Zbardhen të tjera detaje nga plani për arratisje nga burgu i sigurisë së lartë në Tiranë “313” i Arbër Çekajt dhe Fatmir Pjetrit, i pari i dënuar për 613 kg kokainë dhe i dyti për grabitje me armë në një qendër tregtare në kryeqytet.

Gazetarja Klodiana Lala tha në një lidhje telefonike për “News24” se nga hetimet e deritanishme nuk ka rezultuar që Çekaj e Pjetri të kenë pasur bashkëpunëtorë nga jashtë apo brenda burgut, por kanë tentuar arratisjen me mjete rrethanore, ndërkohë që plani i tyre ka dështuar, pasi janë pikasur nga një polic i kollonës, i cili ka ndërhyrë menjëherë, duke bërë arrestimin e tyre. Deri më tani, i vetmi që ka bashkëpunuar me ta Lulzim Çepele, i cili është shtirur sikur po priste damarët e dorës, për të shpërqendruar gardianët.

Siç raporton gazetarja Lala, ata zgjodhën çarçafët gërshetë dhe çengelin e hekurit, si e vetmja mënyrë që mund të mbante peshën e tyre, prej ku arritën të binin në katin e parë pa probleme.

“Të dy personat paraqesin rrezikshmëri, ndaj dhe do të marrin dënimin maksimal. I pandehur dhe i dënuar për këtë ngjarje do të shkojë dhe Çepele, që bëri sikur po priste damarët. Çekaj e Pjetri janë të izoluar dhe do të qëndrojnë aty, derisa çështja të hetohet. Çekaj e ndërmori këtë akt, në momentin kur GJKKO refuzoi kërkesën e SPAK për lirimin e babait të tij, Selim Çekaj. Aktualisht po diskutohet jo vetëm për elementet e sigurisë në paraburgimin e ‘313’, por edhe për vendin se ku do të mbahen Cekaj e Pjetri, që tashmë konsiderohen njerëzit më të rrezikshëm të momentit”, tha gazetarja Lala, raporton “BalkanWeb”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb