Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se Ankaraja kurrë nuk do të ndalojë së mbështeturi çështjen palestineze.

“Nën udhëheqjen e presidentit tonë (Recep Tayyip Erdoğan) dhe me pushtetin që na është dhënë nga parlamenti ynë, ne kurrë nuk do të heqim dorë nga mbështetja e çështjes palestineze”, tha Çavuşoğlu para ligjvënësve në parlamentin turk.

“Turqia është pioniere e përpjekjeve diplomatike për çështjen palestineze dhe do të vazhdojë të jetë zëri i ndërgjegjes dhe drejtësisë në botë”, theksoi ai.

Duke pohuar se atmosfera në Turqi për çështjen e Palestinës është një solidaritet i përbashkët, Çavuşoğlu tha se “duhet të jemi të ndjeshëm në ruajtjen e kësaj”.

“Është detyrë për të gjithë ne që të jemi të kujdesshëm për të mos e bartur këtë çështje në gjuhën konkurruese të politikës së brendshme dhe të mos i bëjmë të lumtur njerëzit që kanë të njëjtin mentalitet me Netanyahu-n”, tha Çavuşoğlu.

Ai tha se reagimi i komunitetit ndërkombëtar për sulmet e Izraelit ndaj Palestinës është “i dobët” dhe theksoi se disa vende kanë “mbyllur sytë ndaj krimeve të luftës” të kryera nga Tel Avivi.

Çavuşoğlu po ashtu përgëzoi stafin e AA-së dhe TRT-së “të cilët punojnë në terren me gjithë zemër në rrezik për jetën”.

“Ne jemi të shqetësuar me situatën humanitare që është përkeqësuar si rezultat i sulmeve pa kriter të Izraelit. Organizatat tona të ndihmës humanitare, veçanërisht TIKA dhe Gjysmëhëna e Kuqe, po përpiqen të lehtësojnë dhimbjen e vëllezërve dhe motrave palestineze pavarësisht kushteve të vështira. Ata punojnë shumë në terren. Ata vëllezërve dhe motrave tona në kushte të vështira u japin të gjitha llojet e ndihmave, përfshirë ushqimin dhe vaktet e nxehta”, deklaroi Çavuşoğlu.

Sipas të dhënave të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, numri i përgjithshëm i palestinezëve të vrarë në sulmet e vazhdueshme izraelite në Rripin e Gazës është rritur në 213, përfshirë 61 fëmijë dhe 36 gra. Të paktën 1.400 persona po ashtu janë plagosur.

Ushtria izraelite po kryen sulme ajrore që nga 10 maji, duke lënë pas gjurmë masive shkatërrimi. Zyra të medias dhe qendra shëndetësore po ashtu janë ndër strukturat e shënjestruara.

Tensionet që filluan në Kudsin Lindor gjatë muajit të Ramazanit u përhapën në Gaza si rezultat i sulmeve izraelite ndaj besimtarëve muslimanë në xhaminë Al-Aksa dhe lagjen Sheikh Jarrah.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb