BRUKSEL

Kryeministri Edi Rama dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dolën në një konferencë për shtyp në përfundim të Konferencës së Donatorëve, e cila mblodhi një shumë marramendëse prej 1.15 miliardë euro për rindërtimin në Shqipëri, pas tërmetit tragjik.

E pyetur nga gazetarët nëse do të ketë transparencë për përdorimin e kësaj shume në procesin e rindërtimit, Presidentja e KE tha se do të nënshkruajë një marrëveshje me kryeministrin Rama për të bërë gjithçka në mënyrë transparente, ndërsa shtoi se do të dërgojnë në Shqipëri një grup ekspertësh, për të ndjekur nga afër të gjithë procesin.

Më tej, Ursula von der Leyen u pyet dhe për integrimin e Shqipërisë, duke thënë se vendi ynë i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe është gati në pranverë për hapjen e negociatave.

Pjesë nga konferenca:
Ursula von der Leyen: Ne jemi të interesuar për progresin e vendit. Ne kemi punuar shumë për të shtruar rrugën, që këtë vit të arrijmë suksesin që dëshirojmë. Për sa kemi parë metodologjinë, që ka krijuar besim te të gjitha palët, dhe që përshpejton procesin dhe ofron perspektiva më të besueshme për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, që ne të mund të ecim përpara për hapjen e negociatave. Po punojmë fort, kam shumë besim. Ne do të botojmë një raport të ri për vendin në fillim të marsit, me qëllim që të krijojmë besim te të gjitha palët. Kemi prova, që progresi është bërë.

Rama: Jemi ende duke përballuar tronditjen e sotme. Dua të gjej një hudhër, sepse kur merr vesh një lajm të mirë, ke frikë se mos ndodh diçka e keqe. Ndaj më lini të gjejë një hudhër njëherë, se sa të mendoj për hapjen apo jo të negociatave. Na duhet të nisim një rindërtim shumë sfidues, sepse kam dëgjuar me shumë kujdes atë që tha Presidentja e KE, që ajo çfarë rindërtohet të jetë më e mirë se ajo që humbi, me standarde të reja anti-sizmike, ekologjike, etj. Jam shumë krenar për ekipin tonë, për prezantimet. Po mendoja pse nuk jemi pjesë e BE, por nuk e kërkoj tani.

Ursula: Kemi rënë dakord të kemi një marrëveshje, ku do të përcaktojmë parimet e transparencës së llogaridhënies. Duam që kjo shenjë e jashtëzakonshme solidariteti me popullin shqiptar të investohet në mënyrën e duhur, transparente, llogaridhënëse dhe për këtë jemi të gatshëm të dërgojmë ekspertët tanë, për ta zbatuar në mënyrën e duhur. Marrëveshjen do ta nënshkruajmë së bashku me Ramën.

Rama: Bixhozi është ndaluar në Shqipëri, por pashë shumë njerëz sot që vinin baste. Dëgjova njerëz që vinin baste, se do të ishte gjithçka katastrofë, por e humbën bastin. Mos vini bast, kur bëhet fjalë për mua, qeverinë time dhe marrëdhënien tonë me botën. Pasi thanë se kjo do të ishte një katastrofë, kur kontributet po rriteshin, thanë se nuk mund t’i menaxhojmë, por ne do t’i menaxhojmë siç duhet. Ndaj ju them mos të shqetësoheni.

Do ta zëvendësoni flamurin anglez me atë shqiptar në BE?
Ursula: Ka ardhur koha që ne të fillojmë të hapim bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë. Ne iu kemi kërkuar shumë gjëra dhe ata i bënë të gjitha. Tani na takon ne të jemi një partner i besueshëm dhe të punojmë për qëllimin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb