TIRANË- Administratori i OSHEE-së, Adrian Çela ka bërë publike sot disa prej rezultateve të muajit shkurt në drejtim të reduktimit të humbjeve dhe rritjes së arkëtimeve. Në një deklaratë para mediave, Çela tha se shkurti shënon ka shënuar rekorde në dyfishimin e të ardhurave
“Muaji shkurt shënon shifrën rekord tё dyfishimit tё tё ardhurave të cilat kanë arritur nё 7,3 miliardë lekё. Krahasuar me të njёjtёn periudhë të një viti mё parë kemi rritje me 48% tё tё ardhurave, ndërsa krahasuar me shkurtin e vitit 2013 konstatohet rritje me 56%. Me këto nivele, OSHEE është besimplotë që do të realizojë planin vjetor të rreth 53 miliardë lekëve arkëtime. Njё tjetёr tregues shumё premtues ёshtё ai i nivelit tё humbjeve nё rrjet. Nё shkurt u mundёsua ulja e humbjeve nё 31.8%. Thёnё ndryshe, kemi njё reduktim me 10.3% krahasuar me humbjet e shkurtit 2014 dhe 16.9% mё pak krahasuar me 2013”, deklaroi Çela.

Ai tha gjithashtu se rekord për muajin shkurt përbën edhe numri i akt-marrëveshjeve të lidhura që janë rreth 105 mijë.

“Aktmarrëveshje të lidhura në muajin shkurt janë rreth 105.189 me vlerë 150 milionë dollarë, shifër kjo rekord, në raport me dy muaj e kaluar. Përmes skemës lehtësuese, rreth 66 mijë abonentë likuiduan të gjithë detyrimin prej 20 milionë dollarë dhe përfituan ulje me 80% të kamatëvonesës. Në skemën lehtësuese përfituan edhe 8,356 familje me ndihmë ekonomike, të cilët përfituan nga mundësia për ta paguar me këste detyrimin”, tha ai.

Çela sqaroi se për shkak të akt-marrëveshjeve, afati i fundit që ishte 28 shkurti u shty për më 31 mars. Ai tha se në mars nisi një proces i ri partneriteti, me bizneset debitore, duke u dhënë mundësi ta paguajnë me këste detyrimin ndaj OSHEE-së
“Aktmarrëveshjet e debitorëve me OSHEE u trefishuan në ditët e fundit të shkurtit dhe OSHEE mori vendimin për të shtyrë afatin deri më 31 mars, për tu dhënë mundësi tjetër të gjithë atyre që duan të kthehen në konsumatorë të ligjshëm të energjisë elektrike. Të dhënat për muajin mars tregojnë për afro 9 mijë aktmarrëveshje të lidhura, ku më shumë se gjysma paguan të gjithë detyrimin që kishin ndaj OSHEE. Në muajin mars nisëm një proces të ri partneriteti, tashmë me bizneset debitore, duke u dhënë mundësi ta paguajnë me këste detyrimin ndaj OSHEE-së. Skema lehtësuese u jep shans subjekteve private që kanë rreth 90 mijë kontrata debitore ndaj nesh, me vlerë 140 milionë dollarë, që t’i përgjigjen pozitivisht apelit për të paguar detyrimin në fjalë. Skema është e ndarë në kategori, në varësi të linjës së furnizimit dhe shtrihet deri në 2017 për biznesin e vogël, etj”, tha Çela.

Administratori i OSHEE-së shtoi se në skemën lehtësuese janë përfshirë edhe bizneset në fushën e bujqësisë, sektor ky me prioritet për qeverinë. Të dhënat tregojnë se deri më tani bizneset kanë lidhur aktmarrëveshje me OSHEE për pagesën me këste të rreth 700 kontratave debitore, me vlerë 2 milionë dollarë, ku gati gjysma e zë biznesi i vogël.

Adrian Çela, deklaroi se në drejtim të përmirësimit të shërbimit ndaj konsumatorit, OSHEE, me mbështetjen e qeverisë, “liberalizoi sportelet e pagesës” së faturave. “Ato nuk paguhen vetëm tek ne dhe në postë, por kudo që ju shikoni logon e OSHEE “Këtu paguhet energjia elektrike”. Kemi lidhur kontrata bashkëpunimi me operatorë të tjerë, me dy shoqëri të tjera që mundësojnë pagesën e faturës përmes celularit, sikurse jemi në bisedime me të tjera kompani shërbimesh. Nuk do të ketë më radhë dhe askush nuk do të vonohet të paguajë faturën, pasi mund ta realizojë edhe nga shtëpia ose nga zyra”, u shpreh ai.

Sipas tij deri tani, që kur nisi ky proces në muajin shkurt janë kryer 23 mijë pagesa pagesa përmes kanaleve të mësipërme alternative, me vlerë 54 milionë lekë. Çela paralajmëroi debitorët se nuk do të ketë më shtyrje të afatit pas 31 marsit.

“Me shtyrjen e afatit dhe me zgjerimin e sporteleve për pagesat e faturave të energjisë, gjej rastin t’i rikujtojë të gjithë debitorëve të shfrytëzojnë mundësinë që po u jepet. Kemi vendosur personel me dy turne, deri në 10 të mbrëmjes, përfshi edhe të shtunë e të dielë, që askush të mos vonohet në sportelet e OSHEE. Theksoj, se nuk do të ketë më afat të ri, dhe i gjithë ky proces mbyllet më 31 mars”, nënvizoi Çela.

Duke u nisur nga të ardhurat e realizuara, Administratori i OSHEE-së u shpreh se shumë shpejt do të nisin edhe investimet në rrjetin e shpërndarjes.

“Të dhënat financiare na japin më shumë garanci për investimet, të cilat jemi gati t’i nisim.Vullneti pёr tё kthyer treguesit pozitiv financiar nё investime nё rrjetin e shpërndarjes pёr njё shёrbim mё tё mirё do të konkretizohet shumë shpejt. Shumё shpejt OSHEE do tё bёjё publike planin e investimeve nё terren duke nisur nga ky vit, e cila parashikon shumën prej afro 50 milionë dollarësh”, përfundoi ai.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: