Nënkryetari i PD-së, njëherësh kreu i grupit parlamentar Alfred Rushaj komentoi emisionin ‘Kjo javë’ me Nisida Tufën, propozimet e demokratëve për ndryshimet kushtetuese.

I ndalur tek Vettingu i politikanëve, Rushaj tha se kjo është një iniciative e hershme e Partisë Demokratike dhe se është vijimësi e propozimeve që opozita ka bërë që prej vitit 2014.

Rushaj gjithashtu theksoi se, presin që ata politikanë vendimmarrës të cilët kanë lidhje me njerëz të përfshirë në botën e krimit, të ndërpresin mandatin.

“Vettingu është një iniciativë e kahershme e PD do të thoja e vitit 2018 që është në vazhdën e disa propozimeve që PD ka bërë që prej 2014, për të pastruar politikën nga krimi, të paktën këtë pjesën e dukshme e që ndikon më pas kudo, te vota, ekonomia, tregu etj. Ajo çfarë ne presim është të ndërpresim lidhjet e politikës me krimin e organizuar. Ajo ç’ka ne kemi propozuar, presim që ata politikanë vendimmarrës që kanë lidhje me pjesëtar të krimit të organizuar të ndërpresin mandatin. Presim që ata politikanë që kanë asete pasuri dukshëm me të ardhura jo të ligjshme të ndërpresin mandatin. Presim që, pa paragjykuar askënd, ata politikanë që kanë kryer vepra penale, organet të bëjnë punën e tyre të ndiqen politikisht” tha Rushaj.

Gjatë bisedës ai u shpreh se ky është një proces i hapur publik, në dallim nga vendimmarrjet që organet e prokurorisë bëjnë në zyra të mbyllura.

“Nuk kemi lëvizur në qëndrimin tonë sa i përket SPAK. E dimë që ky proces është delikat. Venecia na ka dhënë disa udhëzime për këtë gjë. Po çfarë ndodh? Çdo strukturë do ishte e paragjykuar nga njëra apo tjetra palë, apo nga publiku. E shohim si një gjykim që opinioni publik do i bëjë punës së SPAK. SPAK në fakt ka kompetencë edhe sot, të shqyrtojë kryesisht një akuzë që politikanët i bëjnë njëri tjetri për përfshirje në afera kriminale. E ka të drejtë, nuk e bën. Ajo ç’ka ne po bëjmë, është që po ia çojmë ne provat, domethënë politikanët po i vendosin në dispozicion provat që kanë. Së dyti ky është një proces i hapur publik, në dallim nga vendimmarrjet që organet e prokurorisë bëjnë në zyra të mbyllura. Opinioni është fokusuar te SPAK, por procesi ka disa aktorë, është SPAK janë dhe gjykatat. Pra vendimi i SPAK do të jetë subjekt i shqyrtimit të gjykatës.” tha ndër të tjera Rushaj.

Ka zëra brenda opozitës që kërkojnë që PD të mos votojnë zgjatjen e Vettingut?

Rushaj: Edhe sikur të ishte kjo nuk është as e turpshme as jo morale. PS paraqiti një amendament kushtetues, që për mënyrë si e kanë paraqitur, është bërë me dashje them unë që të keqinformojnë apo diskutimet publike në lidhje me amendamentet që ata kanë paraqitur. Nuk bëhet fjalë për të zgjatur Vettingun. Vettingu i magjistratëve dhe organi që e bën atë është i parashikuar në kushtetutë. Ajo që kërkohet është të zgjatet mandati i 14 personave që aktualisht merren me Vettingun, ndërsa Kushtetuta parashikon që këta persona kanë një mandat 5-vjeçar. Pasi këta e mbarojnë mandatin fillojnë institucione të tjera, të ngritura, të vetuara ndërkohë në kompetenca të qarta për Vettingut. Mandati i këtyre 14 vetëve mbaron në qershor 2022, të nesërmen ka një organ të gatshëm që vazhdon punën. Cila është urgjenca? Ne kemi prioritetet tona që mendojmë se janë edhe të shqiptarëve, reforma zgjedhore, territoriale, Vettingu i politikanëve këto mendojmë janë më të rëndësishme se sa deri kur do marrin rrogën 14 personat aktualë. Ne nuk kemi fare ngut, në qershor edhe mund ta diskutojmë a duhet apo jo. Është me rëndësi të sqarohet diçka, në amendamentet tona s’kemi paraqitur asgjë që ka të bëjë me opozitën, por me qytetarët, shërbimin e qytetarëve. Ne kemi paraqitur propozimet tona dhe kemi thënë se kjo është axhenda jonë. Diskutimet bëhen në një komision të përbashkët, por është e padiskutueshme që ne të nisim nga prioritetet.

A përfshihen personat non-grata?

Rushaj: Jo, nuk jemi marrë fare me personat non-grata apo jo. Baza është ajo që kemi propozuar në vitin 2018, e pasuruar me gjëra procedurale që Komisioni i Venecias, na rekomandoi që duhet të plotësohet për të qenë në përputhje me parimet kushtetuese.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb