Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu tha se e ka përsëritur domosdoshmërinë e armëpushimit të përhershëm në Idlib të Sirisë gjatë takimit me homologun e tij rus Sergey Lavrov në Mynih.

“Unë u takova me Sergey Lavrov dhe thashë se agresioni në Idlib duhet të ndalet”, u tha Çavuşoğlu gazetarëve pas Konferencës së 56-të të Sigurisë në Mynih.

“Duhet të vendoset një armëpushim i përhershëm”, shtoi ai.

Ai tha se delegacionet turke dhe ruse do të takohen të hënën në Moskë për të diskutuar situatën e fundit në Idlib.

Në shtator të vitit 2018, Turqia dhe Rusia ranë dakord ta kthejnë Idlib në një zonë deeskalimi në të cilën aktet e agresionit janë të ndaluara.

Megjithatë, më shumë se 1.800 civilë janë vrarë në sulmet nga regjimi sirian dhe forcat ruse që nga ajo kohë, duke shkelur armëpushimin e vitit 2018 dhe atë të fundit që filloi më 12 janar.

Libia

Çavuşoğlu tha se ai ka theksuar edhe një herë domosdoshmërinë e armëpushimit të përhershëm në Libi gjatë takimit ministror në Mynih.

Turqia ka kontribuar ndjeshëm në përpjekjet ndërkombëtare për armëpushimin, deklaroi Çavuşoğlu, duke shtuar se forcat e paligjshme të armatosura të komandantit puçist Khalifa Haftar kanë vazhduar shkeljet.

Një mekanizëm ndërkombëtar i monitorimit duhet të themelohet nën kujdesin e OKB-së, shtoi kryediplomati turk.

Fuqitë botërore dhe aktorët rajonalë mbajtën sot një takim të komitetit ndërkombëtar për mbikëqyrjen e zotimeve të bëra për embargon e armëve dhe armëpushimin në Libi.

Muajin e kaluar, Gjermania organizoi një samit në Berlin në të cilin u kërkua unitet ndërkombëtar për të mbështetur përpjekjet për një zgjidhje politike dhe armëpushim në Libi.

Konferenca e Berlinit përfundoi me zotime për respektimin e armëpushimit dhe embargos së armëve, ndërsa krerët e shteteve dhe qeverive ranë dakord të krijojnë një komitet vijues për të diskutuar zbatimin e konkluzioneve të konferencës.

Që nga rrëzimi dhe vrasja e ish-liderit libian Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi janë shfaqur dy qeveri, njëra e lidhur me komandantin ushtarak Khalifa Haftar në lindje të Libisë, e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) në Tripoli, e cila gëzon njohjen e ndërkombëtare dhe të OKB-së.

Qeveria legjitime e Libisë është sulmuar nga forcat e Haftarit që nga prilli i kaluar, me çka më shumë se 1.000 njerëz kanë humbur jetën.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb