Kryeministri Edi Rama ka zbuluar takimet dhe telefonatat me homologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis, që pas ardhjes së këtij të fundit në pushtet.

I ftuar në emisionin “Opinion”, Rama është shprehur se në të gjitha bisedat me Mitsotakis nuk është folur për detin, duke theksuar se negociatat me fqinjët janë ngrirë, që pas ndërrimit të qeverive.

“Unë me Mitsotakis kam folur kur ra tërmeti, më ka marrë në telefon dhe ka thënë se çfarë duhet të bëj unë, dhe kur kemi nisur fazën e dytë të hapjes së karantinës. Jam takuar në OKB dhe në një takim tjetër në Athinë kur nuk kemi folur asnjë sekondë për këtë çështje, kemi qenë në prani të delegacioneve. Kemi folur për nismën për të sheshuar mosmarrëveshjet e mëparshme”, ka thënë Rama.

Më tej, kryeministri ka thënë se në dialog me palën greke janë diskutuar të gjitha pikat, përfshirë edhe detin, por sipas tij, për të pasur një marrëveshje duhet të kalojë në shumë hallka, mes të cilave edhe Kuvendit e Presidentit.

“Marrëveshja quhet e tillë kur ekziston dhe që të ekzistojë duhet të ketë firma dhe vula, por duhet të kalojë në disa etapa. Por edhe nëse i kalon këto etapa nuk është marrëveshje nëse nuk shkon te Kuvendi dhe më pas të presidentin. Presidenti ka thënë se do ta çojë marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese. Por duke qenë se mjedisi shqiptar ushqen veten me thashetheme kemi arritur në absurdin që një vend i tërë po beson një thashethem. Parimi për të cilin ka folur Mistsotakis nuk përputhet me Shqipërinë. Ai ka folur për një të drejtë sovrane”, ka deklaruar ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb