ditë por për momentin janë 11 mace dhe 19 qen.. I ushqej brenda në shtëpi, janë edhe tre gra të tjera që vullnetarisht e bëjmë këtë punë, por i mbaj unë në banesë pasi jetoj vetëm. S’kam njeri, me xhepin tonë punojmë, ti e shikon si i trajtoj, mua më japin dashur unë këta kam, këta më thonë faleminderit, këta me një shikim të falenderojnë. Sa herë shikoj një mace apo qen në situatë rruge unë e shpëtoj, siç bëra me macen e fundit e gjeta në një pompë uji brenda.

I dëgjova vetëm zërin me majat e gishtave e mora, ka një muaj këtu. Jeta është më mirë më këto sesa me njerëzit, për njeriun kam bërë ndere sa të duash nuk më kanë thënë njëherë faleminderit por më kanë përbuzur më pas”
Por si është një ditë tipike e Terezinës mes maceve dhe qenve?

“Dita ime normale është kështu, zgjohem në mëngjes këto bëjnë “detyrat” , pastroj “detyrat” e maceve, u hedh ushqimin që është kokrra me konservë ua përziej. Behëm gati për në punë, vij me vrap nga puna për këta, ne që mbajmë kafshë jemi të detyruar ta pastrojmë më shpesh shtëpinë se jemi të detyruar, ka njerëz që e lajnë banesën njëherë bë javë vetëm. Unë zgjohem në orën 6.30 të mëngjesit edhe deri në orën 1 ose 3 të natës”,-shprehet Terezina.

Por kur kthehet nga puna rrethohet tek dera e banesës, macet dhe qentë e ndiejnë që ajo është afër që kur lë biçikletën poshtë pallatit
“Sa hap derën i thërras me emër ose u them çuna goca ku jeni? Pa ardhur duke lidhur biçikletën poshtë rreshtohen tek dera më presin. E ndiejnë, kafsha ka më tepër intuitë sesa njerëzit, e ndiejnë prezencën kur jam pranë”,-thotë ajo.
Art më vete sipas Terezinës është t’i mësosh si të bashkëjetojnë në harmoni me njëri tjetrin
“Nuk bëjnë rrëmujë, shumë mirë sillen, nuk haen bashkë, ajo është puna ime në fillim. I familjarizoj u them nuk do bëhëmi xhelozë. Ne do hamë bashkë, u them nëna ju ka xhan të gjithëve, qentë japin më shumë dashuri, macja merr më shumë, është më dinake, macja të harron. Unë vetë karakterin e kam pak si mace , jam e egër, të kuptoj kur ma ke me hile, madje të them ki kujdes së të bëj ta nxjerrësh rrenën. Me njeriun nuk më intereson ca bëhet por për kafshët nuk të fal”,-shprehet Terezina. Ajo bën një punë që në fund të muajt i sigurojnë të ardhura modeste. Çdo qindarke llogaritet për të ushqyer macet e saj. Terezina e llogarit veten të fundit
“Të ardhurat e mia është puna, llogaris drita ujë e shteti nuk të fal, sa të harxhoj paguaj, pastaj llogaris ushqimin që e marr me thasë për ta, pastaj ,mendoj për veten time, e fundit jam unë nga radha, ka raste ngel me një buke pak gjëra. S’ka problem këto të hanë njëherë pastaj unë. Problemi im është që në fillim të hanë këta”,-tregon ajo.
E ndërsa fqinjët apo ata që mësojnë historinë e saj do ta quanin një të çmendur pas kafshëve ajo thotë me krenari se do të vazhdojë tu dhurojë dashuri e do shpëtojë nga rruga çdo mace e qen që gjen e se askush nuk e ndalon dot në misionin dhe kauzën që i buron nga shpirti
“Atë e thonë përditë, madje na ofendojnë ne që i duam kafshët, se unë jetoj dhe vetëm por që familja ime kjo është . Në Shqipëri shumë pak i duam.
Terezina këmbëngulë që të flasë e të denoncojë punën që Bashkia e Tiranës bën me qentë e rrugës pasi është një nder aktivistet më të flakta të kryeqytetin kur vjen puna tek mbrojtja e të drejtave të kafshëve
“Në fillim kam qenë pak e kënaqur me punën e bashkisë, dilnim këta sterilizoheshin meshkujt dhe silleshin në habitat, për 6 muaj bashkia punoi shumë mirë. Por pastaj u joshën nga lekët, 246 euro kushton një qen të kujdesesh me tërë proceset. Më pas qentë e rrugës i vrisnin me lëng baterie makinash pastaj me acid tualetesh, punëtoret e bashkisë na i dërgonin faktet nga brenda. Nga këtu deri tek Kodra e Diellit unë ushqeja 30 qen, tani nuk gjen më një qen, dhe sot janë marrë në lagjen time 7 qen dhe vriten gjoja thuhen që janë me leshmanjozë, e kam kuruar vetë qenin më këtë sëmundje. Me zgjebje i kam kuruar, kam dalë në protesta disa herë, ku janë pra qentë e lagjes sime. Marrin fonde pa fund nga bota dhe taksat tona dhe urdhërin e jep i madhi na thonë ne”-,denoncon ajo.
Pas një ditë të gjatë por të mbushur me dashurinë që të dhurojnë 11 mace e 19 qen Terezina na tregon si e mbyll ditën e saj.
“Këtu flenë me mua, të imagjinosh 10 mace, 2 te koka, një tek supi tek supi…Ka më dashuri tek kafsha?”,-përfundon Terezina historinë e saj për emisionin “Rrugëtim me Anilën”.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb