Nga Aurel Plasari

VIKTOR QURKU (1941-1983)

Për të kujtuar poetin e vetëvrarë Viktor Qurku dhe parimin e Jevtushenkos për poetët : “Çdo vetëvrasje është një vrasje”. Me çfarë nuk ia nxinë jetën zilarët, të ligj siç janë zilarët në mbarë botën! Deri jetën intime ia përdhosën. Edhe poezinë “Pagëzimi”, që po e jap këtu ndër të tjerat, e keqpërdornin për të pyetur nëpër redaksi: “Ende i botoni poezi atij të birit të priftit?”.

PAGËZIMI IM
Dikur im at’ më pati futur n’ujë
Për të më ngjitur një emër ortodoks,
Që biografinë të mos ja prishja unë,
Një djalë i krishterë palavoz.
Nuk mund t’ja çelte udhën një mëkati
Ky ati im fetar e hijerëndë,
Gjer sa kish nisur që t’i rritej shtati
Djalit të tij të vogël flokëgështënjtë.
Ma tundte temjanicën si një lodër
Mbi kokë, mes të kaltërit temjan,
E dridhej shtati në një kovë të vogël
Si flaka e qirinjve në shandan.
Nuk ish e para herë, as e fundit
Që ati im këndonte këtë rit;
Nën këtë psallmë plakat e katundit
Kushdi sa herë patën bërë kryq.
Por këtë radhë s’bënin kryqe plakat,
Në ceremoninë time njerëz s’kish;
Përzihej me temjanin erë bajgash
Në një haur të errët bagëtish.
Teshtija unë e qaja n’atë kovë
Siç qanin edhe plumbat nëpër mur;
Për atin tim kjo ish m’e larta provë,
Jo në altar të shenjtë, por në haur.
Kështu dikur më pati futur n’ujë
Për të më ngjitur një emër ortodoks,
Që biografinë të mos ja prishja unë,
Një djalë i krishterë palavoz.

MALL
Do të dal në kopshte dhe vreshta,
Nën rrepet e moçëm si tëndë,
Ku për ditët që s’isha dhe heshta
Këndon era nëpër gjethe një këngë.
Do të pi ujë më grushte
Nëpër kronje, ku gjer vonë unë lozja,
Dhe do zbres monopatit, në fushë,
Ku një tufë bravare kullosja.
Pa do mundem mbi barin e njomë
Me vërsnikët, ballëqeshurit shokë,
Ç’ka se mbaj në xhep një diplomë
Dhe kapele prej burri në kokë.
Do të ngrihem. Në tufën e dhive
Harrakatet dhi do t’i trëmb
Dhe në mbrëmje në shtrungën e tyre
Do të pi atë shkumë argjënd.
Dhe do ndez një zjarr përmbi kodër,
Flak’ e tij të ndrijë në terr;
Rrotull tij, dorpërdorë me shokët,
Të këndoj, të kërcej posi shqerr’.

NË VJESHTË
Po kthehem nga panair i vjeshtës:
Bullçitë me mollë të fryrë.
S’më ndahet gumëzhitj’ e bletës
Mbi kokë, mbi duar, mbi fytyrë.
Pikon ky lëngu i frutave.
Të ngopur, zogjtë fshijë sqepin.
Fshatarkat fshijnë pas futave
Nga duart e shpejta sherbetin.
Nga qielli retë e bardha
Shikojnë gjithë panairin:
Po mbushen arkat me dardha,
Pret radhën fodull ky shalqiri.
Unë s’di ku t’i laj këto duar,
Këmishën spërkatur me njolla;
Kështu dhjetë vjetë të shkuar
Kaloja me xhepat me molla.
Dhe shkoj te bari i thatë
Të fshij këtë lëng karpuzi.
Kjo tokë e gjitha është mjaltë,
Kjo tokë e dashur, e bruztë.
KUR DASHURIA BËN APEL
Mbi pellgje ndrit unaz’ e hënës
Dhe flokët e mi i përkëdhel:
O mbrëmje plot me gaz e brengë
Kur dashuria bën apel!
Në stol të jetës gjer tani
Jam ulur vetëm fillikat:
O mbrëmje dritëfarfuri
Kur çiftet puthen nëpër park!
Kjo zemër dridhet posi fletë
E s’di se ç’ndjej tani në gjoks,
Kur fryjnë posi flladi vjetët
E dashuria me të loz.
I dua njerëzit të gjithë
Në këto vise ngjyrë blu:
A s’je dhe ti këtu për ditë?
A s’të kam parë ty diku?
Me dhjetra vajza hedhin valle
Përpara syve pa pushim,
Po cila sonte fjongon alle
Ma lidh këtu në shpirtin tim?
Po cila zbret, më merr për krah
Dhe shteg të ri jetës m’i çel?
O mbrëmje ngjyrë jargavan
Kur dashuria bën apel!
Nga vëllimi “Midis jush”, Tiranë 1966
_________
E kujtoj me shumë mallëngjim si njërin nga mbështetësit në përkthimet e mia të para, kur isha ende adoleshent, dhe si redaktorin e parë të tyre. Por mbaj mend mirë edhe lajmin e vetëvrasjes, si dhe në gazetën “Drita” njoftimin për “vdekjen” e tij si rëndom “pas një sëmundjeje të rëndë”!
fb a.p.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb