TIRANE- Kompania OSHEE për muajin prill ka arritur të arkëtojë tre milionë dollarë më shumë nga sa ishte targeti i parashikuar për këtë muaj. Nisur nga këto të dhëna, administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Adrian Çela, ka deklarua se muaji prill konfirmon drejtimin e duhur të kompanisë OSHEE për rimëkëmbjen.

“Kam kënaqësinë të deklaroj se, muaji prill konfirmon drejtimin e duhur të kompanisë OSHEE për rimëkëmbjen, ku pothuajse të gjithë objektivat janë realizuar, madje duke i tejkaluar. Falënderoj abonentët që iu përgjigjen pozitivisht thirrjes tonë për të qenë konsumatorë të ligjshëm”, deklaroi Çela.

Sipas tij, targeti për muajin prill ishte 47 milionë dollarë, ndërsa OSHEE arkëtoi 50 milionë dollarë. “Humbjet në rrjet për muajin prill ranë në 30.5 %”, deklaroi Çela.

ÇELA: 60 MIJË KONTRATA DEBITORE NDAJ OSHEE, 4 000 PREJ TYRE NË BREGDET
Në prag të sezonit veror, plani i radhës i OSHEE do të jenë kontrollet e subjekteve private në bregdet. Sipas administratorit të kësaj kompanie, Ardian Cela, janë rreth 60 mijë biznese debitore nga të cilat 4000 janë identifikuar vetëm në bregdet.

Nga muaji Janar deri në muajin Prill llogariten rreth 100 milion dollarë arkëtime më tepër se e njëjta periudhë e vitit 2014.

“Si 4-mujor, pra janar-prill, kemi afro 24.5 miliardë lekë arkëtime, rreth 100 milionë dollar më tepër se e njëjta periudhë e vitit 2014. Në lidhje me humbjet, muaji prill shënon një tjetër rekord pozitiv. Humbjet zbritën në 30.5%, nga 35.7% që ishin vitin e shkuar dhe gati 39.7% në prill të 2013-s”, tha Çela.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb