Vajza energjike, Deborah Keçi, ka përcjellë sot shumë energji për shikuesit e TV “News 24”. Ajo tha se sportin e ka kthyer në stil jete, duke u stërvitur me mjete rrethanore në këto ditë karantine. Keçi publikon shpesh video në rrjete sociale, shumë aktive duke nxitur shumë ndjekës të jenë sa më aktivë.

Në lidhjen me Skype për “Vila 24” me moderatoren Androniki Kolka, Keçi tha se duhet të merremi me aktivitet çdo ditë, jo vetëm për t’u dukur mirë e me linja perfekte në verë.

“Sporti më ka mësuar të vë objektiva”, tha ajo, ndërsa tregon se tani ka mundësi të realizojë 2 prej tyre; gatimin, për ushqime të bëra vetë, pasi nuk është fanatike e dietave, por fanse e të ngrënit në mënyrë të zgjuar; dhe e dyta, të ketë kohë të lëxojë më shumë, pasi për shkak të aktivitetit të ngjeshur ditor nuk ka mundur të shfletojë edhe aq shumë.

Sa i përket këshillave për fëmijët dhe aktivizimin e tyre, Keçi thekson rëndësinë e sporteve kolektive, pasi ato edukojnë frymën e bashkëpunimit e i bën fëmijët më të përgjegjshëm. Çelsi i suksesit, fizikut të mirë, sipas Deborah Keçit, është aktiviteti i përditshëm.

Ajo flet për mungesën e lëvizjeve në natyrë, por vlerëson shumë masat e karantinës si një rregull që duhet të respektohet nga të gjithë që t’i kthehemi sa më parë jetës normale. Si një ish-studente për Ekonomi Ndërkombëtare në Itali, Keçi tregon për dashurinë e lidhjen e fortë që ka me Milanon aty ku ka kaluar disa vite. “Jam e shqetësuar për miqtë e mi atje, u kërkoj të bëjnë kujdes”, thotë ajo, ndërsa ndjen keqardhje për gjendjen në Itali.

“Atje njerëzit nuk e morën seriozisht dhe qëndronin nëpër kafene”,-shton e sakaq bën thirrje të tregohemi strikt me distancën dhe higjenën.

“Çdokush mund ta gjejë kohën të merret me veten, të trajtojë veten, le ta shfrytëzojmë për të bërë gjërat që kemi pasion e të rrimë më pranë njerëzve tanë që ta kalojmë sa më parë këtë situatë me një bilanc sa më pak negative!”, mbylli bisedën e saj Deborah, duke dhënë shpresë për ditë më të mira, ndërsa regjia transmetonte shpesh video ku ajo dukej të bënte ushtrime në ballkon me shumë pozitivitet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb