Presidenti i Republikës Ilir Meta u shpreh këtë të enjte se do të firmosë një dekret më 2 Mars, por nuk tregoi se për çfarë dekreti bëhet fjalë.

Gjatë një interviste në emisionin “Opinion”, ai theksoi se Presidenti i ka bërë të gjitha veprimet në mënyrë zyrtare por nuk funksionojnë institucionet.

Ai theksoi se nuk bëhet fjalë për betejë për kompetenca, por për Gjykatën Kushtetuese që sipas tij është interesi më i lartë kombëtar.

Ilir Meta: Kur bien institucionet ngrihet populli. Ça thotë neni 2? Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit.

Blendi Fevziu: Si do ta ushtroni këtë sovranitet, në ç’mënyrë.

Ilir Meta: Ju të gjitha nuk do t’i mësoni sot.

Blendi Fevziu: Keni thënë që do të firmosni një dekret?

Ilir Meta: Çdo ditë do të ketë zhvillime. Atë ditë do ta firmos, nuk do ta firmos tani.

Blendi Fevziu: Presidenti duhet të dalë në shesh ta firmosë dekretin, nuk ka zyrë?

Ilir Meta: Presidenti ka zyrë dhe i ka bërë gjërat si zyrtar perfekt, por institucionet nuk funksionojnë. Çfarë mund të bëjë presidenti kur parlamenti, pushteti gjyqësor Dvorani në këtë rast dhe ministria e Drejtësisë bëhen bashkë dhe komplotojnë kundër Republikës. Kjo nuk është betejë kompetencash. Me ligj ata i morën Presidentit edhe kryetarin e Akademisë së Shkencave, por unë nuk i bëra thirrje popullit.

Blendi Fevziu: Çfarë do bëni me popullin?

Ilir Meta: Gjykata Kushtetuese është Kushtetuta e Shqipërisë, është interesi kombëtar. Nuk mund të pushtohet gjykata Kushtetuese me ligje antikushtetuese. Kur bëhet kjo gjë këtu ka rënë rendi antikushtetues.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb