Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se marrëdhëniet mes vendit të tij dhe Katarit forcohen dhe zhvillohen çdo ditë e më shumë në çdo fushë dhe se dy vendet punojnë krah për krah për zgjidhjen me rrugë paqësore të problemeve në rajon.

Çavuşoğlu, i cili ndodhet në Katar për një vizitë zyrtare, u takua me ministrin e Jashtëm të Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, ndërkohë, dy homologët zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp, duke trajtuar disa çështje.

Ministri Çavuşoğlu theksoi se do të vazhdojnë të punojnë së bashku për të zhvilluar edhe më tej marrëdhëniet në çdo fushë, kryesisht për vëllimin e tregtisë dypalëshe dhe investimeve.

“Po përjetojmë lumturinë që shikojmë Katarin që forcohet çdo ditë e më shumë. Kam shikuar edhe njëherë se (Katari) ka realizuar në mënyrë shumë të suksesshme edhe përgatitjet e Kupës Botërore 2022″, tha kryediplomati turk.

Çavuşoğlu deklaroi se Turqia e mirëpret me kënaqësi të madhe procesin e normalizimit mes Katarit dhe vendeve të Gjirit. Ai theksoi se Turqia stabilitetin, sigurinë dhe mirëqenien në rajonin e Gjirit e shikon si stabilitetin dhe mirëqenien e saj.

Më tej Çavuşoğlu tha se lufta në Jemen duhet të përfundojë sa më parë dhe se në rajon duhet të vijë stabiliteti dhe paqja e përhershme dhe sipas tij, lidhur me këtë çështje do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar dhe të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Pasi rikujtoi se në Libi është zgjedhur qeveria e re, Çavuşoğlu tha: “Shpresojmë që të marrin detyrën pa probleme. Sot si Turqi dhe Katar kemi vlerësuar se si mund të kontribuojmë pas kësaj në Libi, si mund të mbështesim dhe se çfarë mbështetjesh dhe në cilën fushë mund të ofrojmë që qeveria e re të përballojë pritshmëritë e popullit libian”.

Duke vënë në dukje se dëshirojnë sigurimin e zgjidhjes politike dhe paqes së përhershme në Siri, ministri Çavuşoğlu theksoi zgjidhja e vetme në Siri dhe Libi është zgjidhja politike, gjë që përputhet me mendimet e Turqisë dhe Katarit.

Ndër të tjera, ministri turk nënvizoi se përpjekjet e përbashkëta do të vazhdojnë për zgjidhjen me dy shtete në Palestinë dhe për përmirësimin e dakordimit mes palestinezëve.

Katari që nga fillimi ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në fazën e fillimit të negociatave ndërmjet palëve në Afganistan, u shpreh ministri Çavuşoğlu.

“Falë Katarit u nënshkruan marrëveshje. Ne i besojmë rolit të Katarit në mënyrë që të fillojnë negociatat ndërmjet afganëve me fokus në rezultat. Edhe ne i mbështesim dhe bisedojmë me afganët, dhe në proceset e ardhshme do të jemi vend organizues i disa takimeve”, u shpreh më tej kryediplomati turk.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb